Fjolla Gashi, Dea Ahma, Leutrim Sahiti, Ersan Januzi e Leart Sejdiaj kanë qenë personazhet kryesore të koncertit “ReNew” bashkë me instrumentistët. Veprat premierë kanë qenë kryefjalë. Jo veç të tilla, por janë edhe thesare prej së cilave nis ndërtimi i kompozitorëve të rinj në vend. Ndër vite, në kuadër të programit “ReNew” janë prezantuar dhjetëra vepra të kompozitorëve të rinj që prej nisjes së “ReMusicas”
Gjenerata e re e kompozitorëve ka gjetur hapësirë në “ReMusica” dhe ky ka qenë testi i veprave të tyre në raport me publikun. Veprat e tyre i kanë luajtur po ashtu instrumentistët e rinj. Koncerti “ReNew”, të enjten mbrëma, ka prezantuar të ardhmen e ndritur me veprat që frymojnë e premtojnë. Fjolla Gashi, Dea Ahma, Leutrim Sahiti, Ersan Januzi e Leart Sejdiaj kanë qenë personazhet kryesore të koncertit bashkë me instrumentistët. Veprat premierë kanë qenë kryefjalë. Jo veç të tilla, por janë edhe thesare prej së cilave nis ndërtimi i kompozitorëve të rinj në vend.
Ndër vite, në kuadër të programit “ReNew” janë prezantuar dhjetëra vepra të kompozitorëve të rinj që prej nisjes së Festivalit. Një prej misioneve e kishte edhe promovimin e artistëve të rinj. Në kishën katolike “Shën Ndou” veprat kanë kumbuar me instrumentet frymore, të cilat janë në qendër të edicionit të 22-të të Festivalit dhe iu përshtaten më së miri temës “Inhale, exhale”.
Koncerti është hapur me “Searching II” për flaut solo të Ersan Januzit e interpretuar prej flautistes Yllka Simnica. Ka nisur me tinguj krejt të lehtë e të ultë. Befason me tinguj të papritur dhe me lojë dinamike. Kumbojnë e krejt papritur prehen dhe nisin nga pika fillestare, rikthehen fuqishëm në të vrazhdë si fishkëllimë. “Metamorphosis” e Leutrim Sahitit ka qenë disi më moderne dhe rrallëherë ka ngjarë në tingujt e mirëfilltë të klarinetës. Kuarteti i klarinetave “4clariSonore” me instrumentistë Ardit Ibrahimin, Blendi Axhillarin, Fisnik Shkodrën dhe Jon Rrecajn kanë krijuar tingujt e çakorduar që kur bëhen bashkë e përmbushin dhe kompletojnë veprën.
Vepra tjetër e Sahitit ka qenë homazh për kornistin shqiptar Andrea Canaj, që vdiq tre vjet më parë. Ka nisur si elegji. Në një partiturë të shkurtër është kthyer dhe ka gjetur gjallërinë e harmoninë. Fryma e tillë bëhet çdoherë më intensive. Por shpejt është kthyer në fillimet e saj. Tingujt ringjallen e prapë kumbojnë, por kaplohen prej atyre melankolikë në mbyllje me interpretimin e Megi Rexhepit, Orges Thaçit, Eriona Shabanit dhe Adis Kurtajt nga kuarteti i klarinetëve “Lorenc Antoni”.
“Chant” e Dea Ahmës ka qenë me tinguj të njëtrajtshëm në sfond, një lojë për dominim. Njëri prej tingujve ia del e të tjerët vazhdojnë përpjekjet për të depërtuar nëpërmjet frymës që lëshohet në instrument. Vërshëllimat ngjajnë në erën e furishme. Autorja është shprehur se aq sa ka qenë privilegj prezantimi i veprës në Festival, aq ka qenë edhe përgjegjësi.
“Vepra është shkruar enkas për festivalin ‘ReMusica’ për instrumentistët që e kanë interpretuar sonte. Është bazuar në koralet gregoriane, mirëpo për dallim prej atyre që janë interpretuar me vokal, këtu kanë qenë me instrumente”, është shprehur Ahma, studente e vitit të dytë në Fakultetin e Arteve.
“S’paske pas një pikë mëshirë” e Leart Sejdijaj ka gërshetuar katër instrumentet e klarinetistëve të kuartetit “4clariSonore”, duke u shkrirë në një. Më pas secilit i jepet hapësira në fund me një pjesë të shkurtër.
“Mystral” e Fjolla Gashit ka qenë gërshetim i tingujve të butë të klarinetave dhe të vrazhdë të fagotit. Ritmi sa shkon e shpejtohet dhe ngjan në pulsin e zemrës. Pikërisht këta tinguj janë kryefjalë e veprës. Sa shkojnë e tempi ngadalësohet derisa ndalet krejt. Autorja e veprës ka thënë se teknikat e muzikës së re janë më të vështira, por se është shprehur e lumtur me interpretimin e ansamblit të flauteve.
“Duke qenë si një kompozitore e re, sfidat në kompozim padyshim se janë menjëherë të shumta, por të shkruash për një ansambël të tillë, sidomos për ansamblin e klarinetave, ka qenë kënaqësi pasi ishin shumë të mirë në kuptimin e bashkëpunimit. Jam shumë e lumtur”, është shprehur Fjolla Gashi, studente e vitit të tretë në degën e Muzikës në Fakultetin e Arteve. Veprën e kanë interpretuar Yllka Simnica, Alba Basha, Elda Meka dhe Ujana Këpuska.
Ndër vite në kuadër të programit të Festivalit janë prezantuar dhjetëra vepra të kompozitorëve të rinj dhe një prej misioneve e kishte edhe promovimin e artistëve të rinj.
Drejtoresha artistike e festivalit “ReMusica”, Donika Rudi, derisa ka folur edhe nga këndvështrimi i saj si kompozitore, i ka konsideruar si pasuri të madhe të vendit.
“Që prej vitit 2002, kemi pasur në fokus dhe hapësirë për kompozitorët tanë të vendit, pasi kemi kompozitorë me vlerë, pasuri të madhe si shtet. Mendoj se kjo duhet të jetë jo vetëm në fokusin e Festivalit tonë, por në të gjitha organizimet në vend”, ka thënë ajo.
Kompozitorët që të gjithë janë studentë të muzikës në UP.
Profesori e kompozitori Valton Beqiri ka konsideruar se Fakulteti i Arteve është me fat që ka gjenerata të tilla të studentëve.
“Niveli i kompozimeve dhe kompozitorëve ka qenë mjaft i kënaqshëm në kuptimin që kemi të bëjmë me kompozitorë të rinj, të cilët janë ende në fazën e kërkimit të vetvetes. Kemi pasur kompozime të stileve të ndryshme. Mua personalisht më ka lërë përshtypje kërkesa e tyre, hulumtimi i tyre në tingull, gjë që është mjaft e vështirë dhe specifike që është në fazën e parë të kompozimit”, ka thënë Beqiri.
Programi “ReNew” sivjet u dedikohet artistëve, kompozitorëve dhe instrumentistëve të rinj vendas. Meqë tema e këtij edicioni është “Inhale, exhale” për frymëmarrjen, i dedikohet krijimtarisë për instrumente me frymë dhe muzikës vokale, duke përfshirë ansamblet frymore vendore dhe kompozitorëve të rinj nga vendi.