Kulturë

“Radical Togetherness” – udhëtim kolektiv me imazhet për ndryshim

radical

“Radical Togetherness” i fton vizitorët të shohin më shumë sesa thjesht pamjet e shkrepura: ajo i fton ta ndiejnë rrjedhën e historisë, kompleksitetin e shoqërisë dhe mundësitë për ndryshim

Nuk është thjesht një ekspozitë fotografike, por “Radical Togetherness” shndërrohet në një përvojë bashkëpunimi dhe vëzhgimi, ku arti analog shndërrohet në një mjet për të eksploruar lidhjet mes të shkuarës dhe të tashmes. Artistët e rinj, duke ecur në qytete dhe fshatra të ndryshme të Kosovës, kanë kapur jo vetëm pamjet e mjediseve dhe monumenteve, por edhe emocionet, sfidat shoqërore dhe ndryshimet kulturore që ato përfaqësojnë. Çdo fotografi flet për kujtime, për dialog dhe për identitete të përziera, duke e kthyer vëzhguesin në një “dëshmitar të heshtur” të një udhëtimi kolektiv

“Radical Togetherness” është një udhëtim vizual dhe emocional përmes fotografisë analoge, që sjell së bashku zëra të rinj nga mbarë Kosova. Përmes kamerave lomografike, artistët e rinj, të quajtur “kolektivi lomosapiens”, eksplorojnë tema të thella sociale, kulturore dhe mjedisore, duke filluar nga kujdesi për natyrën e trashëgimia kulturore, deri te sfidat e urbanizimit dhe risjellja në kujtesë e hapësirave publike pas luftës. Fotografitë e realizuara me lente të veçanta dhe drita të çrregullta, në ekspozitën e hapur të martën pasdite në hapësirat e qendrës “Barabar”, ftojnë vizitorët të ndiejnë çastet e shkrepura, historinë, emocionet dhe pasqyrimet që ato bartin, duke e kthyer çdo imazh në një prezencë të gjallë dhe të thellë.

“Radical Togetherness” nuk është thjesht një ekspozitë fotografike, por është një përvojë bashkëpunimi dhe vëzhgimi, ku arti analog shndërrohet në një mjet për të eksploruar lidhjet mes të shkuarës dhe të tashmes. Artistët e rinj, duke ecur në qytete dhe fshatra të ndryshme të Kosovës, kanë kapur jo vetëm pamjet e mjediseve dhe monumenteve, por edhe emocionet, sfidat shoqërore dhe ndryshimet kulturore që ato përfaqësojnë. Çdo fotografi flet për kujtime, për dialog dhe për identitete të përziera, duke e kthyer vëzhguesin në një “dëshmitar të heshtur” të një udhëtimi kolektiv, ku prezenca e njeriut dhe e mjedisit bashkëjetojnë në mënyrë të ndjeshme.

Si ekspozitë është pjesë e projektit “Barabar Connect”, e implementuar nga organizatat “Integra” dhe “Casa”, me ndihmën e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme përmes Ambasadës së Zvicrës në Kosovë. Fotografitë e ekspozuara paraqesin objekte nga më të ndryshmet: kisha, xhami, monumente të tjera kulturore, imazhe të natyrës pa ndonjë fokus të veçantë, por që krejt kjo ka qenë ideja. Që përmes të rëndomtës të përçojnë mesazhe të veçanta.

Nëpërmjet fotografive, hapat e artistëve në qytete dhe fshatra bëhen një udhëtim i përbashkët që reflekton mbi kujtesën, diversitetin dhe bashkëjetesën

Kuratori i ekspozitës, Korab Krasniqi, ka theksuar rëndësinë e përdorimit të kamerave lomografike. Ka treguar se duke përdorur ato lloj kamerash, artistët e rinj kanë mundur të shprehin më shumë kreativitet përmes shkrepjes së fotografive.

“Koncepti i ekspozitës është i lidhur ngushtë me idenë e filmit analog. Kemi përdorur kamera të lira, të quajtura lomografi, një lloj i veçantë i kamerës analoge që i lejon përdoruesit të shprehë më shumë kreativitet. Fotografitë janë mbledhur nëpër komuna dhe gjeografi të ndryshme nëpër Kosovë. Ideja ka qenë që të ecim nëpër rrugë e nëpër rrethinë dhe të fokusohemi në elemente që përcjellin mesazhe të ndryshme, qoftë në kontekstin historik, shoqëror, politik, ekologjik, apo kulturor”, ka thënë ai, teksa ka folur para një audience relativisht të gjerë, të cilët tashmë kishin parë me vëmendje nga afër secilën prej pjesëve me fotografi.

Ekspozita është ndarë në gjashtë kthina me tema të veçanta, secila me një fokus të veçantë dhe mesazh të thellë. Kuratori Krasniqi ka thënë se kriteri për t’i përzgjedhur temat dhe klasifikimin e fotografive nëpër ato kategori ka qenë i vështirë.

“Nga sasia e përmbajtjes, mund të shihni qindra tema të ndryshme, por pa kriter për t’i përzgjedhur ato, ka qenë e vështirë të vendosim se si t’ia bëjmë. Çfarë shihni këtu janë gjashtë qoshe tematike për këtë ekspozitë, të cilat fokusohen më shumë në të shprehurit e abstraktes nëpër fotografi, në materialitetin e kulturës dhe diversitetit, me theks të veçantë në trashëgiminë kulturore, hapësira me memorialë lufte, grafitë, hapësira publike që janë elemente të së kaluarës së vështirë në vitet ’90, gjatë luftës”, ka shpjeguar ai.

Kthina e titulluar “The Ecology of Care” e drejton vëmendjen te kujdesi për natyrën dhe marrëdhënia jonë me mjedisin, ndërsa “Economy of Nationalism” shfaq mënyrat se si identiteti dhe patriotizmi përjetohen dhe “shiten” në hapësira publike.

Ndarja me temën “Gentrification, Depopulation” dokumenton ndryshimet urbane dhe braktisjen e fshatrave, duke nxjerrë në pah pasojat e pabarazive shoqërore. Krasniqi ka vënë në dukje se pjesa që trajton këto dy dukuri tregon se si po zhvendoset popullsia në vende të ndryshme dhe se si qyteti po zhvillohet në mënyrë të çuditshme.

“Kjo pjesë e fundit përfshin idenë e gentrifikimit, e shohim që të paktën në Prishtinë, qyteti po zhvillohet arkitektonisht në mënyrë të çuditshme dhe në mënyrë të egër, ndërkaq fshatrat dhe viset më të thella po braktisen, andaj ky dyzim se si po zhvendoset popullsia në vende të ndryshme është shumë i rëndësishëm të vështrohet”, ka thënë ai.

“Memoriality and Materiality of War” dhe “Materiality of Culture and Diversity” përqendrohen te trashëgimia kulturore dhe hapësirat e kujtimit, duke reflektuar mbi mënyrën se si historia dhe kultura formësojnë identitetin kolektiv. Në fund, “Disembodied Thoughts” sjell një dimension më abstrakt, ku eksperimenti vizual me drita, lente dhe ekspozime të dyfishta, disa pjesërisht të djegura nga aparati fotografik, fton vizitorët të plotësojnë pjesën e humbur, duke i dhënë kuptim me reflektimet e tyre personale.

Një dhomë e veçantë e ndriçuar me dritë të kuqe paraqet të varura në tela 200 fotografi në format më të vogël dhe 40 seri të filmave 35-milimetërsh, me të gjitha fotografitë që kanë realizuar të rinjtë gjatë ekspeditës së tyre. Krahas dritës, në dhomë jehon një melodi e ngrirë, “Data: matrix” nga Ryoji Ikeda që luan në dhomë si metaforë e cila tregon se si shoqëritë e ruajnë, e kodifikojnë dhe i qasen kujtesës kolektive. Ky instalacion i veçantë e ka trajtuar fotografinë edhe si dokumentim, edhe si gjurmë emocionale, duke nxjerrë relacione me librin “Camera Lucida” të Roland Barthes.

Një dhomë e veçantë e ndriçuar me dritë të kuqe paraqet të varura në tela 200 fotografi në format më të vogël dhe 40 seri të filmave 35-milimetërsh, me të gjitha fotografitë që kanë realizuar të rinjtë gjatë ekspeditës së tyre

Sekretarja e parë e Ambasadës së Zvicrës, Julie Agosti, e ka përshkruar ekspozitën si një thirrje për reflektim dhe bashkëpunim. Ajo ka thënë se duhet të ngrihet si çështje mundësia për të ndryshuar, duke qenë të gjithë bashkë në mënyrë radikale.

“Fotografitë që artistët e rinj kanë shkrepur paraqesin në një vend përshtypjet e sfidave shoqërore në jetën e përditshme, në kujtime, në të tashmen dhe në të ardhmen. U bëjmë thirrje vizitorëve që të ngrenë pyetje për këto koncepte dhe që ta diskutojnë mundësinë e ndryshimit, në aktin e të qenit bashkë, radikalisht”, ka thënë ajo.

Boban Simiq nga organizata “Casa” ka shtuar se ekspozita tregon më shumë se sa praninë e artit, se tregon praninë e njerëzve, të dialogut dhe të mundësisë për të ndërtuar ura mes ndasive.

“Kjo ekspozitë nuk tregon vetëm praninë e artit. Tregon praninë e njerëzve, të dialogut dhe të mundësisë për të ndërtuar ura mes ndasive. Fotografitë që i shihni sonte këtu janë rezultat i një udhëtimi kolektiv, artistë të rinj nga komuniteti janë bërë bashkë për të mësuar, për të eksperimentuar dhe për ta parë shoqërinë edhe me empati edhe me sy kritik”, ka thënë ai.

Ndërsa fotografja Fjolla Aliu e ka përshkruar procesin e realizimit. Sipas saj, pas një trajnimi, ekspedita ka qenë shumë e lehtë.

“Njëherë kemi pasur një trajnim dyditor ku kemi mësuar se si t’i bëjmë fotografitë me aparatin që e ka përzgjedhur ekipi, pastaj një ditë kemi dalë në terren, në Gjakovë, Prizren edhe Pejë, ku e kemi mbledhur materialin për fotografi që sot këtu i kemi prezantuar. Procesi më i vështirë ka qenë se atë ditë binte shi dhe ka qenë pak e vështirë të bëhen fotografitë, por në përgjithësi ka shkuar tepër mirë”, ka thënë ajo për KOHËN.

“Radical Togetherness” i fton vizitorët të shohin më shumë sesa thjesht pamjet e shkrepura: ajo i fton ta ndiejnë rrjedhën e historisë, kompleksitetin e shoqërisë dhe mundësitë për ndryshim. Nëpërmjet fotografive, hapat e artistëve në qytete dhe fshatra bëhen një udhëtim i përbashkët që reflekton mbi kujtesën, diversitetin dhe bashkëjetesën. Ekspozita, e cila do të jetë e hapur deri më 19 shtator, demonstron se arti mund të jetë jo vetëm dokumentim, por edhe mjet për dialog dhe empati, duke i kujtuar secilit se prezenca, dëgjimi dhe reflektimi janë po aq të rëndësishme sa vetë imazhet që shihen.