Kulturë

“DokuFest” në mision për mbështetje të kineastëve e shkëmbime kulturore

Ka kohë që “DokuFest” ka tejkaluar kufirin e të qenit përgjegjës vetëm për realizimin e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër. Inkurajimi i tregimtarëve të rinj për të vizualizuar rrëfimet e tyre janë veç një anë e tij, shkëmbimi kulturor një tjetër. Në muajt e ardhshëm punë do t’u dalë në të dy këto fusha. Kanë hapur thirrjen për punëtori për krijimin e dokumentarëve dhe atë për edicionin e dytë të kampit ndërkulturor “How do I see you?”.

Punëtoria është pjesë e programit të edukimit të filmit të “DokuFestit”, dhe ofron mjete dhe njohuri për tregimtarët e rinj që janë të interesuar për krijimin e filmave dokumentarë kreativë mbi temat e të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike. Punëtoria pritet të mbahet nga dhjetori i këtij viti deri në mars të vitit të ardhshëm.

Në anën tjetër, “How di I see you?” bën bashkë 20 të rinj nga Kosova dhe Serbia, nga 18 deri në 25 vjeç. Kampi do të mbahet në Kosovë dhe përfshin vizita në Prizren, Prishtinë, Pejë, Gjakovë dhe Mitrovicë. Pritet të mbahet nga 28 nëntori deri më 5 dhjetor.

“Aktivitetet e këtij programi shkëmbimor kanë për qëllim që të bëjnë të rinjtë së bashku përmes punës dhe bashkëpunimit, si dhe pjesëmarrësit do të marrin pjesë në ligjërata, diskutime dhe do të vizitojnë monumentet e trashëgimisë kulturor”, është shkruar në njoftimin e publikuar nga “DokuFesti”.

Eroll Bilibani, drejtues i “DokuLabit”, ka treguar se këtë vit bëhen 10 vjet që nga programi i parë për zhvillim të talenteve të reja të “DokuFestit”.

“Ëndrra jonë që nga atëherë ishte që përmes programeve të vogla që zbulojnë talente të reja, të krijojmë edhe kapacitetet vendore në industrinë e filmit, me fokus të veçantë në prodhimin e filmave dokumentarë kreativë. Gjatë kësaj dekade ne kemi arritur ta ndiejmë potencialin krijues te të rinjtë dhe vazhdimisht kemi insistuar në programe të tilla”, ka thënë ai. Kjo nuk ishte e lehtë. Bilibani ka thënë se filmi asokohe, për shumicën e donatorëve dhe të institucioneve, është parë më shumë si një luks apo si një hobi sesa një potencial me të cilin mund të zhvillohet diplomaci kulturore për promovimin e shtetit të ri, me një potencial të jashtëzakonshëm kulturor.

“Pikërisht 10 vjet më parë, me 6 filma shumë të veçantë të prodhuar nga programi ynë 'Tregimet nga Skajet e Kosovës' ne shkuam ta prezantojmë potencialin kinematografik të Kosovës në Winterthur të Zvicrës. Ishte ky viti i njëjtë kur Blerta Zeqiri me filmin 'Kthimi' triumfoi në festivalin e madh ‘Sundance’ dhe e kthej vëmendjen e krejt botës nga Kosova”, ka vijuar tutje ai.

Ka kujtuar se filmat e parë ishin prodhim i një iniciative të financuar përmes një projekti të Bashkimit Evropian, që sipas Bilibanit e panë potencialin e filmit për të adresuar çështje komplekse. E për “DokuFestin” ka thënë se ishte hyrja në një rrugëtim që na i kaploi zemrat dhe na ballafaqoi me një numër tepër të madh të talenteve dhe të krijuesve që na frymëzuan dhe siguruan që jemi në rrugën e duhur.

“Sot, ne vazhdojmë me e përcjellë atë ëndërr të hershme në gjetjen dhe zhvillimin e talenteve të reja. Brenda këtyre 10 vjetëve kemi parë që shumica e pjesëmarrësve në punëtoritë tona kanë adresuar temën e të drejtave të njeriut dhe konceptet krijuese kanë qenë të përqendruara në promovimin e vlerave demokratike. Kjo na ka ndihmuar shumë në zhvillimin dhe përmirësimin e programit edukativ duke eksperimentuar, si me qasje ashtu edhe me ligjërues”, ka thënë ai. Ligjërues në punëtoritë e tyre ishin filmbërësit eminentë, si James Longley e Mohsen Makhmalbaf e në disa punëtori kishin bashkëpunuar edhe me Richard Pearce dhe Lynzee Klingman.

“Për ne në ‘DokuFest’ është shumë e rëndësishme që ky transferim i diturisë nga mjeshtrit më të mëdhenj te të rinjtë që janë të interesuar, kanë potencial dhe guxojnë të përkthehet në filma unikë, me një stil të veçantë me të cilin Kosova dallohet”, ka thënë ai. Sipas tij, ky është pikërisht qëllimi i punëtorive të reja të cilat do të organizohen në kuadër të programeve të departamentit “DokuLab”, që është krijuar enkas për edukimin dhe zhvillimin e gjeneratave të reja të kineastëve kosovarë.

“Punëtoritë tona kanë qëllim krijimin e një hapësire që lejon lirinë e shprehjes dhe eksperimentimin me kinemanë. Nëse eksperimentimi dështon, atëherë mësojmë nga gabimet dhe i përmirësojmë qasjen dhe metodologjinë për gjenerata të reja”, ka thënë ai.

Ka potencuar se në punëtoritë e tyre hapat e parë në film i kanë bërë Norika Sefa, Leart Rama, Edin Alija, Gorana Jovanovic, Baris Karamuco dhe shumë filmbërës e artistë të rinj.

“Formula e suksesit të qasjes së ‘DokuFestit’ ka bërë që në këtë rrugëtim të gjejmë mbështetjen e misionit të OSBE-së në Kosovë dhe që bashkërisht ta përdorim potencialin e filmit në trajtimin e temave komplekse duke u fokusuar në të drejtat e njeriut, që janë shumë të brishta jo vetëm në Kosovë. Me misionin e OSBE-së, ‘DokuFest’ po ashtu angazhohet në ngritjen e kapaciteteve të mësimdhënësve për edukim mediate”, ka thënë Bilibani.

Sa i përket punëtorisë, “DokuFest”, në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Kosovë, po fton të gjithë entuziastët e rinj të filmit të moshës 18 deri në 25 vjeç, nga zonat gjeografike që mbulohen nga misioni i OSBE-së në Kosovë dhe në Serbi, të aplikojnë për punëtoritë për krijim të filmit në Prizren.

Filmat e realizuar gjatë punëtorisë do të shfaqen në edicionin e 21-të të “DokuFestit” në gusht të vitit të ardhshëm. Kampet do të udhëhiqen nga kineastë me përvojë dhe ndihmohen nga profesionistë ndërkombëtarë të filmit, të cilët do të mbajnë masterklasa dhe punëtori gjatë kampit të paraproduksionit, dhe do të asistohen nga redaktorët e filmit me përvojë gjatë kampit të pasproduksionit.

Thirrja është e hapur për të rinjtë dhe të rejat e moshës 18 deri në 25 vjeç, që vijnë nga zonat gjeografike të mbuluara nga misioni i OSBE-së në Kosovë dhe në Serbi.

Të gjitha shpenzimet e pjesëmarrjes në punëtoritë, përfshirë transportin, ushqimin, pijet freskuese, si dhe akomodimi, do të mbulohen nga organizatori. Aplikuesit duhet të plotësojnë pyetësorin i cili gjendet në ueb-faqe dhe në mediat sociale të misionit të OSBE-së në Kosovë dhe “DokuFestit më së voni deri më datën 10 nëntor 2021.

Kurse për t’u bërë pjesë e kampit ndërkulturor “How do I see you?” konkursi është mbyllur të dielën. Aplikuesit duhet të jenë të pranishëm fizikisht gjatë kampit, si dhe të kenë njohuri për gjuhën angleze.

Projekti është mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe implementohet nga “DokuFesti”, “Foundation Fund B92” dhe “Free Zone Film Festival” nga Serbia. Nga edicioni i parë ishte realizuar një ekspozitë virtuale, e cila më pas ishte prezantuar në kuadër të “DokuFestit”. Organizatorja e “DokuFestit”, Zana Arapi-Xheladini, kishte treguar atëherë për KOHËN se qëllimi kryesor i ekspozitës kishte qenë rrënimi i narracioneve të gabuara për popujt të cilët kanë dalë nga lufta.