Tepria me alkool në një ndejë në Moskë bëri që regjisori i ri belg, Dorian Jespers, të niste një udhëtim të pamenduar në Arktikun rus.
Eksperienca e çuditshme u bë sebep për filmin e tij të diplomës, “Sun Dog” (2020). Projekti i shkurtër filmik pati një fillim të mrekullueshëm. U shpërblye në “Film Fest Gent” në Ghent të Belgjikës, në “The International Film Festival Rotterdam”, në Roterdam të Holandës, në “Vienna Independent Shorts”, në Vjenë të Austrisë e po ashtu mori ftesa për t’u shfaqur edhe në institucione me rëndësi, si “MoMa”, “Tate Modern” apo “European Film Awards”, shkruan KOHA.
“Sun Dog” arriti edhe në Kosovë, ku u shpërblye në edicionin e 19-të të “DokuFestit” si filmi më i mirë në garën e filmave të shkurtër. Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër për shkak të pandemisë sivjet është mbajtur online nga 7 deri më 25 gusht.
Jesper, i cili studioi kinematografinë në “Audiovisual Arts” në shkollën e artit “KASK & Conservatorium” në Belgjikë, ka lindur në Bruksel në vitin 1993. Në një intervistë për KOHËN, ai ka zbuluar detaje rreth projektit që ia dha titullin regjisor dhe po e bën të njohur në qarkun e filmbërësve.
Kamera si një personazh i pakuptueshëm
Vëmendjen e jurisë së “DokuFestit” në kategorinë e filmave të shkurtër, “Sun Dog” e mori për qasjen vizionare e tregimit të një bravandreqësi të ri në qytetin e ngrirë, ku nata e padurueshme e dimrit të thellë që zgjat përgjithmonë përshkruhet përmes fantazisë së personazhit në një perspektivë shumë unike. Sipas regjisorit, filmi ekziston falë takimeve të rastësishme.