Prishtinë, 19 nëntor – Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venecias është rihapur të hënën për vizitorët. Për disa ditë, ashtu si krejt ngjarja e madhe e artit botëror qe mbyllur pas vërshimeve në qytet.
Këtë vit në edicionin e 58-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie, Kosovën e ka prezantuar artisti Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). Muja ka thënë se Pavijoni i Kosovës nuk ka pasur ndonjë dëmtim. Sipas tij, çdo gjë është gati për këtë javë të fundit. Madje këto ditë Muja do të udhëtojë në Venecia për të qenë pjesë e ceremonisë përmbyllëse, më 24 nëntor. Siç ishte paralajmëruar më parë, “Albumi familjar” vitin e ardhshëm do të zhvendoset edhe në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoBienalja e Venecias përmes një njoftimi për media kishte bërë të ditur më 13 nëntor se ishte mbyllur. E njëjta kishte rihapur dyert më 14 nëntor. Atë ditë deri në mesditë, rreth orës 12:00, sipas të dhënave zyrtare, Bienalen e kishin vizituar rreth 1 mijë e 300 persona. Mirëpo që atëherë disa pavijone qëndrojnë të mbyllura. Pavijoni i Kosovës është rihapur të hënën e sot, sipas faqes zyrtare të Bienales, pritet që të rihapen edhe Pavijoni i Bosnjë-Hercegovinës, i Irlandës, Pakistanit dhe Republikës së San Marinos.
Tri fotografi të shkrepura në kohë lufte, katër personazhe dhe një përjetim personal i artistit Alban Muja përthekojnë veprën “Family Album”. Fotografitë e videoinstalacionit të tij janë të realizuara para dy dekadash. Ajo e nënës Sherife Luta me vajzën e saj në krah, Besën, atëherë foshnjë, e babait të përlotur Xajë Mustafa, që mban në dorë fotografitë e dy fëmijëve të tij, Besimit dhe Jehonës, për të cilët nuk e di se a janë gjallë, dhe ajo e djaloshit mes telave gjemborë, Agim Shalës, të cilin e bartin familjarët nga njëra anë në tjetrën. Besa, Besimi, Jehona dhe Agimi në videoinstalacion tregojnë përjetimet e tyre dhe të familjes. Si pikënisje të projektit artistik, artisti ka pasur një fotografi të veten si refugjat, në të cilën shihet në afërsi të ish-kryeministrit spanjoll, Jose Maria Aznar.
Edhe shtatë ditë kanë mbetur deri në mbylljen e edicionit të 58-të të Bienales së Venecias që ishte hapur më 9 maj. Muja ka thënë se janë informuar se gjendja në Arsenale, ku gjendet Pavijoni i Kosovës, por edhe në qytet është përmirësuar.
Artisti 39-vjeçar ka folur edhe për shpalosjen e “Albumit familjar” në Prishtinë, të cilën e kishte bërë publike më 24 shtator, kur ishte bërë promovimin i katalogut të Pavijonit të Kosovës.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)