Kulturë

Rita Ora pushton Kullën e Eiffelit me spektaklin e frymës parisiene

Ora është e para artiste që në bashkëpunim me “Melrose Media” nisi serinë muzikore të titulluar “Iconic People in Iconic Places” (Njerëz ikonikë në vende ikonike). E gjitha u incizua gjatë “Paris Fashion Week”. Koncerti “Rita Ora Live From The Eiffel Tower“, i transmetuar premierë të enjten mbrëma, ishte një kaleidoskop i së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes pasi këngëtarja solli hitet e saj si: “Anywhere”, “Lonely Together” dhe “Let You Love Me”, bashkë me këngët nga EP-ja e saj “Bang”. Për të qe një natë e paharrueshme. E tillë duhet të jetë edhe për publikun

Në të kaluarën kompozitorët që u lindën, jetonin a kalonin një periudhë në Paris bëheshin pjesë e asaj që njihej si fryma parisiene. Frederic Chopin, polaku i lindur më 1810, ishte njëri prej tyre. Qe 21 vjeç kur nisi të jetonte në kryeqytetin francez. Në vitin 1832, ai ishte në mesin e elitës muzikore parisiene dhe kishte fituar respektin e kolegëve të tij si Hiller, Liszt e Berlioz.

Në një situatë hipotetikisht të njëjtë, Rita Ora me koncertin e saj të fundit do bëhej pjesë e asaj fryme elitare. Por, natyrisht gjërat kanë ndryshuar që nga shekulli i 19-të. Madje, publiku koncertin e Orës e ndoqi vetëm virtualisht.

Të enjten mbrëma ishte transmetimi premierë i koncertit të yllit botëror në të cilin interpretoi live në një performancë mahnitëse nga Kulla e Eiffelit në Paris. Krahas lokacionit, këtë koncert e bëri të veçantë edhe fakti se shënoi kthimin e artistes me një performacë live që nga fillimi i pandemisë.

Peizazhi piktoresk në sfond

Me këtë koncert Ora dëshmoi edhe një herë që është çdoherë gati për t’iu bashkuar iniciativave inovatore në skenën muzikore. Ora është e para artiste që në bashkëpunim me “Melrose Media” nisi serinë muzikore të titulluar “Iconic People in Iconic Places” (Njerëz ikonikë në vende ikonike). E gjitha u incizua gjatë “Paris Fashion Week”.

Koncerti “Rita Ora Live From The Eiffel Tower“ ishte një kaleidoskop i së kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes, pasi këngëtarja solli hitet e saj si: “Anywhere”, “Lonely Together” dhe “Let You Love Me”, bashkë me këngët nga EP-ja e saj “Bang”.

Image
Me këtë koncert Ora dëshmoi edhe një herë që është çdoherë gati për t’iu bashkuar iniciativave inovatore në skenën muzikore

Koncerti nuk e humbi dramaticitetin as në momente kur lihej hapësirë për pamjet nga qyteti a për t’u dhënë më shumë hapësirë valltarëve. Ndërlidhja bëhej në mënyrë të duhur edhe kur shfaqeshin copëza të xhirimeve të bëra gjatë përgatitjeve. Në çdo moment gjithçka ishte tejet glamuroze.

“Mezi po pres që të sjell energjinë e Parisit tek të gjithë ndjekësit e mi nga e gjithë bota. Do të jetë një natë që nuk do të harrohet”, kishte thënë Ora në rrjetet e saj sociale para se të niste performanca njëorëshe.

“Lajmi i fundit: Rita Ora në Paris”

“Lajmi i fundit: Rita Ora në Paris” është titulli me të mëdha i shkruar në një gazetë që Rita Ora po e lexon e veshur me të brendshmet dhe e rehatuar në një kolltuk. Më pas shfaqet duke shëtitur rrugëve të Parisit e për një moment mund të dëgjohet qartë së çfarë po thotë.

“Asnjëherë nuk kam bërë diçka të tillë më herët”, i thotë Ora dikujt me të cilin po realizon një video-lidhje nga kompjuteri. Pjesa tjetër është një spektakël muzikor hibrid pasi bën bashkë kohë të ndryshme të eksperiencës parisienë të Orës.

“Bang bang, look what you started, Bang, bang, straight to my heart, It skipped a beat, you feel like trouble (oh), Bang bang, baby I've got it, Bad, bad, look what you started, Oh my God, think I'm in trouble”, janë vargjet e para që i dëgjojmë të kënduara nga këngëtarja kosovare.

E nisi koncerti me këngën e saj “Bang” të lansuar në shkurt të këtij viti, që u konsiderua si fuqizim e promovim i rrënjëve të saj. Madje vetë videoklipi i këngës bëri bujë nëpër media për veshjen me elemente tradicionale shqiptare me të cilën është shfaqur këngëtarja.

Veç një varg i kësaj kënge mjaftoi për të treguar se performanca, që në fakt ishte një film më vete, ka filluar. Me xhirime nga afër, e më pas duke u fokusuar te lokacioni, u vunë në pah dy kryefjalët e këtij koncerti: Rita dhe Kulla Eiffel.

“Wow...” thotë gjatë koncertit Ora e lindur në Prishtinë, kur ngjitet në majë të Kullës, aty ku edhe xhiroi performancen e saj. “Nuk mund të shoh poshtë, është pak e frikshme”, dëgjohet të thotë këngëtarja, e cila bashkë me familjen, për shkak të situatës politike, lanë Kosovën në vitin 1991, për t’u vendosur në Britani. Pamjet që vijnë më pas tregojnë se ajo jo vetëm që lë pas frikën, por mësohet të përqafojë çdo pjesë të hapësirës duke e shndërruar monumentin historik në një shesh-xhirim. Sipas raportimeve të mediave të huaja, asnjëherë më parë nuk është dhënë një koncert në këtë hapësirë.

“Për këtë film kam dashur të krijoj një performancë që i përshtatet shpirtit të Parisit e që është një nga qytetet e mia të preferuara”, ka thënë Ora për “US Magazine”.

Image
Me xhirime nga afër, e më pas duke u fokusuar te lokacioni, u vunë në pah dy kryefjalët e këtij koncerti: Rita dhe Kulla Eiffel

Një pasarelë mode

Ajo u ka kushtuar kujdes, përveç muzikës, edhe rrobave e dukjes së saj duke e dërguar kështu performancën e saj në një nivel krejtësisht tjetër. Veçanërisht adhuruesit e modës do të donin të kishin qasje në dollapin e saj. Ora u shfaq me kostume të realizuara ekskluzivisht për të nga “Fendi”, “Miu Miu”, “Lanvin” dhe “Alexander Vauthier”. Performnca e saj mund të jetë një ndër më të shtrenjtat sa i përket këtij aspekti.

Për bukurinë e saj u kujdes linja “Lancôme”, që gërshetoi grimin e pamjes parisiene me stilin unik e personal të këngëtares.

Artistët e grimit i dhanë pamje galmuroze që tërhiqte vëmendjen, shpesh komplet të ndryshme. Fillimisht pamja e Orës ishte më shumë me ngjyra të forta të errëta dhe me sy të bërë me hije të rëndë. Më vonë ngjyra dominuese ishte rozë e lehtë dhe nuk mungonin xixat.

“Më pickoni!”

Kur përfundon koncerti askush nuk habitet me deklaratat e Orës, e cila e kishte përshkruar gjithë këtë koncert si një “performancë të paharrueshme, një moment ku kërkon të të pickojnë”.

“Të performosh në një vend të tillë është nder dhe të veshësh kostume të këtyre brendeve të njohura është një ëndërr”, ishte cituar të ketë thënë ajo në materialin promovues të koncertit.

Po aty Manuel Molina nga “Melrose Media” kishte thënë se nuk mund të mendonin një gjetje më të duhur sesa kjo për të filluar këtë seri muzikore. Kurse Amos Rozenberg nga e njëjta kompani ishte cituar të ketë thënë se ata kanë sjellë një formë të re të argëtimit.

“Një koncert live me yje që xhirohet në një vend ikonik, që transmetohet gjatë ‘Javës së Modës’. Një përzierje në mes të parapagimit-online dhe spektaklit ‘SVOD’ dhe ‘VOD’, një koncert me sponsorizim televiziv, një përfshirje e fuqishme e audiencës”. Më e lira biletë për qasje në koncert ka qenë 14 euro.

Koncerti përfundoi me këngën “Anywhere”, me pamjet e Orës dhe me grupin e saj të valltarëve që dërgonin puthje nga Kulla e Eiffelit.

Ana bamirëse

Dhjetë për qind e fitimeve nga ky koncert do të shkojnë për kampanjën “Soccer Aid” të UNICEF-it. Rita është një nga fytyrat kryesore të UNICEF-it që nga viti 2013 duke punuar me fëmijët refugjatë, kurse e mbështet kampanjën “Soccer Aid” qe dy vjet. Në vitin 2019 ajo është zgjedhur ambasadore e UNICEF-it. Ishte pikërisht kjo organizatë që e pati sjellë në Kosovë në vitin 2019. Kishte mbajtur fjalim në Prishtinë, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, në ngjarjen vjetore “Activate Talks” të UNICEF-it. Vizita treditore që këngëtarja ia bëri Kosovës në prill ishte përmbledhur në një dokumentar.

Image
Krahas lokacionit, këtë koncert e bëri të veçantë edhe fakti se shënoi kthimin e artistes me një performacë live që nga fillimi i pandemisë

“Unë u ktheva në vendin tim bashkë me UNICEF-in, sepse nuk kisha qenë aty për disa kohë. Nuk kisha qenë në ato vende ku shkova, e që ishin më keq sesa që e prisja. Vizitova shtëpi dhe fëmijë që nuk janë të arsimuar – dhe nëna të reja. Shkova atje për të parë se çfarë bën UNICEF-i, sepse ndonjëherë ti nuk i sheh fare rezultatet”, kishte thënë Ora, e cila tash e nëntë vjet është Ambasadore Nderi e Kosovës.

Në vendlindje pati ardhur edhe për 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ishte mysafirja kryesore e koncertit festiv dhe bëri që vëmendja e botës të kthehej nga shteti më i izoluar në Evropë. Kosovën e pati vendosur në qendër të mediave edhe në vitin 2012, kur incizoi videoklipin e këngës “Shine ya light”. Kënga ishte shndërruar në hit duke e mbajtur Orën në krye të toplistave.

Bujë të madhe pa dyshim do të nxisë edhe performanca e së enjtes mbrëma, e cila e dërgon Ritën edhe një shkallë me lart në skenën globale të muzikës. Të gjithë ata që nuk kanë pasur mundësi që ta shohin atë, e kanë akoma biletën pasi që koncerti tashmë është i qasshëm në “Apple TV”.

Album nga koncerti i Rita Orës

{gallery}