Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në disa vende ish-koloniale në Evropë, zhvendosja e disa shtatoreve po bëhet për drejtësi. Ndërsa në Kosovë, në të ardhmen, një gjë e tillë duhet të ndodhë për arsye estetike
Hidhërimi i madh i shoqërisë amerikane, dhe jo vetëm, që shpërtheu në ditët pasi George Floydit iu ndal fryma e fundit nga brutaliteti i një polici amerikan, nxiti një lëvizje për të rrëzuar simbolet e perceptuara të racizmit dhe shtypjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo lëvizje gjithëqytetare, dhe jo vetëm e atyre me ngjyrë, bëri që në Portland demonstruesit që protestuan për vrasjet e policisë ta kthejnë zemërimin e tyre ndaj shtatores së ish-presidentit Thomas Jefferson, duke rrëzuar shtatoren e atij që mendohet që skllavëroi më shumë se 600 njerëz.
Po ashtu protestuesit në Boston demoluan edhe monumentin e kolonizuesit italian Christopher Columbus, i cili u pikturua me llak dhe u hodh në një liqen.
Në Albuquerque, tensionet mbi një shtatore të Juan de Oñate, një guvernator kolonial i shekullit të 16-të i internuar nga New Mexico për një trajtim mizor të amerikanëve vendas, shpërtheu në përplasjet në rrugë para se monumenti të hiqej përfundimisht.
Pak a shumë e njëjta lëvizje ka filluar edhe në Evropë, tek vendet me të kaluar koloniale.
Qyteti i Gentit në Belgjikë do ta heqë shtatoren e Mbretit Leopold II, i cili njihet për krime barbare gjatë së kaluarës koloniale të Belgjikës, sidomos në Kongo.
Të gjitha këto reagime të qytetarëve të lirë dhe më në fund reflektimi i vetë autoriteteve, siç është rasti me Gentin, mund të jetë i vonë, por më mirë vonë se kurrë.
Por a mund të kemi edhe reagim apo reflektim estetik për sheshet tona të punuara aq dobët? Besoj që po, dhe duhet reflektuar sa më shpejt që është e mundur.
Siç dihet, pas luftës sheshet e qyteteve tona janë mbushur më shtatore dhe monumente që shpesh, për nga vlera estetike, më shumë janë fyese ndaj heronjve tanë të luftës së fundit çlirimtare sesa që i kemi nderuar, edhe pse qëllimi ka qenë i mirë, por puna e dobët. Po si është e mundur që në shekullin 21 me aq shumë burime informimi dhe në një jetë digjitale që e jetojmë sot, të jemi aq pak kreativ dhe të kemi mungesë kaq të madhe estetike dhe pse? Si është e mundur që sheshet tona po mbushen me shtatore të heronjve, të punuara aq dobët dhe pa kurrfarë studimi, dhe që nuk iu përgjigjen aspak kohës dhe luftës për të cilën ata janë flijuar?
Imagjinojeni nëse një turist i ardhur nga kufiri në Morinë, i cili pasi ka vizituar Shqipërinë, vjen të vizitojë edhe Kosovën dhe bën një ndalesë në Prizren. Në Shadërvan has në shtatoren e heroit Ismet Jashari-Kumanova. Është aq dobët e punuar saqë një vizitori me shije ia mbyll vizitën aty ende pa arritur tek ndërtesa e Lidhjes së Prizrenit apo në Kala. Fatkeqësisht të tilla shtatore kemi në çdo qytet në vendin tonë dhe lajm i keq është që çdo ditë po shtohet kjo punë e dobët.
Të punuara pa shije, pa kritere, pa hulumtime, shpesh pa konkurse dhe të zgjedhura nga politikanët, dhe rezultati është ky që kemi – shtatore qesharake në sheshet e vogla.
Besoj që është koha që sheshet t’iu kthehen monumenteve bashkëkohore, me më pak “kallashë”. E nëse bëhen ende, një të tillë besoj e ka merituar Anton Çetta, i cili nuk ka luftuar, por ka shpëtuar shumë jetë të shoqërisë sonë.
Jam i vetëdijshëm që jemi ende shoqëri në etablim, pasi tek ne edhe liria ka ardhur vonë, pa fajin tonë, por ka mundësi të tjera si të nderojmë këta heronj tanë, pasi kështu si po i kthejmë në bronz, nuk po i nderojmë aspak.
Emërtoni sheshet, shkollat, institucionet, organizatat në emër të tyre. Na lini sheshet pa “kallashë” dhe pa bronz pa shije! Ose edhe nëse i bëni, përcillni rregullat si bëhen nëpër botë, mos zbuloni asgjë, bash asgjë!
Paramendojeni familjen e një heroi, si ndihet ajo përballë një shtatoreje të deformuar, në një vend pa vend, të më të dashurit të vet.
Nuk duhet të vendosin për këtë punë partitë politike as politika në përgjithësi se si realizohet një shtatore, pasi ndodh siç ka ndodhur me ish-presidentin amerikan Bill Clinton, i cili thuhet që nuk e ka njohur veten në bronz. Edhe nëse ende bëhen shtatore, për të cilat lutem që jo, hapni konkurse, juria duhet të jetë nga profesionet adekuate dhe jo medoemos lokale dhe normalisht jo politikanë në ato juri. Profesionistët ta bëjnë përzgjedhjen edhe të vendeve për monumente.
Përndryshe, në të ardhmen do të kemi një reagim të fortë, normalisht jo me arsyet e njëjta siç po ndodh nëpër Amerikë, por me një reagim tjetër, atë estetik, pasi nuk kemi të drejtë që t’ua zymtësojmë të ardhmen fëmijëve tanë me monumente të punuara shumë dobët nëpër sheshe pa shije.
...Ose nëse diçka e tillë do të ndodhë ende, ka mundësi të rritet pak turizmi në vendin tonë, me studentë të artit dhe arkitekturës nga bota, ku vizita e tyre do të ketë si subjekt se si NUK duhet të punohen monumentet dhe sheshet.
Është për keqardhje, që edhe 21 vjet pas luftës, monumentet e vetme të mira (estetikisht) janë ato të mbetura nga ish-sistemi jugosllav. Edhe pse edhe ato po zhduken dita-ditës, siç është rasti i simbolit të Mitrovicës, vepra që kishte si temë lirinë, barazinë dhe arsimimin, i cila thuhet që u hoq vite më parë dhe u shit për hekur.
Autori është artist vizual dhe ligjërues arti