Kulturë

“Rexhai Surroi” për peshën dhe përgjegjësinë e fjalës së shkruar

rexhaii

Grupi KOHA e ka vazhduar traditën e ndarjes së shpërblimeve vjetore për gazetari të shkruar dhe letërsi. Themeluesit bashkë me mysafirë të shumtë, të hënën në Prishtinë, janë mbledhur për të 18-n herë për të vazhduar traditën e nisur jo veç për të nderuar gazetarët e shkrimtarët, po edhe për të vlerësuar fjalën e shkruar (Foto: Driton Paçarada)

Ceremonia tashmë e shndërruar në traditë nuk është thjesht shpërblim për gazetarinë e shkruar e letërsinë: është kujtesë për peshën dhe përgjegjësinë e fjalës në një kohë kur s’e kap algoritmi i botës virtuale që merr frymë te vrapi për vëmendje. Vlerë Mehmeti e KOHËS dhe Agon Sinanaj i “Buletinit ekonomik” kanë marrë shpërblimin “Rexhai Surroi” për gazetari, Granit Zela me romanin “Përmbytja” atë për letërsi, e në po këtë ceremoni është përuruar libri “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës 1843-2018” i Skënder Latifit, i cilësuar si vepër monumentale

Raportimi që nxjerr në pah monopolin për bartjen e energjisë elektrike e tregtinë në këtë industri që ndikon drejtpërdrejt te faturat e shfrytëzimit të këtij produkti, bashkë me atë që shpërfaq se si personat me aftësi të kufizuara s’marrin as kujdesin bazik pavarësisht buxhetit të shpenzuar, janë fituesit e shpërblimit për gazetari të shkruar “Rexhai Surroi” për vitin 2025. Ndërsa vepra letrare që flet për qytetin nëpërmjet individëve që e përbëjnë atë si bashkësi, ka marrë shpërblimin për letërsi që po ashtu mban emrin e gazetarit, shkrimtarit e diplomatit, Rexhai Surroi.

Gazetarët Agon Sinanaj e Vlerë Mehmeti bashkë me shkrimtarin Granit Zela janë laureatët e sivjetmë.

Grupi KOHA e ka vazhduar traditën e ndarjes së shpërblimeve vjetore për gazetari të shkruar dhe letërsi. Themeluesit bashkë me mysafirë të shumtë, të hënën në Prishtinë, janë mbledhur për të 18-n herë për të vazhduar traditën e nisur jo veç për të nderuar gazetarët e shkrimtarët, po edhe për të vlerësuar fjalën e shkruar. Në këtë edicion është promovuar edhe libri studimor i Skënder Latifit, “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës 1843-2018”.

Në fillim të ceremonisë, themeluesi i Grupit KOHA, Veton Surroi, derisa u është drejtuar të pranishmëve, ka folur për informacionin e sotshëm që varet nga algoritmi dhe se si pesha qëndron te vëmendja e jo te përgjegjësia (Foto: Driton Paçarada)

Përballë një hapësire ku “gjithçka matet me vëmendje dhe asgjë me përgjegjësi”

Në fillim të ceremonisë, themeluesi i Grupit KOHA, Veton Surroi, derisa u është drejtuar të pranishmëve, ka folur për informacionin e sotshëm që varet nga algoritmi dhe se si pesha qëndron te vëmendja e jo te përgjegjësia. Ka rrëfyer se si një personi që e kishte afër para më shumë se njëzet vjetëve, i kishte vdekur e ëma. Ka treguar se nuk shkoi në varrim e as për ngushëllime pasi nuk dinte gjë dhe se lajmin e mori vesh pas nëntë muajsh.

“Arsyeja e parë dhe e natyrshme ishte largimi shumëvjeçar mes meje dhe personit të cilit i vdiq nëna; do të bëhen gati njëzet vjet që kemi humbur kontaktin normal – jo atë intensiv të cilin e kishim e që bënte të dëgjoheshim e shiheshim disa herë në ditë, por një normal, në të cilin do të komunikonim një herë në aq sa të definojmë se është normale”, ka thënë ai. Sipas shkrimtarit e publicistit, është vështirë të përcaktohet se çka është shkalla e komunikimit që do të quhet normale në periudhën e “Facebookut” e medieve të tjera sociale.

“Algoritmi nuk më ka treguar se i ka vdekur nëna një personi të cilin unë duhet ta ngushëlloja në varrim për arsye të thjeshtë se ai person jeton në një botë tjetër algoritmike, me miqtë e tij virtual, me afinitetet politike, kulturore e të tjera që nuk e sjellin afër botës sime algoritmike”, ka thënë Surroi. Sipas tij, shoqëria tash ka kaluar prej jetës në hapësirë publike fizike në jetë të hapësirës publike virtuale. Ka shpjeguar se në botën virtuale ndodh të dihet shumëçka, por jo gjithherë të dihet për atë që njerëzit përgjegjësi. Sipas tij, kjo ndodh jo se shoqëria është bërë më pak njerëzore, por sepse ka pranuar, shpesh pa e vënë re, që një pjesë e marrëdhënieve t’i delegohen algoritmit.

“Algoritmi na informon, por nuk na obligon. Na tregon çfarë është e re, por jo çfarë është e rëndësishme. Dhe morti, si ngjarje thellësisht njerëzore dhe shoqërore, humbet pikërisht aty ku humbet hierarkia e vlerave: në një hapësirë ku gjithçka matet me vëmendje dhe asgjë me përgjegjësi”, ka thënë ai. Ka sqaruar se ky rrëfim nuk është as nostalgji dhe as refuzim i botës digjitale. Por sipas tij, është një kujtesë e thjeshtë se disa siç janë morti, kujtesa e detyrimi njerëzor për të qenë diku nuk mund të zëvendësohen.

“Më vjen mirë si gazetare që pas raportimit tonë institucionet i kanë ndërmarrë disa hapa drejt zhbllokimit të procesit. Falënderoj mediumin KOHA për mundësinë që ne të bëjmë gazetari profesionale dhe të pavarur”, ka thënë Vlerë Mehmeti e Grupit KOHA që ka marrë çmimin “Rexhai Surroi” për gazetari (Foto: Driton Paçarada)

Shpërblimi që çmon gazetarinë e shkruar

Dy raportimet e sivjetshme që janë vlerësuar me shpërblimin “Rexhai Surroi” për gazetari të shkruar, nuk është se i ka kapur me të madhe algoritmi. Por shpërblimet vijnë si rezultat i një algoritmi tjetër: vlerësimit për peshën e tyre në raport me shoqërinë. Juria në përbërje të Blerta Ismajlit, Binak Kelmendit e Agron Demit ka vendosur që Agon Sinanaj gazetar i “Buletinit Ekonomik” e Vlerë Mehmeti e Grupit KOHA të jenë laureatë të sivjetmë.

“Shkrimi i parë e prek temën komplekse të tregtisë me energji elektrike dhe monopolin në bartjen e energjisë elektrike që i ka rritur faturat. Prej këtij shkrimi thuajse gjatë gjithë vitit është debatuar midis partive politike se kush ka të drejtë apo kush ka faj në gjithë këtë. Ajo që e ka filluar dhe e ka thjeshtëzuar për publikun është shkrimi i ‘Buletinit ekonomik’”, ka thënë Agron Demi në emër të jurisë derisa ka ftuar gazetarin Agon Sinanaj për të marrë shpërblimin.

Agon Sinanaj ka thënë se ndihet dy herë i nderuar me vlerësimin.

“Ky çmim e ka një domethënie të dyfishtë për mua, e para që po vlerësohet puna ime njëvjeçare në një sektor kompleks si ai i energjisë dhe e dyta që po e pranoj një çmim që e vlerëson gazetarinë e shkruar”, ka thënë ai.

Në arsyetimin për shpërblimin për gazetaren e KOHËS, Vlerë Mehmeti, juria ka vlerësuar rëndësinë e temës bashkë qasjen humane.

“Shkrimi i dytë prek po ashtu një temë të rëndësishme: personat me aftësi të kufizuara që nuk kanë marrë mbështetje dhe i cili ndërthur një qasje humane me statistikat dhe problemin që për shkak të neglizhencës së institucioneve, personat me aftësi të kufizuara mbesin pa i marrë shërbimet e nevojshme bazike”, ka thënë Demi.

Laureatja Vlerë Mehmeti, ka përmendur efektin e shkrimit dhe sfidat.  

“Më vjen mirë si gazetare që pas raportimit tonë institucionet i kanë ndërmarrë disa hapa drejt zhbllokimit të procesit. Falënderoj mediumin KOHA për mundësinë që ne të bëjmë gazetari profesionale dhe të pavarur. Dua të falënderoj të gjithë redaksinë e kolegët, me të cilët i ndajmë sfidat e këtij profesioni, e tashmë edhe sukseset. Padyshim që ky çmim do të jetë një motiv shtesë për mua që të hulumtoj dhe të sjell për publikun tema dhe çështje që janë në interes të tyre”, ka thënë ajo.

“Ky çmim e ka një domethënie të dyfishtë për mua, e para që po vlerësohet puna ime njëvjeçare në një sektor kompleks si ai i energjisë dhe e dyta që po e pranoj një çmim që e vlerëson gazetarinë e shkruar”, ka thënë Agon Sinanaj që ka marrë çmimin “Rexhai Surroi” për gazetari (Foto: Driton Paçarada)

“Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës 1843-2018”, një vepër monumentale

Në ceremoni më pas ka qenë radha e promovimit të librit të studiuesit Skënder Latifi, “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës 1843-2018”. Botuesja Flaka Surroi në fjalën e saj për veprën ka thënë se libri është një dëshmi e rrallë e durimit kërkimor dhe e përgjegjësisë intelektuale ndaj një treve që për shumë dekada është trajtuar më shumë si periferi politike, sesa si realitet historik me identitet të vetin.

“Nuk e teproj kur them se Skënder Latifi e ka shkruar një vepër monumentale”, ka thënë Surroi e cila është edhe drejtoreshë menaxhuese e KOHËS. Ka sqaruar se shtjellimi nis nga viti 1843, kur në prag të shpërbërjes së Perandorisë Osmane, Lugina shpërfaqet si territor i lakmuar dhe i instrumentalizuar nga fuqitë e kohës.

“Me përpikëri të detajuar, e ndjek procesin e riformësimit të kufijve administrativë, që nuk kishin qenë thjesht ndarje teknike, por mjete politike për rikonfigurimin demografik, nëpërmjet zhvendosjes së popullsisë dhe zhbërjen e identiteteve ekzistuese. Kufijtë këtu marrin kuptimin e instrumentit të pushtetit, e jo të ravijëzimit të hartave”, ka thënë ajo. Ka treguar se mbresëlënës është korpusi i burimeve arkivore osmane, serbe, bullgare, maqedonase, gjermane, britanike dhe shqiptare dhe literaturës mbi të cilat e autori ka ndërtuar narrativën që sfidon drejtpërdrejt historiografitë zyrtare të shteteve fqinje.

Botuesja Flaka Surroi në fjalën e saj për veprën “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës 1843-2018” të Skënder Latifit, ka thënë se është një dëshmi e rrallë e durimit kërkimor dhe e përgjegjësisë intelektuale ndaj një treve që për shumë dekada është trajtuar më shumë si periferi politike, sesa si realitet historik me identitet të vetin (Foto: Driton Paçarada)

“Thelbi i librit nuk janë vetëm proceset politike, por njerëzit që i kanë përjetuar ato: familjet e shpërngulura, prijësit vendas, luftëtarët, mësuesit, “ilegalja” dhe figurat politike që, në rrethana të ndryshme historike, kanë mbajtur gjallë vetëdijen shqiptare. Autori nuk i idealizon ata; përkundrazi, i paraqet me të gjitha kundërshtitë dhe përplasjet e brendshme, duke e trajtuar shoqërinë e Luginës si një organizëm kompleks e jo si një masë homogjene”, ka thënë Surroi. Si vepër e shkruar me gjuhë të qartë dhe me rigorozitet burimor me mbi 1500 fusnota, libri i Skënder Latifit, sipas Surroit, është kontribut i rëndësishëm në historiografinë shqiptare.

“Do të duhej të shndërrohej në referencë për studiuesit, gazetarët, politikanët dhe vetë banorët e Luginës si një pasqyrë e dokumentuar e një historie të mohuar gjatë – një histori vuajtjeje, qëndrese dhe identiteti të ruajtur me këmbëngulje”, ka thënë midis të tjerash ajo.

Studiuesi Skënder Latifi ka thënë se është fjalëpak, por me të pranishmit ka ndarë një merak. Ka folur për një dokument që s’ka mundur ta gjejë. Ka treguar se bëhet fjalë për gushtin e vitit 1944 kur kanë qenë debatet se a do të jetë Lugina e Preshevës pjesë e Maqedonisë së atëhershme apo e Serbisë. Ka përmendur edhe një deklaratë të Kiro Gligorovit – president i Maqedonisë prej vitit 1991 deri më 1999 – i cili kishte thënë se për fatin e Luginës ishte vendosur në katër sy më 1945, gjë që sipas Latifit dokumenti nuk dihet nëse ekziston.

“Në bazë të materialeve rezulton se Kosova nuk i ka borxh askujt në raport me Luginën e Preshevës dhe është anasjelltas”, ka thënë ai.

“Në bazë të materialeve rezulton se Kosova nuk i ka borxh askujt në raport me Luginën e Preshevës dhe është anasjelltas”, ka thënë Skënder Latifi, autor i veprës “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës 1843-2018”  (Foto: Driton Paçarada)

“Përmbytja” si arkiv i shpirtit dhe akt rezistence ndaj harresës

Historia është e pranishme edhe te romani që sivjet ka marrë shpërblimin “Rexhai Surroi” por vjen si ndërthurje midis qytetit dhe individëve të tij. Anëtarja e jurisë, Blerta Ismajli, derisa ka shpallur vendimin, ka thënë se bëhet fjalë për një vepër që ndodhet në kufirin midis kujtesës, mitit dhe realitetit.

“Bota ku ndërthurën lindja dhe vdekja, vizioni dhe përditshmëria, besëtytnia dhe realiteti politik, na vjen përmes një rrëfimi jolinear të ndërtuar nga njësi të shkurtra episodike të orkestruara me kujdes. Kjo strukturë jo vetëm e mban gjallë ritmin e rrëfimit, por e kthen leximin në një përvojë intensive”, ka thënë ajo. Sipas Ismajlit, autori nuk jep një hero për ta ndjekur, por një qytet për ta dëgjuar. E sipas saj, qyteti nuk vjen si skenë, por trup që flet nëpërmjet njerëzve të tij.

“Juria e ka vlerësuar këtë vepër për mënyrën se si letërsia shndërrohet në arkiv të shpirtit dhe akt rezistence ndaj harresës”, ka thënë ajo për romanin “Përmbytja” ku biografitë individuale vijnë edhe si arkiva kolektive.

Autori i veprës, Granit Zela, ka thënë se nderimin e pranon me dorën në zëmër.

“Unë ia kam kushtuar këtë roman, këtë libër, dy fëmijëve të mi të vegjël. Unë e kam shkruar këtë libër me shpresën e madhe se është shkruar me një gjuhë që do të lexohet në të ardhmen. Është detyrë e shkrimtarëve që ta ruajnë gjuhën shqipe sepse letërsia, fjala e shkruar, e çon në vend amanetin që këtë gjuhë të perëndisë trashëgim t’ia lëmë fëmijës”, ka thënë ai.

Ceremonia kësaj radhe është shoqëruar me interpretimet e ansamblit vokal “Zanat” të shoqëruara në piano nga Pranvera Hoxha. Janë interpretimet e bëra në shënimin e 25-vjetorit të Kohavisionit në shtator. E, krejt ceremonia ka qenë një lloj shenje për peshën e fjalës. Mbi të gjitha të gjuhës, që theksohet përherë në hapje të ceremonisë nëpërmjet deklaratës emblematike të Rexhai Surroit për shqipen.

“Është detyrë e shkrimtarëve që ta ruajnë gjuhën shqipe sepse letërsia, fjala e shkruar, e çon në vend amanetin që këtë gjuhë të perëndisë trashëgim t’ia lëmë fëmijës”, ka thënë shkrimtari Granit Zela, laureat i shpërblimit “Rexhai Surroi” për letërsi me veprën “Përmbytja” (Foto: Driton Paçarada)