Kulturë

“Ri-imagjinimi i bashkëpunimeve...” zbërthen sfidat e kulturës në pandemi

Në kohën kur pandemia ka goditur vendin, organizatat kulturore janë duke u munduar që ta mbajnë gjallë shpirtin artistik brenda komuniteteve të tyre. Në këtë kohë të paprecedentë shumica prej tyre janë duke e shfrytëzuar internetin për ta kaluar këtë situatë sa më lehtë bashkë me komunitetin e tyre. Mirëpo, hapësira virtuale është krejtësisht ndryshe nga ajo fizike, në të cilën ishin mësuar që të funksionin.

Situata e re dhe shfrytëzimi i platformave po vënë në pikëpyetje demokracinë brenda hapësirës virtuale, por edhe transformimin që mund të pësojë kultura e cila tani publikut po i servohet vetëm përmes videove dhe jo si një përjetim i drejtpërdrejtë. Një diskutim mbi këto pika është fokusuar edhe në kuadër të “DokuTalks”.

“Ri-imagjinimi i bashkëpunimeve kulturore” përmbylli cikin e diskutimeve që po mbahen në kuadër të “DokuFestit”. Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, pikërisht për shkak të pandemisë, u detyrua që ta mbajë online edicionin e 19-të.

Diskutimi i së mërkurës u moderua nga Bertan Selimi, redaktor, kurator dhe konsultant arti. Selimi punon aktualisht si udhëheqës i “Grants and Collaborations” në “Prince Claus Fund” në Amsterdam. Panelistë ishin Pooja Sood, drejtoreshë e organizatës joqeveritare “Khoj International Artists Association”, Hanna Tsyba, kuratore e pavarur, kritike arti dhe hulumtuese, Consuelo Bassanesi, drejtoreshë artistike e organizatës joqeveritare “DESPINA”, dhe Linda Llulla-Gashi, drejtoreshë ekzekutive e “DokuFestit”.

Sipas Pooja Soodit, e cila është edhe bashkëthemeluese e organizatës joqeveritare indiane “Khoj International Artists Association”, pandemia ka theksuar anët pozitive dhe ato negative të internetit. Organizata u dedikohet arteve vizuale.