Krejt ata që janë të interesuar të bëjnë një film, të dinë prapavijën kulturore të shoqeve dhe shokëve, këtë mund ta bëjnë duke qenë pjesë e punëtorisë “Border Pass”, që pritet të bëjë bashkë 15 pjesëmarrës që nën mbikëqyrjen e tutorëve do të mësojnë të realizojnë filma dokumentarë. “BorderPass” është projekt i disa festivaleve të bëra bashkë, përfshirë edhe festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, që mbahet në Prizren. Punëtoria do të mbahet prej 2 deri më 11 tetor të këtij viti, ndërsa data e fundit për aplikim është 15 korriku. Grupmosha 15 deri në 19 vjet do të jetë targeti i përzgjedhjes nga organizatorët. Këtë vit për shkak të përhapjes së virusit COVID-19, e gjithë punëtoria do të zhvillohet online.
Alba Çakalli, producente e festivalit “DokuFest”, ka thënë për KOHËN se qëllimi i kësaj punëtorie është të krijohet një platformë për të rinjtë
“Një platformë ku ata do të kenë mundësinë për t’u shprehur lidhur me tema të ndryshme nëpërmjet tregimeve audiovizuele. Po ashtu, bashkëpunimi rajonal në mes të festivaleve u jep të rinjve mundësi t’i shkëmbejnë përvojat e tyre dhe të njihen më mirë me njëri-tjetrin”, ka thënë Çakalli. Duke iu referuar edicioneve të kaluara, ka thënë se të rinjtë e përzgjedhur nga Kosova kanë pasur mundësi të udhëtojnë në vendet fqinje për t’u njohur më mirë me kulturën dhe mënyrën e jetesës në vendet e rajonit.
Edicioni i parë i punëtorisë “Border Pass” është realizuar në Prizren në vitin 2018. Të rinjtë e përzgjedhur nga Kosova, Bosnjë-Hercegovina, si dhe nga Serbia kishin pasur mundësinë e ndjekjes së ligjëratave dhe zhvillimit të aftësive për realizimin e tregimeve audiovizuele pikërisht në “DokuFest”. Ky projekt pastaj vazhdoi në Bosnjë-Hercegovinë, ku të rinjtë e katër vendeve, përveç ndjekjes së ligjëratave, kishin mundësinë e njohjes së drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin. Shfaqja e tregimeve audiovizuele në përfundim të punëtorisë u realizua në Zvicër.
Përveç “DokuFestit”, organizatorë të kësaj punëtorie janë edhe tri festivale të tjera: “Swiss Youth Film Festival” (Zvicër), “KREF Filmski Festival” (Serbi) dhe “Pravo Ljudski” (Bosnjë-Hercegovinë).
“Punëtoria ka qenë e paraparë të realizohej në Serbi, mirëpo për shkak të rrethanave të krijuara nga COVID – 19 do të realizohet online dhe në gjuhen angleze. Pjesa e xhirimit të filmave do të përcaktohet në vjeshtë, varësisht prej rrethanave që do të krijohen. Forma e xhirimit (kamerë apo smart phone) do të përcaktohet nga tutorët, të cilët do ta udhëheqin punëtorinë”, ka thënë Çakalli. Ajo ka treguar se akoma nuk janë përcaktuar tutorët dhe ka thënë se procesi i përzgjedhjes së tyre do të realizohet pas mbylljes së thirrjes për aplikim.