Vepra e saj është shembulli se si një arkitekt mund të ndihmojë në ringjalljen e një qyteti. Argjirë Krasniqi ka zgjedhur Janjevën, qytetin dikur të njohur për diversitet kulturor, i goditur keqas prej pasojave të luftërave në vitet ’90. Ekspozitën e saj për “Manifesta 14” e ka titulluar “Riun carnating Janjeva in Kosovo”, dhe “reinkarnon” mbi rrënoja. Por prezantimi i saj në katin e tretë të hotelin “Grand”, hap edhe shtigje të tjera
Në katin e tretë të hotelit “Grand”, arkitektja Argjirë Krasniqi, artistikisht ka zhvendosur një pjesë të trashëgimisë së qytezës së Janjevës. Përveçse për të kaluarën, vepra e saj zbërthen vizionin e së ardhmes së këtij vendi. Që në fillim, arkitektja Krasniqi e njofton publikun se është një qytezë multikulturore në Kosovë. Rrëfimi sipas saj është esencial për ta lidhur të kaluarën më të ardhmen. Para tyre, ajo shpalos projektin studimor se si t’i jepet një frymë e re “arkitekturave të luftës” të qytezës. Ndonëse qyteza ka humbur statusin e qytetit ajo në gjithë projektin e saj i referohet si qytet. Një atlas fotografik i vendeve të lira dokumenton qindra ndërtesat e braktisura në të. Në “Riun carnating Janjeva in Kosovo”, ajo “reinkarnon” mbi rrënoja teksa ka shpalosur edhe një pjesë të projekti të saj dhe punës së saj hulumtuese gati njëvjeçare. Kur e shpjegon jetën në Janjevë, Krasniqi e nis me tregimin se jo çdokush që e ka braktisur vendin, vendos të kthehet në të. Dhe ky është vendimi që kanë zgjedhur gjysma e popullsisë së Janjevës. Braktisja e qytezës që njihet për diversitetin kulturor, ku jetonin gjashtë nacionalitete, arrit kulmin në vitet e ’90 në kohën kur flakët e luftës ishin ndezur në Ballkan. Janjeva ndonëse e papërfshirë direkt në luftë – nuk numëron dëme nga ajo por pasoja që e kanë prekur tërthorazi. Më së shumti në të rëndon braktisja e vendit. Andaj, Krasniqi i flet pikërisht këtij fenomeni, duke prezantuar projektin e ringjalljes së kësaj qyteze 700 vjet të vjetër.
Nëpërmjet veprave artistike ajo prek aspekte të ndryshme të qytezës duke i trajtuar ato në aspektin ekonomik, social dhe arkitekturor. Me këtë, Krasniqi thekson se është përpjekur të japë një shembull se si arkitekti mund të ndihmojë në ringjalljen e një qyteti të pasluftës dhe se si mund të krijojë një ambient të përgjithshëm për kultura të ndryshme.
“Projekti tregon se si mund ta ngjallim qytezën e Janjevës, ku dihet së më shumë se 50 për qind e ndërtesave janë të braktisura dhe qyteza sidomos në shekullin e fundit ka përjetuar shumë trauma veçmas për shkak të aspektit ekonomik për shkak të luftërave të një pas njëshme që kanë ndodhur në tërë Ballkanin”, ka thënë ajo.

Krasniqi, e cila është e specializuar në arkitekturë të qëndrueshme ka publikuar edhe një libër që përmbledh hulumtimin për Janjevën.
Për projektin e saj, ajo ka punuar nga afër me të rriturit dhe fëmijët që jetojnë në Janjevë për t’i bërë kujtimet, dëshirat dhe imagjinatat e tyre bazën e strategjisë së saj të mëkëmbjes.
Skicat e vizatuara me dorë vizualizojnë ndërhyrjet e ndryshme minimale të konceptuara për t’i shëruar dhe rimëkëmbur shumë shkolla, shtëpi, kinema dhe hapësira të tjera pune e tubimi.
“Ka qenë shumë e rëndësishme për mua edhe t’i involvoj qytetarët që kanë lidhje me qytezën. Jam munduar të bëj sa më shumë intervista me gjenerata të ndryshme të cilët jetojnë akoma në Janjevë dhe me vizitorë që shkojnë që kanë treguar për çfarë qëllime shkojnë”, ka shpjeguar ajo.
Inspirimin kryesor për projektin, Krasniqi e ka marrë nga fëmijët e qytezës së Janjevës me të cilët ka realizuar tri punëtori në shkollën fillore të këtij qyteti. Sipas saj ëndrrat e tyre duhet të vihen në realitet në mënyrë që t’u jepet një arsye të qëndrojnë.
“Për mua ka qenë thelbësore t’i kuptoj ëndrrat e tyre në mënyrë që të bëhen të mundshme që ata të mund të rrinë në një të afërme pak më të largët”, ka thënë tutje arkitektja Krasniqi.
Ajo thotë se e ka tërhequr Janjeva për shkak të pozitës gjeografike dhe arkitekturës shumë të veçantë dhe për faktin që kjo është një qytezë që nuk ka përjetuar luftë direkte, ku asnjë banor nuk është vrarë dhe asnjë shtëpi s’është djegur. Por, luftërat e fundit e kanë ndikuar direkt vendin që dikur banohej nga gjashtë nacionalitete.
Ajo ka skicuar katër ndërtesa të braktisura dhe mënyrën e intervenimit në këto hapësira për t’i bërë ato të shfrytëzueshme. Po ashtu, ka bërë një skicë e cila e prezanton qytezën në tërësinë e saj. Aty prezanton gjithë strategjinë e ringjalljes së qytezës.

“Hapi i parë që propozoj të merret që të rikthehet në jetë Janjeva, është që Komuna të ketë të drejtë t’i shfrytëzojë hapësirat e braktisura për të mirë të përgjithshme, ta bëjë një analizë të këtyre hapësirave dhe atëherë individë të caktuar dhe organizata të shoqërisë civile të kenë të drejtën të aplikojnë në Komunë që t’i shfrytëzojnë ato hapësira për qëllime të tyre”, ka shpjeguar ajo. Në njërën prej skicave ajo ka shprehur gjithë planin e saj për ringjalljen e qytezës duke ilustruar gjithë hapat që duhen të merren. Komuna është e ilustruar si adresa që ndihmon në gjetjen e formave ndryshme të mbështetjes financiare për këtë hapësira. Në skicën kryesore të Krasniqit gjithçka jepet në detaje. Aty shpërfaqet një jetë dinamike brenda pjesëve të ndryshme të qytezës. Ish-shkolla sipas saj duhet të bëhet adresa kryesore për të rinjtë.
“Objekti kryesor që ofron trajnime për ata që duan të mësojnë një zanat të ri është ish-shkolla fillore që është edhe objekti i fundit që është braktisur në Janjevë në vitin 2004”, ka thënë ajo për KOHËN.
Sipas saj intervenimet në objekt duhet të tregojnë të gjitha shtresimet në të cilat objekti ka kaluar. Andaj ajo ka vendosur lloje të ndryshme të argjilës që e lidhin të kaluarën dhe të tashmen. Instalacioni prej argjilës, zallit dhe pigmentit tregon variante të ndryshme se si mund të jetë produkti final nëse përdoret një material i tillë në ndërtesa.
“Përveçse argjila ka ndikuar në ndërtimin e shumë objekteve funksionale, ajo ka ndihmuar edhe në zhvillimin e ideve në aspektin estetik si brenda hapësirave dhe jashtë”, ka shtuar ajo.
Argjirë Krasniqi e cila ndoqi studimet në Universitetin KU Leuven (Belgjikë), Universitetin Teknik të Vjenës (Austri) dhe në Universitetin e Prishtinës, ndër të tjera, është themeluese e organizatës jofitimprurëse “Ecocietystudies” e cila ka organizuar dhe implementuar një seri projektesh në bashkëpunim që nga viti 2014. Puna e saj është shfaqur dhe publikuar në vend dhe ndërkombëtarisht, duke përfshirë Pavijonin e Kosovës në edicionin e 17-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie kur vendi u prezantua me “C0ntainp0rary” kuruar prej Maksut Vezgishit, vitin e kaluar.
Ajo jeton dhe punon midis Prishtinës dhe Brukselit dhe tanimë është e angazhuar në një studio dizajni dhe projekte kërkimore mes këtyre dy vendeve.