Kulturë

“Ramë Lahaj dhe miqtë” bashkon zërat e botërorë në sheshin e Prishtinës

Dita e parë e gushtit të këtij viti do të memorizohet si data kur publiku në Prishtinë ka shijuar shkëputjet më të bukura të muzikës klasike. Duke pasuar suksesin e koncertit të Filarmonisë së Kosovës në qershor, “Ramë Lahaj dhe miqtë”, siç u quajt koncerti i hapur që u mbajt të enjten po në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet, u ka bërë jehonë arieve të përbotshme të Giuseppe Verdit, Luigi Illicas dhe Giuseppe Giacosas.
1.300 ulëset e vëna në mënyrë simetrike kanë qenë të pamjaftueshme për të akomoduar të gjithë qytetarët e interesuar në Prishtinë për koncertin e tenorit të mirënjohur, shkruan sot Koha Ditore.

Të shumtë ishin ata që kishin zënë vend në shkallët e Teatrit Kombëtar, ashtu sikundër edhe qindra të tjerë shikonin koncertin nga të dyja anët e platformës. Të përzgjedhur sipas një simbolike të veçantë, rreth dyzet instrumentistë nga Shqipëria dhe Filarmonia e Kosovës, nën dirigjentin italian David Crescenzi, kanë shoqëruar për gati dy orë tenorin Ramë Lahaj, sopranon Besa Llugiqi dhe baritonët Kiril Manolov dhe Adhurim Grzda.

E ylli i mbrëmjes, Lahaj, mes duartrokitjeve të pareshtura të publikut, ka thënë se prania e tij në këtë koncert është kënaqësi e veçantë për të.

“Periudhën e fundit kam pasë fatin të këndoj në katër kontinente dhe është vështirë të krahasosh ndjenjën dhe kënaqësinë që jam me ju. Është ndjenjë e jashtëzakonshme, falënderoj Komunën e Prishtinës dhe kryetarin për idenë dhe nismën”, ka thënë ai.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)