Kulturë

Riviera shqiptare midis kaltërsisë dhe trashëgimisë kulturore

Butrinti me mbi 2 mijë e 500 vjet histori të shtresuar në këtë qytet antik, është një lokalitet i Trashëgimisë Botërore shpallur nga UNESCO-ja në skajin jugor të Rivierës

Butrinti me mbi 2 mijë e 500 vjet histori të shtresuar në këtë qytet antik, është një lokalitet i Trashëgimisë Botërore shpallur nga UNESCO-ja në skajin jugor të Rivierës

Riviera Shqiptare është quajtur “Maldivet e Evropës”. Është e vërtetë që plazhe të panumërta me rërë të bardhë zbukurojnë një vijë bregdetare me ujëra të kaltër shkëlqyes, që nga segmentet e mbushura me resorte moderne deri te gjiret e izoluara. Por Riviera është më shumë se thjesht det: ka fshatra tradicionale që ngjiten në kodra të mbuluara me ullishte shekullore dhe rrënoja të lashta përkrah mbetjeve të së kaluarës komuniste të vendit

(National Geographic) – Duke qenë e shtrirë përgjatë krahut jugperëndimor të vendit, nga qyteti i Vlorës në veri deri në fshatin Ksamil, Riviera Shqiptare është quajtur “Maldivet e Evropës”. Është e vërtetë që plazhe të panumërta me rërë të bardhë zbukurojnë një vijë bregdetare me ujëra të kaltër shkëlqyes, që nga segmentet e mbushura me resorte moderne deri te gjiret e izoluara. Por Riviera është më shumë se thjesht det: ka fshatra tradicionale që ngjiten në kodra të mbuluara me ullishte shekullore dhe rrënoja të lashta përkrah mbetjeve të së kaluarës komuniste të vendit.

Tashmë është më e lehtë se kurrë për të arritur në këtë zonë, falë shtimit të fluturimeve direkte që lidhin Mbretërinë e Bashkuar me kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën që ndodhet rreth dy orë me makinë nga Vlora. Më pas mund të udhëtoni drejt jugut përgjatë rrugës bregdetare, duke e pasur detin Jon në dukje pothuajse gjatë gjithë rrugës. Atraksionet kryesore të rajonit mund të eksplorohen për një fundjavë, por qëndroni më gjatë për të zbuluar thesaret arkeologjike dhe për të kaluar pasdite të qeta në plazhet më pak të njohura.

Histori dhe fshatra kodrinore

Paradite mund të filloni në Vlorë, qyteti i tretë më i madh në Shqipëri dhe vendlindja e shtetit modern shqiptar. Në sheshin e Flamurit ndodhet Monumenti i Pavarësisë, pranë vendit ku u ngrit për herë të parë flamuri shqiptar në vitin 1912, duke shënuar fundin e sundimit osman. Për të mësuar më shumë, ecni përgjatë bulevardit “Ismail Qemali”, emëruar sipas kryeministrit të parë shqiptar, drejt Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, i cili paraqet ngjarjet dhe figurat kyçe të vetëqeverisjes së vendit.

Më pas, udhëtoni rreth 8 kilometra drejt jugut përgjatë bregut, përtej pikës ku përfundon Adriatiku dhe dilet në Jon, për një drekë në Qendrën e Peshkimit në fshatin Radhimë. Zgjidhni peshkun e freskët nga tezga përpara dhe shijojeni përballë portit të vogël.

Pasdite mund të ecni për të tretur drekën në Parkun Kombëtar të Llogarasë, rreth një orë me makinë në jug të Vlorës. Shtigjet e kalimit të Cezarit nisin pranë hotel “Sofo” në Llogara dhe ndjekin rrugën që thuhet se ka ndjekur Jul Cezari në ndjekje të Pompeit, një gjeneral romak dhe armik i tij. Ngjitja prej 30 minutash kalon nëpër pyll pishash dhe përfundon në një platformë me pamje mbi Gjirin e Vlorës.

Rruga që del nga malet ofron pamjen e parë të plazheve, por rezistoni tundimit dhe vazhdoni drejt gjirit të Porto Palermos. Një kala, e ndërtuar në vitin 1804 nga sundimtari osman Ali Pashai, ruan hyrjen në portin natyror të gjirit. Vizitat përfshijnë korridore dhe dhoma të errëta, përfshirë një burg të frikshëm.

Në mbrëmje mund të vazhdoni drejt jugut për një shëtitje përgjatë shëtitores së ndriçuar në fshatin Qeparo në fushë. Bari “Sunset Boulevard” përgatit pije të shkëlqyeshme me limonë vendas dhe është vendi ideal për të parë perëndimin e diellit pas ishullit grek të Korfuzit, që ndodhet përballë bregdetit shqiptar.

Një udhëtim i shkurtër për në kodër ofron një mënyrë jetese më tradicionale. Pas rënies së komunizmit, fshati u tkurr, por zemra e tij mbeti e gjallë. Në restorantin “Ida & Xhorxhi”, Ida Thanasi përgatit gatime të freskëta e sezonale në verandën e mbuluar me hardhi, ndërsa burri i saj, Xhorxhi, shërben gota me raki në hyrje.

Atraksionet krejt lokale

Paradite: Pas një mëngjesi me petulla të buta dhe kafe turke në restorantin “Ida & Xhorxhi”, shëtisni nëpër rrugicat e pjerrëta të Qeparoit. Shumë prej shtëpive të shkatërruara po rindërtohen duke përdorur materiale të ngjashme, për të ruajtur pamjen origjinale të fshatit. Rrugicat çojnë në pika panoramike me pamje nga bregu ose nga lugina malore.

Mund të riktheheni duke ndjekur kodrat mbi det, dhe kthehuni në një rrugë të paasfaltuar (para tabelës ‘Lukovë’) që të çon në plazhin e Bunecit. Ujërat e qeta janë të përshtatshme për zhytje nga moli prej guri ose për eksplorim me kajak.

Pasdite mund të ndiqni rrugën përgjatë Bunecit deri në jug për një drekë me levrek të pjekur në taverna “Nikolas”, nën një çati kallami. Më pas, largohuni nga bregu për të vizituar Syrin e Kaltër, një burim që shpërthen nga nëntoka e lumit Bistricë, duke krijuar një sy të errët brenda ujërave blu të cekëta. Dikur ishte i qasshëm vetëm për diktatorin Enver Hoxha dhe zyrtarët komunistë, por tani është ndër atraksionet më të vizituara. Një shëtitje 20-minutëshe nga parkingu të çon në një platformë vëzhgimi për pamjen më të mirë. Nuk lejohet të lahesh te Syri i Kaltër, por mund të provosh ujërat e ftohta të lumit pak më poshtë.

Në mbrëmje mund të ktheheni drejt bregdetit për të vizituar liqenin e Butrintit. Ujërat e cekëta dhe të kripura janë ideale për kultivimin e midhjeve, dhe fermeri Soraldo Nebo ofron ture me varkë për të treguar procesin e vjeljes. Më pas, ai i përgatit midhjet — të ziera me hudhër ose të pjekura me kripë — dhe ju fton t’i shijoni me një gotë verë të bardhë shqiptare.

Përmbylleni ditën pas një udhëtimi 30-minutësh në plazhin privat të resortit “Kep Merli”, i fshehur në skaj të fshatit të zhurmshëm të Ksamilit. Vetëm një numër i kufizuar vizitorësh lejohen në bregun privat. Duhet të rezervoni paraprakisht për të shijuar kokteje në rërën më të butë të Rivierës.

Lokalitetet arkeologjike

Në rrugën drejt Orikumit, në skajin jugor të Gjirit të Vlorës, nuk ka shumë shenja që tregojnë se përpara ndodhet një vend historik. Fragmentet e bunkerëve të periudhës komuniste grumbullohen në rrugë, kuaj kullosin pranë kazermave të braktisura. Por sapo futesh në park, dikur një port i rëndësishëm tregtar, ndjesia ndryshon. Blloqe të një porti helenistik janë zhytur në lagunë, të rrethuara nga mure të përforcuara gjatë epokës bizantine. Rrugët në kodër lidhin shtëpi romake me një teatër grek. Edhe Jul Cezari ka qenë këtu në vitin 48 para erës sonë gjatë fushatës kundër Pompeut.

Një tjetër atraksion është Finiqi, i pozicionuar mbi një kodër pranë qytetit të Sarandës me pamje mbi luginat dhe fushat përreth. Finiqi ishte një qendër e rëndësishme e mbretërisë së lashtë greke të Epirit. Vizitohet më pak se lokalitetet tjera, por është i bekuar me bukuri natyrore, ku lule të egra në ngjyra të ndryshme lulëzojnë mes blloqeve antike. Një teatër helenistik gjendet në një përthyerje të kodrës, me akustikë të përsosur. Sot, ai jehon tingujt e zileve të dhive. Në kontrast me lashtësinë, një kompleks i vogël bunkerësh të kohës së komunizmit, i lidhur me tunele, ofron një eksplorim interesant nëntokësor.

Kurse Butrinti me mbi 2 mijë e 500 vjet histori të shtresuar në këtë qytet antik, është një lokalitet i Trashëgimisë Botërore shpallur nga UNESCO-ja në skajin jugor të Rivierës. Si në Orikum, perandoritë pushtuese ndërtuan mbi atë që ekzistonte më parë, duke krijuar një përzierje stilesh. Ndërtesa greke, romake, bizantine dhe veneciane janë të shpërndara brenda mureve të mëdha gëlqerore, me zbulime të reja çdo vit. Në kulmin e tij, jetonin deri në 16 mijë  banorë që përdornin banja romake, një forum dhe një ‘nymfeum’ (strukturë kushtuar nimfave). Më mbresëlënës është akuedukti romak, që dikur shtrihej përtej liqenit të Butrintit, duke sjellë ujë nga kodrat e largëta.