Kulturë

Qeveria s’i jep 2 mijë euro për prezantimin e “Pesë stinëve...” në Francë

Shfaqja “Pesë stinët e armikut të popullit” është ftuar të jetë pjesë e festivalit ndërkombëtar të teatrove “Sens Interdits” në Lyon të Francës. Ministria e Kulturës është përgjigjur negativisht sa i përket mbulimit të aviobiletave të ekipit. Llogaritjet janë të kushtojnë rreth 2 mijë euro. Udhëheqësit e qendrës “Multimedia” pas Ministrisë së Kulturës do t’ua mësyjnë ambasadave për të kërkuar mbështetje, por janë të zhgënjyer me qasjen e autoriteteve shtetërore. MKRS-ja është arsyetuar se e ka refuzuar kërkesën për “shkak të obligimeve financiare dhe planifikimeve buxhetore”

Në fjalimet e politikanëve artistët dhe sportistët gjithmonë marrin epitetin e “ambasadorëve më të mirë” që ka Kosova. E deklarativisht udhëheqësit qeveritarë me plot gojën thonë se mbështetja për prezantimin e artit vendor nëpër botë do të rritet. Bile Qeveria aktuale ka bërë alamet premtimesh për kulturën në përgjithësi e sidomos për skenën e pavarur të artit.

“Rishikimi i politikës për skenën e pavarur të artit” është pjesë e Programit të Qeverisë të miratuar vitin e kaluar. Zyrtarët aktualë të Qeverisë rrallë mungojnë në ngjarje kulturore. E në rrjete sociale shkruajnë vlerësime të larta sidomos për shfaqje të teatrit.

Ministria e Kulturës ende nuk ka dalë me rezultatet e konkursit vjetor për projekte kulturore e artistike të këtij viti, megjithëse ka shkuar gati gjysma e tij. E kërkesave direkte për mbështetje po u kthen përgjigje negative.

Shfaqja “Pesë stinët e armikut të popullit” është ftuar të jetë pjesë e festivalit ndërkombëtar të teatrove “Sens Interdits” në Lyon të Francës. Ministria e Kulturës është përgjigjur negativisht sa i përket mbulimit të aviobiletave të ekipit. Llogaritjet janë të kushtojnë rreth 2 mijë euro. Udhëheqësit e qendrës “Multimedia” pas Ministrisë së Kulturës do t’ua mësyjnë ambasadave për të kërkuar mbështetje.

Festivali që ka nisur në vitin 2009, në qytetin francez, ka për synim që të nxjerrë në pah problemet që i trajton ai, që njihet si “teatër politik”. Në informacionet e pakta që janë publikuar nga organizatorët e festivalit, që mbahet në teatrot e Lyonit, është bërë e ditur se edicioni i sivjetmë do të mbahet prej 13 deri më 30 tetor. I kanë dërguar ftesë qendrës “Multimedia” në Prishtinë që shfaqja “Pesë stinët e armikut të popullit”, me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, të marre pjesë në Festival. Në ftesën e dërguar më 27 maj shkruhet se shfaqja do të jepet me 23 dhe 24 tetor në mesin e 13 deri në 15 trupave teatrore që marrin pjesë sivjet. “Pesë stinët...” do të jepet në Teatrin e Renesancës në Oullins afër Lyonit.

Me të marrë ftesën qendra “Multimedia” i është drejtuar MKRS-së, me një kërkesë për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit.

“’Sens Interdits’ ka siguruar shumicën e shpenzimeve, duke përfshirë edhe qëndrimin, realizimin e skenografisë, shpenzimet e vizave e të tjera, ndërkohë që ekipi është duke kërkuar mbështetje për të mbuluar shpenzimet e 13 biletave kthyese Prishtinë – Lyon. Prandaj po ju shkruajmë, duke shpresuar që MKRS-ja e ka të mundshme ta mbështesë udhëtimin e ekipit të shfaqjes, përmes mbulimit të shpenzimeve për këto bileta të aeroplanit”, shkruhet në kërkesën që i është dërguar ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Por përgjigjja e kabinetit të ministrit Hajrulla Çeku ka qenë negative.

“Bazuar në kërkesën tuaj për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit. Me keqardhje ju njoftojmë se për shkak të obligimeve financiare dhe planifikimeve buxhetore që ka Ministria, nuk do të mund t’ju sigurojmë shpenzimet e udhëtimit”, shkruhet në përgjigjen elektronike. Kabineti i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, nuk i është përgjigjur KOHËS sa i përket kësaj çështjeje. Prezantimi në Francë i shfaqjes, që është dhënë premierë në Prishtinë në shtator të vitit 2019, mbetet në dorë të donatorëve të huaj. Ambasada e Francës në Kosovë është dera e radhës ku do të trokitet për mbështetje.

“Më duket e pakuptimtë, dëshpëruese... pavarësisht se mund të jenë të kurthuar në çështje administrative e legaliteti, kërkesat si kjo nuk mund të refuzohen me kaq lehtësi. Pikë. S’ka kuptim të ndahen çmime teatri dhe të bëhen fotografime në këto ceremoni koti, e në anën tjetër, kur këta artistë kërkojnë mbështetje për punën e tyre, të mos mbështeten”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq qendrën “Multimedia”. Sipas tij, rastet si ky nuk duhet të ndodhin kur bëhet fjalë për një festival ndërkombëtar.

“Nuk ka turp më të madh, nëse pjesëmarrja jonë pamundësohet për këto 2 mijë euro të Ministrisë, aq sa besoj se do të kushtonin biletat deri ne Lyon. Natyrisht ne do të shkojmë e pastaj natyrisht mund të vijmë të bëjmë edhe një foto me ministrin, si pjesë e shout-medial, për ‘artistët tanë të suksesshëm në botë’”, ka thënë Neziraj.

Nën regjinë e Blerta Nezirajt, shfaqja “Pesë stinët e armikut të popullit” është një histori që rimon jo vetëm në emër me atë që shkroi 137 vjet më parë dramaturgu norvegjez Henrik Ibsen. Por ndryshe nga Stockmanni, protagonisti prishtinas është histori prej mishi dhe gjaku. Është fjala për arkitektin Rexhep Luci, heroi përtej kohës së tij, që guxoi të përballej me ndërtuesit ilegalë që ia zinin frymën Prishtinës.

Bëhet fjalë për arkitektin që u bë ikonë për Prishtinën me këmbënguljen e tij për t’iu vënë fre mijëra ngrehinave të betonta e shumëkatësheve që janë sot e gjithë ditën krimi i pafalshëm ndaj rregullit urban.

Në natën e 10 shtatorit të vitit 2000, një mesoburrë me mustaqe po kthehej nga një prezantim në hotelin “Grand”, ku kishte shpërfaqur strategjinë e re urbane “Vizioni 2000-2005”. Arkitekti Luci nuk do të jetonte më gjatë se ajo natë tragjike që vizionin e tij e preu me plumba.

Kjo shfaqje ishte vlerësuar lart edhe nga vetë kryeministri aktual, Albin Kurti.

“Ajri i ftohtë ishte i mbushur me dramë. Para nesh: historiku i rrënimit të qytetit përmes ndërtimit për të ardhmen. Realiteti tragjik i ribërë tragjedi reale. Nga mbrëmë, shfaqja ‘Pesë stinët e armikut të popullit’ e Jeton Nezirajt e me regji të Blerta Nezirajt nuk më lë të qetë. Një përpjekje epike për të ilustruar shkatërrimin të cilin e popullojmë dhe mbijetojmë”, kishte shkruar në rrjete sociale kryeministri Kurti pasi e kishte parë shfaqjen. E tash i qetë nuk është as stafi i shfaqjes, shkaku i përgjigjes së Qeverisë që e udhëheq vetë Albin Kurti, pasi duhet të sigurojnë mjetet për ta prezantuar “Pesë stinët e armikut të popullit” në Francë,