Kulturë

“Rilindja” – ana tjetër e letërsisë shqipe në Kosovë

Fillet e saj kishin qenë më pak të lidhura me gazetarinë e mirëfilltë. Posi simotrat e veta në republika e krahina të tjera të ish-Jugosllavisë, edhe gazeta “Rilindja” filloi si organ që do të propagandonte vijën zyrtare të Partisë Komuniste.

Por, megjithatë, ajo do të rritej në vëllim dhe hapësirë: aneks i saj do të bëhej edhe ndërmarrja botuese, shtypshkronja dhe një armatë të punësuarish, nga gazetarë e deri te tipografë të thjeshtë, shkruan KOHA.

Një rrëfim për “Rilindjen” dhe letrarët që gjetën shprehje në të është ftillëzuar nga poetja dhe studiuesja Ervina Halili, në diskutimin “Ndikimi i Rilindjes në letërsinë shqipe” të mbajtur pasditen e së premtes në mjediset e Qendrës “Libart” në Prishtinë.

E zhytur prej vitesh në arkivimin e historive në të dikurshmen “Rilindja”, Halili ka folur për ngacmimin që e kishte shtyrë drejt këtij projekti.

Privatizimi i objektit në Prishtinë kishte qenë uvertura e shkatërrimit të gjithë pjesës arkivore. Kur Ministria e Administratës Publike ishte vendosur aty, një pjesë e arkivit ishte hedhur në bodrum.

“Kam ndier keqardhje më së shumti për shkrimtarët që ishin pjesë e gazetës dhe përjetimin e rëndë që patën kur u shkatërrua i gjithë ky arkiv”, ka treguar ajo. Një pjesë e madhe prej tyre, që kanë ndërruar jetë viteve të fundit, e kishin pasur madje të vështirë edhe të kalonin përballë objektit me nam.

Halili, e cila është edhe autore e dokumentarit “N’Rilindje”, ka thënë se e ka studiuar “Rilindjen” vetëm si proces historik e social gjatë një periudhe represive, siç ishte ajo nën Jugosllavinë socialiste.

“Studimi i ‘Rilindjes’ nuk është vlerësim, por nevojë për t’i kuptuar rrethanat historike, kulturore e sociale pas Luftës së Dytë Botërore”.

Një komponent qenësor i “Rilindjes” do të bëhej profili i saj si gazetë dhe shtëpi botuese, që, sipas saj, arriti të ruajë identitetin dhe memorien e kulturës shqiptare.

Shumë shkrimtarë e letrarë të rinj në Kosovën e pasluftës së Dytë Botërore do t’i merrnin hapat e parë mu në “Rilindje”.

Për Halilin, letërsia e re në Kosovë nuk duhet konsideruar si e ndarë, por si pjesë integrale e letërsisë shqipe që nisi qysh në shekullin e pesëmbëdhjetë.