Me një vepër që rikthen imazhet e fuqishme të luftës – të tilla që u shpërndanë gjithandej nëpër media botërore dhe u bënë sinonim i dhimbjes dhe i sakrificës së refugjatëve – Kosova i është përgjigjur sfidës së kuratorëve që Bienalen e Venecias për vitin 2019 e kanë realizuar rreth temës “May you live in interesting time” (Të rroni në kohë interesante).
Tri fotografi të shkrepura në kohë lufte, katër personazhe dhe një përjetim personal i artistit Alban Muja i kanë dhënë zë një hapësire të zymtë, në skaj të hapësirës ekspozuese në Arsenale të Venecias, shkruan sot Koha Ditore.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë vendin e rezervuar për Pavijonin e Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohorë, në formën e videoinstalacioneve zbërthehen prapaskenat e tri imazheve më të fuqishme që u bënë sinonim i dhimbjes së refugjatëve në luftën e viteve 1998-1999.
Muja, i cili është zgjedhur ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në ngjarjen e madhe të artit pamor, pikënisje të projektit artistik ka pasur një fotografi të veten si refugjat, në të cilën shihet në afërsi të ish-kryeministrit spanjoll, Jose Maria Aznar.
Videoinstalacioni “Family Album” (Albumi familjar) i shpalosur në ekspozitën ndërkombëtare të artit “La Biennale di Venezia” bazohet në tri fotografi rrëqethëse, të realizuara para dy dekadash, por që në memorien kolektive vazhdojnë të jetojnë.
Ajo e nënës nga Kosova me foshnjën në duar, u pa gjithandej nëpër mediat më me nam nëpër botë, dhe nëna Sherife Luta me vajzën e saj u shndërruan në simbol të luftës e sakrificës. Jo më pak e njohur është fotografia e babait të përlotur që mban në dorë fotografitë e dy fëmijëve të tij, për të cilët nuk e di se a janë gjallë, dhe ajo e djaloshit mes telave të hekurt, të cilin e bartin familjarët nga njëra anë në tjetrën.
Delegacionit të madh të Kosovës në parahapjen për vizitorë iu bashkua edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili e ka falënderuar Mujën që nëpërmjet veprës së tij e ka sjellë në vëmendje një pjesë të realitetit kosovar.
Më 2013 Kosova u përfaqësua me artistin Petrit Halilaj, i cili kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Halilaj kishte ndërtuar një fole me thupra të eksportuara nga Kosova. Kësisoj, ai vizitorëve ua krijonte ndjenjën e izolimit. E më 2015-n, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër).
Sivjet janë 90 shtete që përfaqësohen me pavijonet e tyre, përderisa ekspozita kolektive shpalos veprat e 79 artistëve...(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")