Në shënim të 90-vjetorit të lindjes, studiues nga mbarë trevat shqiptare janë bashkuar për të paraqitur pikëpamjet dhe studimet e tyre në raport me veprën letrare, studimore e publicistike të akademik Rexhep Qosjes. Profili i tij është kundruar nga prizmi i studiuesit, shkrimtarit, udhëheqësit institucional, mendimtarit e politikanit. Në ditën e parë të konferencës dyditore shkencore, trashëgimia e akademik Qosjes është parë nga studiues të shumtë si vepër e një dijetari në shërbim të dijes dhe kombit. Është cilësuar si figurë e tejkohshme
Si figurë poliedrike, dija e të cilit ka çuar kulturën shqiptare në një tjetër nivel, është përshkruar Rexhep Qosja në ditën e parë të konferencës shkencore “Rexhep Qosja – figurë shumëplanëshe e kulturës shqiptare”. Në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës, ku punoi e të cilin edhe e drejtoi për një kohë, trashëgimia e akademik Qosjes është parë nga studiues të shumtë si vepër e një dijetari në shërbim të dijes dhe kombit.
Në shënim të 90-vjetorit të lindjes, studiues nga mbarë trevat shqiptare janë bashkuar për të paraqitur pikëpamjet dhe studimet e tyre në raport me veprën letrare, studimore e publicistike të akademik Qosjes, i cili vdiq në prill të këtij viti, në moshën 89-vjeçare. Profili i tij është kundruar nga prizmi i studiuesit, shkrimtarit, udhëheqësit institucional, mendimtarit e politikanit.
Në hapje të konferencës, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Fadil Grajçevci, ka thënë se kjo konferencë shkencore ka për qëllim të ndriçojë me argumente shkencore veprën studimore, artistike, kulturore e shoqërore të njërit prej studiuesve dhe krijuesve më me ndikim në zhvillimet letrare shqiptare, e po ashtu veprën e njërit prej mendjeve më brilante të mendimit intelektual shqiptar.
“Kur kujtojmë profesorin tonë, akademikun Rexhep Qosja, kujtojmë një jetë të tërë të shkrirë në shërbim të dijes dhe të kombit. Ai ishte një figurë që nuk pranoi kurrë kompromisin me mediokritetin dhe nuk u lodh kurrë së shkruari, së studiuari dhe së ngrituri zërin për çështjen shqiptare. Në personalitetin e tij u bashkuan në mënyrë të rrallë: kritiku letrar, teoricieni e historiani i letërsisë, romancieri e dramaturgu, eseisti, dokumentaristi, veprimtari politik, publicisti e polemisti”, ka thënë ai. Sipas Grajçevcit, studimi i veprës së Rexhep Qosjes, për shkencën shqiptare do të ketë rëndësi të veçantë, sepse bëhet fjalë për një vepër kushtuar vlerave më përbashkuese të shqiptarëve: gjuhës, letërsisë, trashëgimisë shpirtërore, kulturës, shkencës, jetës politike e shoqërore dje, sot dhe nesër.
“Pra, kur flasim për Rexhep Qosjen, flasim për një figurë që nuk pranoi kurrë të kufizohej brenda një kornize të vetme”, ka thënë ai. Midis të tjerash ka shtuar se Rexhep Qosja, nga shumë studiues të veprës së tij, i quajtur edhe rilindës i mirëfilltë për kulturën shqiptare, me emrin e të cilit lidhen shumë aspekte të zhvillimit në fushën e shkencave albanologjike, të arsimit kombëtar dhe të jetës kulturore dhe shoqërore, paraqet një fenomen të veçantë në kohën kur krijoi.
“Ai, që kur ishte student në Katedrën e Albanologjisë të Fakultetit Filozofik në Prishtinë, u dallua midis studentëve të tjerë të brezit të tij. Kërshëria e gjerë dhe etja për dije dhe kulturë, e shpërfaqur që në vitet e para të formimit të tij si intelektual, nuk do t’i shuhet deri në fund të jetës, kurse disiplina e lartë në punë, thellësia e hulumtimit, saktësia e të vërejturit të çështjeve thelbësore, rreptësia e gjykimit të drejtë, guximi për ta pohuar të vërtetën, pa marrë parasysh pasojat, dhe virtytet e tjera, që e stolisin intelektualin e mirëfilltë, do ta karakterizojnë çdo kontribut të tij shkencor, artistik, kulturor e intelektual”, ka thënë Grajçevci.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, e ka përshkruar Qosjen si një dijetar me kontribut të tejkohshëm.
“Përmes mendimit, veprës dhe kontributit të tij akademik, Qosja i përket personaliteteve, trashëgimia intelektuale e të cilëve mbetet gjatë në kohë dhe breza të shumtë”, ka thënë ai.
Kurse Valter Memisha, drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, ka folur për Qosjen në raport me gjuhën shqipe. Ka thënë se ai qe mbrojtës i standardit gjuhësor.
“Delegat në Kongresin e drejtshkrimit, ai e vlerësoi kongresin dhe ka qenë mbrojtës i vendosur i standardit. Ka këmbëngulur për ruajtjen e pastërtisë dhe pasurimin e shqipes”, ka thënë ai.
Studiuesja e gjuhës dhe, njëkohësisht, e veprave të Qosjes, Shefkije Islamaj, ndër të tjera, ka folur për pasurimin që i ka bërë Qosja gjuhës dhe letërsisë shqipe.
“I ka sjellë letërsisë shqipe dhe përvojës sonë letrare pasurim në shumë drejtime, në përmbajtje, në ide, në teknikë, në organizimin letrar dhe gjuhësor. Në romanet e tij, shkrimtari Rexhep Qosja ka ngritur në kult artin, shprehjen e pasur gjuhësore dhe estetike”, ka thënë ajo.
Profesori universitar, shkrimtari e studiuesi i letërsisë, Agim Vinca, ka folur për Qosjen si figurë poliedrike. Është ndalur edhe te kontributi i tij në organizimin e jetës shkencore.
“Me punën e tij shumëvjeçare në organizimin e jetës shkencore dhe të studimeve letrare në Kosovë, mund të quhet lirisht themelues i një shkolle të studimit të letërsisë ndër ne. Të shkollës që mbështetet në koncepte teorike e metodologji moderne, por pa hequr dorë prej traditës pararendëse”, ka thënë Vinca.
Mysafirët e konferencës dyditore gjatë ditës së parë kanë vizituar edhe atë që është zyra-muze e akademik Qosjes në ambientet e Institutit Albanologjik. Zyra e tij qe në katin e njëjtë me atë të sallës së konferencave. Aty ruhen tavolina e tij e punës e po ashtu e pritjes së mysafirëve. Hapësirat këto ditë janë pasuruar edhe me gjësendet personale e dorëshkrime të sjella nga shtëpia e akademik Qosjes. Janë renditur veprat e përkthyera në disa gjuhë. Po ashtu edhe mjete të punës, si makina e shkrimit, syzet, lapsa, shënime që ka mbajtur kohë pas kohe e gjëra të tjera. Këto ditë, zyra duket si një pavijon muzeu i një shkrimtari e studiuesi.
Pas vizitës, studiuesit i janë kthyer Konferencës ku kanë paraqitur studimet e tyre për Qosjen.
Përderisa historiani Paskal Milo është ndalur te kujtimet për Qosjen në kohën e luftës në Kosovë më 1998-1999, botuesi Fatmir Toçi e ka përshkruar akademikun si mik e botues i tij. Historiani Pëllumb Xhufi, nëpërmjet kumtesës “Rilindja Kombëtare, zgjedhja e jetës e Akademik Rexhep Qosjes”, ka thënë se Qosja është shkrimtari, studiuesi, publicisti e veprimtari shoqëror dhe kombëtar ndër më të shquarit, më të mprehtit dhe më kurajozët që bota shqiptare ka arritur të nxjerrë prej viteve ’60 të shekullit të kaluar.
“I pajisur me një erudicion të rrallë, me metoda, koncepte e teknika moderne në analizat shkencore të krijimtarisë letrare, akademik Qosja ka sjellë frymë e ka hedhur dritë të re dhe origjinale mbi proceset e jetës letrare, kulturore dhe mendore të popullit shqiptar. Epoka fatlume e Rilindjes Kombëtare ka qenë objekti i preferuar i interesit shkencor të akademik Qosjes”, ka thënë akademik Xhufi. Sipas tij, falë analizave të mprehta gjithëpërfshirëse, akademik Qosja ka rrokur thelbin dhe rëndësinë ekzistenciale të asaj periudhe historike, kombformuese e shtetformuese, ka skalitur në mënyrë mjeshtërore profilet e përfaqësuesve më domethënës të saj.
E historiani Qerim Lita nëpërmjet kumtesës “Rexhep Qosja, mbrojtës i çështjes shqiptare në Maqedoni” ka folur për periudhën e viteve ’80, kur Qosja qe prej atyre që ngriti zërin kumbueshëm kundër diskriminimit të shqiptarëve në atë që asokohe qe Republika e Maqedonisë në kuadër të ish-Federatës së Jugosllavisë.
“Rexhep Qosja sikurse edhe një plejadë e intelektualëve shqiptarë të Kosovës, zhvilloi një veprimtari të dendur shkencore e informative në mbrojtje të çështjes shqiptare në këtë ish-Republikë jugosllave. Ai gjatë viteve 1986-1989 qe shumë aktiv edhe në shtypin e kohës jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në atë kroate dhe sllovene”, ka thënë Lita.
Në programin e ditës së parë të Konferencës qenë edhe Nail Draga me kumtesën “Çështja shqiptare preokupim kombëtar e intelektual”, Ag Apolloni me kumtesën “Risemantizimi i baladës ballkanike nga Rexhep Qosja”, Sadik Mehmeti me kumtesën e “Arkivi dhe arkivisti në optikën e Rexhep Qosjes: ndërmjet kujtesës, dokumentit dhe përgjegjësisë historike” dhe disa studiues të tjerë. Në program për ditën e dytë të Konferencës janë 28 studiues duke e çuar numrin e pjesëmarrësve në mbi 50 veta. Veprimtaria shkencore e letrare e Qosjes, sipas studiuesve, është një univers kërkimi.
I lindur më 25 qershor të vitit 1936 në Vuthaj të Malit të Zi, akademik Rexhep Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane, drama dhe publicistikë. Ai, ndër të tjera, është edhe laureat i çmimit “Pjetër Bogdani”, i dekoratës “Nderi i Kombit” dhe i çmimit “Letërsia Shqipe”.
“Mbrojtja e Institutit – amaneti i Qosjes”
Nisma e Qeverisë së Kosovës që Instituti Albanologjik i Prishtinës të futet në kuadër të Universitetit të Prishtinës ka nxitur reagim edhe në konferencën shkencore kushtuar veprimtarisë së akademik Rexhep Qosjes. Qeveria e ka finalizuar programin për racionalizimin e agjencive, me të cilin parasheh që një numër sish të hyjnë nën kupolën e institucioneve të tjera.
“Propozimi i miratuar në grupin punues dhe i dakorduar me Ministrinë është që Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Historisë ‘Ali Hadri’ të integrohen në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, si institute kërkimore-shkencore në nivel qendror të Universitetit”, shkruhet në Programin për Racionalizimin e Agjencive. Kjo nismë është kundërshtuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës. E po ashtu edhe nga ai i historisë, “Ali Hadri”.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Fadil Grajçevci, ka thënë se këtë informacion e kanë marrë nga mediat dhe s’janë konsultuar fare.
“Ky lajm, mbase do t’ia ketë lëvizur paksa eshtrat profesorit që po prehet në Kodrën e Arbërisë, sepse amaneti i tij për ta mbrojtur, ne brezat pas tij, Institutin nga ndikimet e politikave ditore dhe interesat klanore e ideologjike afatshkurtra, siç ishin ato të kohës së shërbëtorëve të Daxnerit, në vitet e para të pasçlirimit të Kosovës, pastaj ato të vitit 2007, kur Institutit, në emër të disa reformave deshën t’ia ndryshojnë fushëveprimtarinë, madje edhe duke ia ndaluar profesorit hyrjen në Institut, kurse tash duke ia cunguar autonominë me integrimin e tij në kuadër të Universitetit të Prishtinës, mund edhe të mos përmbushet”, ka thënë Grajçevci në fjalën hapëse të Konferencës.