Koncerti “ReNew”, si shpërfaqje e skenës së re të vendit, dëshmoi për potencialin të cilin e kanë muzikantët e rinj. Kitaristi Lorik Pylla solli dromca të muzikës moderne nëpërmjet veprave të huaja, teksa tabloja muzikore u zgjerua kur përkrah në skenë dolën edhe violinisti Rron Bakalli e basbaritoni Shaban Behramaj në interpretimin e veprës premierë “Experior” të Ersan Januzit
Melankoli e butësi ritmike, krijime minimaliste e herë-herë edhe dramacitet në lojë solli koncerti, i cili u duartrokit gjatë nga publiku, në natën e dytë të edicionit të 21-të të festivalit ndërkombëtar të Prishtinës, “ReMusica”. Kitaristi Lorik Pylla, veprat angleze, spanjolle, italiane e argjentinase i ka jetësuar duke dëshmuar delikatesë në performim. Tabloja muzikore është shtuar edhe më kur përkrah tij janë dëgjuar tingujt e violinës së Rron Bakallit e zëri i basbaritonit Shaban Behramaj.
Koncerti “ReNew”, si shpërfaqje e skenës së re të vendit, dëshmoi për potencialin të cilin e kanë muzikantët e rinj. E kjo u shtri edhe në hallkat e kompozimit. Përveç veprës “Njëzet e pesë gërsheta” të Rafet Rudit si përpunim i muzikës popullore, koncerti solli edhe premierë të kompozitorit të ri, Ersan Januzi. “Experior” si vepër e porositur enkas për këtë edicion, erdhi në përputhje me moton e sivjetme, duke qenë mirënjohje e ndryshim pozitiv për tokën, ujin, ajrin e zjarrin.
Me lojën e gishtërinjve në veprën e kompozitorit slloven, Urosh Rojko, “Chiton” ka sjellë këtë vepër minimaliste që ngërthen tonalitete që herë intensifikohen e herë mbesin gati në heshtje. Ka vazhduar me “Cielo”, “Luminous Hills”, “In the Meadows”, “Squalls” nga “12 Impressionistic Sketches” prej Allan Willcocks dhe Tilman Hoppstock, butësnë ritmike e “Danza Espanola no.5” të Enrique Grandos në kombinimin mes violinës e kitarës, melankolinë e “Homenaje a debussy” dhe gjallërinë e tingujve me motive flamengo të “Danza del Molinero” nga Manuel De Falla. Në repertor ka pasur edhe “Tranquillo” që vjen më qetë e me lojën ritmike të “Agiato” të “Due Canzoni Lidie” nga Nuccio D’angelo. Thellësia e “Esordio”, ndryshimet melodike të “Scherzo” e “Canto” dhe dramaciteti i lojës në kitarë të “Finale” në kuadër të “Sonatës për kitarë op.47” nga Alberto Ginastera i dhanë frymën moderne koncertit.
Ajka e debutimit ishin veprat shqiptare, të cilat veç sa ia shtuan edhe më shumë duartrokitjet e publikut.
Për kitaristin, koncerti solo ishte edhe “premierë” për debutim në “ReMusica”.
“Një festival që mbahet me vite të tëra dhe është shumë i respektuar”, ka thënë i diplomuari në Akademinë e Muzikës në Darmstadt të Gjermanisë. “Gjithmonë është kënaqësi të luaj për publikun në Kosovë, programi ka qenë mjaft eksperimental, i cili më ka sfiduar më shumë”.
Gjithë përvojën e tij të studimeve jashtë vendit, Pylla e solli brenda një nate në Kosovë, prej rrugëtimit të tij nëpër sallat evropiane.
Në harmoni kanë ardhur veprat edhe kur Lorik Pyllës në skenë i janë bashkuar violinisti Rron Bakalli dhe basbaritoni Shaban Behramaj (Foto: Rrahman Osmani)
“Mendoj që kitara është instrument i së ardhmes, besoj dhe shpresoj që kompozitorët e rinj do të shkruajnë sa më shumë për të”, ka thënë ai me shumë pasion për instrumentin të cilën goxha e zotëron. “Edhe pse është i butë, ofron mundësi të shumta që të jesh sa më ekspresiv dhe me i shpreh teknikat e kompozimit në mënyrë maksimale. Besoj që muzika moderne tingëllon mirë për kitarë”.
Nga debutimet me kor e kuartete në “ReMusica”, basbaritoni Shaban Behramaj i erdhi publikut si vokalist për herë të parë.
“Po flasim për muzikën moderne, sidomos për këtë të natës së sotme që është vokal, kitarë dhe violinë. S’është i zakonshëm. Për mua është hera e parë që këndoj në një formacion të tillë, edhe mu duk goxha i lezetshëm”, ka thënë ai për KOHËN.
Ai u bë zëri i parë që jetësoi premierën “Experior” nga Ersan Januzi, për të cilën thotë se është ndjenjë e veçantë.
“Është krijuar para pak ditësh dhe si duket kjo vepër do të mbetet gjatë në repertorin e muzikës shqiptare dhe të gjithë ata që do ta këndojnë, do ta kujtojnë emrin tim”, ka thënë Januzi me humor. “Veçantia e saj mendoj që është se vepra është kompozuar duke iu përshtatur tematikës së edicionit të sivjetmë të Festivalit: ndryshimeve klimatike”.
Kitaristi Pylla ka thënë se asnjëherë deri më tani nuk ka luajtur vepër premierë. “Do të thosha që është mundësi shumë t’ia japësh që ta luaj premierë”, ka thënë ai.
E shkruar në një kohë rekord prej katër ditësh, interpretimi i veprës përmbushi pritshmëritë e kompozitorit Ersan Januzi.
“Ishte ndjesi mjaft e mirë, me formacionin mjaft të veçantë dhe të rrallë”, ka thënë ai menjëherë pas debutimit të Pyllës, Behramajt e Bakallit. “Jam munduar ta përshtat me katër elementet që i kanë caktuar drejtorët në këtë edicion”.
“Experior” ka rrënjët si emërtim nga gjuha latine, e që në shqip përtej kuptimit “provo”, nënkupton një tentativë për mirënjohje e ndryshim për natyrën.
“Ishte e shkruar dhe e kompozuar ekstra për interpretuesit dhe i kam ditur nivelet e tyre e jam munduar të shkoj në atë drejtim. Interpretimi ka qenë në nivel, kënaqësi t’i dëgjoj kolegët”, ka thënë Januzi.
Përveç duartrokitjeve të publikut, koncerti u vlerësua edhe nga njohësit e fushës. Pianisti Agron Shujaku e ka vlerësuar si freski për skenën muzikore shqiptare.
“Loriku po shihet që është artist i ri që po tregon profesionalizëm. Shihet se puna që ka bërë në universitete jashtë vendit është duke iu shpërblyer. Ka stabilitet dhe interpretim të shkëlqyeshëm në kitarë. Na ka dhënë një natë të larmishme sa i përket programit”, ka thënë ai.
Ai ka vlerësuar lart edhe mënyrën e interpretimit të “Experior”.
“Ishte një vepër premierë, e cila është ekzekutuar shumë mirë, pasi unë kam qenë në diskutim me kompozitorin. E kemi parë partiturën, ishte interpretim i shkëlqyer nga trioja. Mendoj që e ka sjellë një freski të duhur dhe të munguar jo veç të Festivalit, por të skenës sonë muzikore”, ka thënë Shujaku.