Se drama shqipe, tok me letërsinë e kulturën, pas Luftës së Dytë Botërore u përballën me instalimin e metodës së realizmit socialist, që prodhoi variante sterile e dogmatike të tij, ka qenë njëri prej konstatimeve në sesionin e letërsisë në ditën e dytë të “Javës së Albanologjisë”. E në një periudhë si kjo, për më shumë se gjysmë shekulli, në letërsinë shqipe janë evidentuar vetëm tri autore që kanë shkruar drama. Paralelisht me sesionin e letërsisë është mbajtur edhe ai i etnologjisë, që për temë ka pasur “Praktikat e reja kulturore në ritualet tradicionale përgjatë periudhës së pandemisë COVID-19”. Janë trajtuar edhe martesat, sikurse edhe puna e institucioneve kulturore
COVID-19 në njërën anë e drama shqipe në anën tjetër, në shikim të parë duket se nuk lidhen, por në këtë rast nuk janë as kundërthënëse me njëra-tjetrën. Të dyja temat, të shtruara në rrafshe të ndryshme, njëra e trajtuar nga prizmi i etnologjisë e tjetra nga studimi letrar, qenë pikë referimi në ditën e dytë të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, e cila vjen me edicionin e 15-të.
Prezantimi i punimeve shkencore është rezervuar për dy hapësira të ndryshme të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Kati i parë për letërsinë, i dyti për etnologjinë.
“Drama shqipe 1945-1990”, ka qenë tema për të cilën studiuesit e kësaj fushe iu drejtuan të pranishmëve dhe sesioni ka nisur me kumtesën e Besim Rexhajt në temën “Paradokset dhe frustracionet e dramës shqipe 1945 -1990”. Rexhaj fillimisht ka dhënë kontekstin historik e social mbi të cilin veprimtaria dramaturgjike shqiptare ishte zhvilluar gjatë shekullit XX.
“Jo vetëm drama shqiptare, por edhe kultura e letërsia shqiptare, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, si edhe të gjitha vendet e Bllokut Socialist të Lindjes, ballafaqohen me një situatë sociokulturore, që, e pakta, mund të quhet situatë e frustracionit politik, kulturor dhe artistik: përballen me instalimin e metodës së realizmit socialist dhe, në këtë kontekst, me shtrirjen gjithëpërfshirëse të varianteve më të rënda, më sterile e më dogmatike të realizmit socialist – prej atij variantit stalinist e deri te varianti zhdanovist, që, të dyja, në thelb, e instrumentalizonin artin në funksionin ekskluziv të shtetit ideologjik, përkatësisht të shtetit totalitar”, ka thënë ai.
Ka përmendur disa emra të cilët gjatë veprimtarisë së tyre janë përpëlitur për të zhvilluar kapacitetet e tyre intelektuale e letrare në periudha të karakterizuara nga ideologjitë totalitare. Kristo Floqi, Ethem Haxhiademi të cilin e ka quajtur dhe si tragjedistin më të madh shqiptar të letërsisë midis dy luftërave botërore, Kasëm Trebeshina, Fadil Paçrami, por nuk la pa e përmendur as Dritëro Agollin, edhe pse njihet si poet e prozator, kontributi i tij është i pamohueshëm në dramaturgjinë shqipe.
“Besoj, po të mos ishte trysnia që ushtrohej mbi dramaturgjinë e tij, mund të zhvillohej në një dramaturg përtej dramave që njohim si ‘Fytyra e dytë’ (1963), ‘Baladë për një grua’ dhe ‘Mosha e bardhë’ (1986), e cila, krejt papritur dhe paradoksalisht, botohet në Kosovë nga shtëpia botuese ‘Rilindja’ para se të botohej në Shqipëri, në botimin e përgatitur nga studiuesi Shaban Sinani në vitin 2016”, ka shtuar Rexhaj, ndër të tjera.
Në Sesionin e Letërsisë është folur edhe për mitin në dramën shqipe, nuk u lanë pa u shtjelluar as figura të tjera të përveçme në dramën shqipe, si Rexhep Qosja, Beqir Musliu, Teki Dervisihi, Anton Pashku, Dritëro Agolli, e Hivzi Sulejmani. Vepra e tyre është rikujtuar nëpërmjet vështrimeve të ndryshme kritike e analitike.
E veçantë si prurje në tryezën shkencore ishte dhe kumtesa e Meliza Krasniqit, hulumtuese e pavarur në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Ka referuar në temën “Tri dramaturget e vetme shqiptare deri më 1990”.
“Nga viti 1945 deri në vitin 1990 në letërsinë shqipe i kemi evidentuar vetëm tri autore që kanë shkruar drama për të mos thënë dramaturge. Eglantina Mandia, Arsino Lino nga Shqipëria dhe Edi Shukriu nga Kosova. Ndërsa Mandia dhe Lino shkruanin brenda kornizave të realizmit socialist duke përfaqësuar tematikën e luftës çlirimtare dhe të emancipimit të gruas intelektuale, Shukriu trajtoi tema ekzistenciale dhe mitologjike përmes qasjes moderniste. Secila nga to solli një perspektivë unike duke pasuruar peizazhin e dramaturgjisë shqiptare dhe duke reflektuar kontekste të ndryshme politike e shoqërore”, ka thënë Krasniqi.
Për vendin e Anton Pashkut në këtë shteg të letërsisë shqipe foli dhe studiuesi i letërsisë Gëzim Aliu. Në kumtesën e tij, për të pranishmit ai ndau vështrimet e tij analitike për dramat “Gof” dhe “Sinkopa”.
“Stilin e tij të krijimit të një atmosfere specifike letrare në prozë, sikur të pambushur mjaftueshëm me ajër, sikur pluskim në vakum, kjo sigurisht në funksion të krijimit të një dramaticiteti me veprime minimale personazhesh, Pashku e shpreh dhe e aplikon edhe në dy dramat e tij, që të botuara se bashku në një vëllim, mbititullohen tragjedi moderne. A mund të nxjerrim elemente rrëfimtare nga këto tekste dramatike duke aplikuar arritjet e narratologjisë transgjenerike, që përdor terma e koncepte narratologjike për të hulumtuar e gjetur elemente rrëfimtare edhe në dramë dhe në poezi lirike. Pa dyshim që mundemi”, është shprehur Aliu.
Dramën e Pashkut ai e vlerëson lart. Sipas tij, ajo është komplekse për nga ngjyrimet e ndryshme letrare.
“Tekstet e Pashkut që duken si drama, në thelb mendoj se janë tekste letrare jo të zakonshme, përpjekje eksperimentale, që ndërtohen nga radhë të rregullt narrativë, monologë e dialogë në shikim të parë me kuptim vështirë të kapshëm, ndërfutje copash dokumentare, por edhe shprehje idesh e ideologjish”, ka theksuar Aliu.
Si ndër emrat më të shquar e më të veçantë në fushën e dramës në Kosovë, dramaturgu Arian Krasniqi e ka quajtur Teki Dervishin. Ka përmendur kryeveprën e tij, “Bregu i pikëllimit” e ndërtuar nga nëntë pjesë dramatike, e cila i kishte marrë atij një dekadë punë.
“Letërsia dramatike e Kosovës në dhjetëvjetëshin e tetë të shekullit të kaluar arriti një konsolidim solid me emra të shquar autorësh, kryesisht prozatorë, të cilët me pasion, invencion e kreacion shtegtuan përmes gjinisë së dramës drejt Tempullit të Talias. Pra, gjithnjë e më shumë emra dramaturgësh u shfaqën si autorë dramash në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe teatrove të tjera. Kjo letërsi, pra, letërsia dramatike në Kosovën e kësaj periudhe prodhoi edhe një nga emrat më të veçantë, e për mendimin tim më të shquar të dramaturgjisë shqiptare, Teki Dervishi, i cili me kryeveprën e tij dramatike, ‘Bregu i Pikëllimit’ (1985), shënoi, jo vetëm të arriturën e tij kulmore në fushën e dramës, por edhe të dramaturgjisë në vendin tonë”, ka thënë Krasniqi.
Gjersa poshtë flitej për dramën shqipe, lart në rrafshin antropologjik u zbërthye, ndër të tjera, ndikimi i një pandemie në jetën sociale e kulturore. Në temën “Praktika të reja kulturore në ritualet tradicionale përgjatë periudhës së pandemisë COVID-19” janë shpalosur studime, vështrime e hulumtime të ndryshme duke nisur nga kujtesa historike e Kosovës me pandemitë e deri te ndryshimet kulturore që solli COVID-19 në shoqëri.
Sesioni për Etnologjinë nisi me një kumtesë nga infektologu Sali Ahmeti, i cili dha një pasqyrë se si COVID-19 u shndërrua në sfidë shëndetësore globale e vendore e shekullit XXI. Hapja e kësaj tryeze nga një profesionist i fushës së shëndetësisë qe një ilustrim i ndërveprimit interdisiplianar që duhet të kenë fushat e ndryshme shkencore për t’u arritur kuptimi më i mirë i dukurive e ndodhive të caktuara në shoqëri. Një hulumtim mbi historikun e pandemive në shoqërinë kosovare e shpalosi studiuesja Hatixhe Ahmedi. E mbështetur në dokumente arkivore osmane ajo ndau me të pranishmit se si ishte manifestuar “Lia e keqe” apo e njohur ndryshe si Variola Vera dhe se si ishte trajtuar ajo në Kosovë gjatë viteve 1890-1903. Ka prezantuar tri dokumente administrative të viteve 1890 e 1892, të cilat, ndër të tjera, ilustrojnë menaxhimin me gjendje të tilla të shëndetit publik në Vilajetin e Kosovës.
Vrojtimin e saj social në rrethana të COVID-19 në mjediset urbane të Maqedonisë së Veriut e ndau në tryezën shkencore edhe studiuesja Bukurie Mustafa. Duke bërë vrojtim nga distanca, e kushtëzuar asisoj nga masat parandaluese që ishin në fuqi gjatë asaj periudhe, ajo kishte arritur të identifikonte shumë detaje të cilat shënjonin ndryshimin e sjelljes së njerëzve. Por mbi të gjitha edhe mospërfilljen e thirrjeve institucionale për mbrojtjen dhe parandalimin e virusit.
“Në mjediset urbane, brenda lagjeve ndodhnin thyerjet më të shpeshta të ndalesave, pa marrë parasysh seriozitetin e problemit, që shumëkujt i kushtonte me jetë, por sikur u rrit nevoja e të shoqëruarit, e grupimit dhe grumbullimit brenda ndërtesës. U krijua një afërsi e çuditshme e njerëzve dhe e përpjekjes që të zbusnin atë zymtësi kolektive, ashtu që kishte të atillë të cilët me forcues të zërit lëshonin muzikë për tërë lagjen dhe sikur u kthehej optimizmi dhe disponimi momental i njerëzve që rrinin nëpër ballkone e tarraca dhe të dukej sikur, COVIDI mori fund”, ka thënë ajo duke shtuar se pas punës hulumtuese ka ardhur në një përfundim se në rrafshin individual është ngritur vetëdija sa i përket rëndësisë se marrëdhënieve ndërnjerëzore. Sesionin e ka përfunduar etnologu Valon Shkodra, këshilltar shkencor në IAP, me këndvështrimin e tij për ndryshimet kulturore dhe praktikat e reja që i ka sjellë pandemia. Ai ka përmendur disa praktika, duke filluar nga veprimtaritë që karakterizonin dikur gjendjen normale shoqërore dhe se si ato ndryshuan duke u kushtëzuar nga masat mbrojtëse. Nuk ka lënë anash as ritet e caktuara.
“Praktikat tradicionale të ritualeve morën kah tjetër. Kremtimi i dasmave dhe ahengjeve familjare u ndaluan, si pasojë e mostubimit të shoqërisë, sepse gjasat për infeksione ishin shumë të mëdha. Për ceremonialin e dasmave, disa nga çiftet e reja kishin shtyrë ditët e parapara për një kohë të pacaktuar, si rezultat i virusit. Kishte raste që martesat ishin realizuar vetëm me rrethin e ngushtë familjar dhe me numër të kufizuar të miqve”, ka thënë Shkodra.
“Java e Albanologjisë” sot e (mërkurë) në ditën e tretë dhe të fundit sjell sesionet e folkloristikës dhe të etnomuzikologjisë në temën “Trashëgimia gojore e muzikore në arkiva: tekstet, zërat dhe tingujt e arkivuar para mundësive të reja teknologjike” dhe atë të historisë në temën “Xehetaria dhe aktivitetet minerare në Kosovë – refleksione historike”.