Projekti i restaurimit dhe konservimit të shtëpisë-muze në Zym të Prizrenit, ku u lind aktorja Katarina Josipi-Kati, është përmbyllur të premten, pas zvarritjes disavjeçare. Ky projekt, që ka kaluar nëpër duart e pesë ministrave të MKRS-së, ishte iniciuar në fillim të kësaj dekade dhe prej asaj kohe kishte mbetur peng i prokurimit dhe i zbatimit. Ndërkohë vlera e tërësishme e investuar nga MKRS-ja kap shumën prej 60 mijë eurove, shkruan sot Koha Ditore.
Shtëpia-muze, që është monument i trashëgimisë kulturore në Zym, është përuruar në një ceremoni ku kanë qenë të pranishëm drejtuesit e MKRS-së dhe familjarët e Katit.
“Është kënaqësi e veçantë që të marrim pjesë në një fshat të veçantë të Kosovës, i cili trajtohet me një ligj të veçantë, Ligji për fshatin Zym dhe padyshim që përkushtimi ynë për këtë vendbanim të rëndësisë së veçantë dhe të trashëgimisë kulturore, por edhe i imi si ministër, është tejet i rëndësishëm. Edhe më herët disa ministra janë marrë me këtë projekt, i cili është stërzgjatur shumë. Ne, duke pas parasysh rëndësinë dhe specifikat që ka pasur ky projekt, natyrisht që është dashtë një punë e madhe dhe një përkushtim, me kërkesa shpeshherë për ndryshim brenda projektit. Me rëndësi që sot po e përurojmë shtëpinë-muze të Katit, ku ka lindur Katarina Josipi, një aktore e madhe e jona”, ka thënë ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi.
Sipas tij, kjo shtëpi-muze tani e tutje do të jetë një pikë e re për vizitorët e Zymit.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)