Muzikanti jashtëzakonisht i talentuar dhe manjati i industrisë, Quincy Jones, gjatë karrierës disadekadëshe ka punuar me yje të tilla si Michael Jackson, Frank Sinatra, Will Smith dhe të tjerë. Ai ishte një kompozitor i suksesshëm i dhjetëra kompozimeve për filma dhe kishte shumë hite në top-lista që mbanin emrin e tij. Jones ishte aranzhues për yjet e muzikës jazz – përfshirë këtu pianistin legjendar, Count Basie – dhe një multiinstrumentist, më i shkathëti në trumbetë dhe piano
Quincy Jones, një titan në skenën argëtuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili punoi me yje të shumta, duke filluar nga Frank Sinatra te Michael Jacksoni dhe Will Smithi, ka vdekur. Ai ishte 91vjeç.
Zëdhënësi i Jonesit, Arnold Robinson, tregoi se ai vdiq të dielën mbrëma në shtëpinë e tij në Los Angeles, i rrethuar nga familja e tij.
“Sonte, me zemra plot por të thyera, ne duhet të ndajnë lajmin e vdekjes së babait dhe vëllait tone, Quincy Jones,” u shpreh familja në një deklaratë. “Dhe ndonëse kjo është një humbje e jashtëzakonshme për familjen tonë, ne festojmë jetën e shkëlqyer që ai jetoi dhe e dimë se nuk do të ketë kurrë një tjetër si ai”.
Jones ishte pa dyshim figura më e gjithanshme e kulturës pop të shekullit të 20-të. Ndoshta më së shumti shquhej për prodhimin e albumeve, “Off the Wall”, “Thriller” dhe “Bad” për Michael Jacksonin në vitet ‘80, të cilat e bënë këngëtarin, yllin më të madh të popit të të gjitha kohëve. Jones gjithashtu prodhoi muzikë për artistët legjendarë, Frank Sinatra, Aretha Franklin, Donna Summer dhe shumë të tjerë.
Artisti i 28 trofeve “Grammy”
Ai ishte gjithashtu një kompozitor i suksesshëm i dhjetëra kompozimeve për filma dhe kishte shumë hite në top-lista që mbanin emrin e tij. Jones ishte aranzhues për yjet e muzikës jazz – përfshirë këtu pianistin legjendar, Count Basie – dhe një multiinstrumentist, më i shkathëti në trumbetë dhe piano. Kompania e tij e prodhimit për televizion dhe film, e themeluar në vitin 1990, pati sukses të madh me serialin “The Fresh Prince of Bel-Air” dhe seriale të tjera. Ai vazhdoi të krijonte kryevepra deri në moshë të shtyrë, në vitet e tij ‘80, duke themeluar “Qwest TV” në vitin 2017, një shërbim televiziv muzikor sipas porosisë. Jones është i treti pas yjeve Beyoncé dhe Jay-Z për numrin më të madh të nominimeve për çmim “Grammy” në historinë e kësaj ceremonie dhe është artisti i tretë më i dekoruar me këtë shpërblim, gjithsej 28 trofe.
Mes artistëve që bënë homazhe menjëherë pas lajmit për vdekjen e Jonesit ishte edhe aktori Michael Caine, i cili e ndan ditëlindjen me të, 14 mars 1933.
“Binjaku im i ditëlindjes, Quincy, ishte një titan në botën muzikore. Ishte një njëri i mrekullueshëm dhe unik. Jam me fat që e kam njohur”, shkroi Caine.
Dramaturgu dhe aktori, Jeremy O. Harris, i bëri homazhe kontributit “të pakufishëm” të Jonesit në kulturën amerikane, duke shkruar: “Çfarë nuk mund të bënte? Quincy Jones, i lindur në një kohë kur limitet mbi atë çfarë mund të ëndërronte një djalë i racës së zezë ishin të paimagjinueshëm, na mësoi se kufizimi nuk ekziston”.
Jones u lind në Chicago. Babai i tij, gjysmë i bardhë, kishte lindur nga afera e një pronari të skllevërve me një nga skllavet e tij, ndërsa familja e nënës së tij gjithashtu kishte origjinë të ngjashme. Njohja e Jonesit me muzikën erdhi përmes mureve të shtëpisë ku është rritur, teksa dëgjonte tingujt e pianos të luajtura nga një fqinj. Ai filloi ta mësojë këtë instrument në moshën shtatëvjeçare, me ndihmën e së ëmës e cila këndonte për të. Prindërit e tij u ndanë dhe ai u shpërngul me të atin në Washington, ku mësoi të luante në daulle dhe një sërë instrumentesh të tjera në bendin e shkollës së mesme. Në moshën 14-vjeçare, filloi të bënte muzikë në një grup me 16-vjeçarin, Ray Charles, në klubet e Seattle, duke e shoqëruar edhe ikonën Billie Holiday në vitin 1948.
Rënia e ngritja
Ai studioi muzikë në Universitetin e Seattle, duke u transferuar në lindje për të vazhduar shkollimin e tij në Boston, dhe më pas u zhvendos në New York pasi u ripunësua nga lideri i grupit të jazzit, Lionel Hampton, me të cilin kishte bërë turne si nxënës i shkollës së mesme.
Në New York, një nga performancat e tij të para ishte interpretimi në trumbetë në grupin e Elvis Presleyt, për paraqitjet e hershme të aktorit në televizion. Në atë periudhë kohore takoi edhe yjet jazzit në rritje e sipër si, Charlie Parker dhe Miles Davis. (Vite më vonë, në vitin 1991, Jones e drejtoi performancën e fundit të Davisit, dy muaj para se ai të vdiste).
Jones bëri turne në Evropë me Hamptonin dhe kaloi shumë kohë atje në vitet ‘50, duke përfshirë një periudhë për të avancuar studimet e tij në Paris ku takoi figura të shquara si, Pablo Picasso, James Baldwin dhe Josephine Baker. Në moshën 23-vjeçare ai gjithashtu bëri turne në Amerikën e Jugut dhe Lindjen e Mesme, si drejtues muzikor dhe aranzhues i artistit, Dizzy Gillespie. Ai mblodhi një ekip të shkëlqyer për grupin e tij të madh duke bërë turne në Evropë, si një mënyrë për të testuar stilin ‘Free and Easy’ të muzikës jazz, por kjo përpjekje e dështuar bëri që Jonesi të mbetet i dëshpëruar, shumë afër vetëvrasjes dhe me ngarkesën e një borxhi prej 100 mijë dollarësh. Ai e siguroi një punë në kompaninë “Mercury Records” dhe ngadalë e shleu borxhin me shumë punë si prodhues dhe aranzhues për artistë të shquar si: Ella Fitzgerald, Dinah Washington, Peggy Lee, Sarah Vaughan dhe Sammy Davis Jr. Jones gjithashtu filloi të kompozonte muzikë për filma. Disa prej tyre ishin, “The Italian Job”, “In the Heat of the Night”, “The Getaway” dhe “The Color Purple”. Ai ka shërbyer dhe si producent i këtij të fundit, që u nominua për 11 çmime “Oscar”, tri i dedikoheshin personalisht Jonesit. Në vitin 1968 u bë afro-amerikani i parë që u nominua për “Oscar” në kategorinë “Kënga më e mirë origjinale”, për “The Eyes of Love” nga filmi “Banning”. Për televizion, ai kompozoi muzikë për seriale si, “The Bill Cosby Show”, “Ironside” dhe “Roots”.
Bashkëpunimi i tij me Sinatran filloi në vitin 1958, kur Grace Kelly, princesha e Monakos e angazhoi për të drejtuar dhe aranzhuar muzikën për Sinatran dhe grupin e tij për një ngjarje bamirësie. Jones dhe Sinatra vazhduan të punonin në projekte deri në albumin e fundit të Sinatras, “LA Is My Lady” në vitin 1984. Karriera e Jonesit si solo-artist mori flakë në fund të viteve ‘50, duke incizuar albume me emrin e tij si lider grupi për ansamble të jazzit që përfshinin figura të shquara si, Charles Mingus, Art Pepper dhe Freddie Hubbard. Kah mesi i viteve ’60, ai prodhoi hite që fituan miliona dollarë për këngëtaren e New Yorkut, Lesley Gore, përfshirë hitin numër 1 në SHBA, “It’s My Party”. Më vonë filloi të krijojë në zhanret funk dhe disco, duke prodhuar hite si, “Give Me the Night” e interpretuar nga George Benson dhe “Baby Come to Me”, nga dyshja Patti Austin dhe James Ingram, së bashku me incizimet e grupit “Rufus” dhe artistes Chaka Khan, si dhe bendin “Brothers Johnson”.
Suksesi me Michael Jacksonin
Jones gjithashtu publikoi materialin e tij të zhanrit funk, duke arritur të pozicionohet në top-dhjetëshe të listave muzikore në SHBA me albumet, “Body Heat” (1974) dhe “The Dude” (1981). Suksesi i tij më i madh në këtë stil të muzikës ishte puna me Michael Jacksonin. “Thriller” mbetet albumi më i shitur i të gjitha kohëve, ndërsa shkathtësia e Jonesit në albumet “Off the Wall” dhe “Bad”, i mundësoi Jacksonit të metamorfizohej si artist. Ai dhe Jackson (bashkë me Lionel Richien dhe producentin Michael Omartian) gjithashtu krijuan hitin “We Are the World”, një këngë bamirëse jashtëzakonisht e suksesshme që mblodhi fonde për të ndihmuar shuarjen e urisë në Etiopi në bitin 1985.
“E kam humbur vëllanë tim të vogël sot, dhe një pjesë e shpirtit tim ka shkuar me të”, tha Jones kur Jackson vdiq më 2009.
Pas suksesit të filmit “The Color Purple” në vitin 1985, ai e themeloi kompaninë filmike dhe televizive “Quincy Jones Entertainment”. Hiti i tij më i madh televiziv ishte seriali ,“The Fresh Prince of Bel-Air”, i cili u transmetua për 148 episode dhe e lansoi karrierën e yllit të filmit dhe muzikës, Will Smith. Po ashtu e krijoi kompaninë mediale, “Qwest Broadcasting” dhe në vitin 1993 edhe revistën muzikore “Vibe”, në bashkëpunim me kompaninë “Time Inc”. Gjatë karrierës së tij, Jones mbështeti shumë kauza humanitare dhe organizata bamirëse përfshirë, “Asociacionin Kombëtar për Avancimin e Njerëzve me Ngjyrë”, “Fondacionin e Jazzit në Amerikë” dhe të tjerë. Ka shërbyer edhe si mentor për muzikantë të rinj, përfshirë fituesin e shumëfishtë të “Grammyt”, Jacob Collier.
Karriera e tij e shquar ishte dy herë afër përfundimit: ai mrekullisht iu shmang vdekja nga sekti i Charles Mansonit në vitin 1969, pasi kishte planifikuar të shkonte në shtëpinë e Sharon Tate në natën kur ndodhën vrasjet e tmerrshme atje, por fatmirësisht Jones kishte harruar këtë takim. Ai gjithashtu i mbijetoi një aneurizmi në tru më 1974, që e ndaloi të luante përsëri trumbetë nga frika se do t’i shkaktoheshin dëme të tjera.
Jones ishte martuar tri herë, së pari me të dashurën e tij nga shkolla e mesme Jeri Caldwell, për nëntë vjet deri në vitin 1966. Nga kjo martesë lindi vajza e tyre Jolie. Në vitin 1967 ai u martua me Ulla Anderssonin dhe pati një djalë dhe një vajzë, duke u shkurorëzuar më 1974 për t'u martuar me aktoren, Peggy Lipton, e njohur më së shumti për rolet në “The Mod Squad” dhe “Twin Peaks”, me të cilën i ka dhe dy vajza. Jones kishte dhe dy fëmijë të tjerë jashtëmartesorë, Rachel, me një valltare të quajtur Carol Reynolds dhe Kenya, vajza e tij me aktoren Nastassja Kinski.
Ai nuk u martua më, por vazhdoi të krijonte lidhje me gra më të reja në moshë. Ajo që bëri më së shumti bujë ishte lidhja njëvjeçare me disenjatoren egjiptiane 19-vjeçare, Heba Elawadi, kur ai ishte 73 vjeç. Ai gjithashtu ka thënë se ka pasur lidhje me Ivanka Trumpin dhe Juliette Grécon. Jones la pas shtatë fëmijët e tij.
Artistë të tjerë që i bënë homazhe ishin, LL Cool J, i cili shkroi: “Ishte një baba dhe një shembull për mua, në një kohë kur me të vërtetë kisha nevojë. Një mentor i mrekullueshëm, shembull për t’u ndjekur, një mbret i vërtetë. Më dhe mundësi dhe ndave mençuri me mua. Muzika nuk do të ishte muzikë pa ty”.
Femi Koleoso, lider i grupit të muzikës jazz “Ezra Collective” të shpërblyer me çmim “Mercury”, e quajti Quince Jonesin një “mjeshtër të muzikës dhe shpirt të bukur”.