Kulturë

Raven, fytyra e skenës pikëlluese të “Titanic”

Aktorja Elsa Raven, e cila ka qenë pjesë e filmave të njohur “Back To The Future” dhe “Titanic”, ka vdekur në moshën 91-vjeçare.

Gjatë karrierës së saj të gjatë, ajo është shfaqur edhe në seritë televizive si “Everybody Loves Raymond”, “The A-Team” dhe “Seinfeld”. Por Raveni mbase do të mbahet më së shumti në mend si “Zonja e sahatkullës” në filmin e vitit 1985, “Back To The Future”.

Në këtë film ajo shfaqet duke u dridhur me një kuti kartoni mbajtu në duar, para Marty McFlyt dhe të dashurë së tij Jenniferit, duke kërkuar nga ta ndihmë “për ta shpëtuar sahatkullën”.

Raveni ka vdekur të martën në shtëpinë e saj në Los Angeles, ka konfirmuar agjenti i saj, David Shaul.

Russ Cundiff, producent dhe bashkëthemelues i kompanisë “Divide Pictures”, ishte në mesin e atyre që i ka shprehur ngushëllime familjes nëpërmjet mediave sociale.

“U prehsh në paqe, Elsa – nuk ke mundur ta dish se sa shumë e kemi dashur rolin tënd, unë dhe motra ime, dhe sa e sa herë i kemi cituar fjalët tua!”, ka shkruar Cundiff në Twitter.

E lindur në shtator të 1929-s, Elsa Rabinowitz Raven e filloi karrierën e saj si aktore në qytetin e New Yorkut dhe u shfaq në disa filma të Hollywoodit. Ajo ishte pjesë e disa skenave të filmit “Titanic” më 1997, në të cilin rolet kryesore i kanë ndarë aktorët Leonardo DiCaprio dhe Kate Winslet.

Shumica e skenave të saja ishin hequr nga filmi, por ishin përdorur më vonë për videoklipin e këngës së Celine Dione “My Heart Will Go On”, që ishte kolonë zanore e filmit.

Raven shihet në film në njërën nga skenat më pikëlluese, kur ajo bashkë me burrin e saj qëndrojnë shtrirë dhe të përqafuar në shtrat derisa shtresa e ujit mbërthen në kabinën e tyre të anijes së fundosur më 1912-n “Titanic”, mbi të cilën ngjarje edhe bazohet filmi.

Rolet e saja të tjera janë ai i agjentes së patundshmërive në filmin “Amityville Horror”, si qiradhënësja e aktorit John Malkovichit në filmin “In The Line of Fire” dhe në rolin e Gertrude Steinit në projektin filmik “The Moderns”.

Roli më i madh televiziv i aktores është ai i Ingas, shërbëtore suedeze në filmin “Amen”, si dhe i Lucilles në “Days of Our Lives” dhe Tugboat Tessies në “General Hospital”.

Ajo është shfaqur edhe në disa seriale televizive, përfshirë “3rd Rock From The Sun”, ku e pati rolin e Florences.

Raven ka qenë gjithashtu anëtare e akademisë “The Academy of Motion Picture Arts and Sciences”, juria e së cilës i shpërblen aktorët me çmimet “Oscar”.

Roli i saj i fundi ka qenë në vitin 2011, kur ajo portretizoi rolin e zonjës Harrison në filmim “Answers To Nothing”.