Prishtinë, 8 maj – Monumenti që gjendet krejt afër qendrës së Prishtinës është shndërruar në pikë mosmarrëveshjeje midis institucioneve të trashëgimisë kulturore e pronarëve. Shtëpia e Musli Hoxhës, që gjendet në rrugën “Luan Haradinaj”, qysh në qershor të vitit 2016, bashkë me 12 asete të tjera të trashëgimisë kulturore në kryeqytet ishin futur në listën e “objekteve me rrezikshmëri të lartë”.
E në ditën e parë të shkurtit të vitit 2017, Komuna e Prishtinës e rrethoi me shirit duke bllokuar ecjen në afërsi të saj. Më pas ishte rrethuar edhe me llamarinë. Tentimi i institucioneve të trashëgimisë kulturore për të hartuar një projekt restaurimi e konservimi ka bërë që të dalin në pah mosmarrëveshjet midis shtetit e pronarëve. Krejt çfarë ka mundur të bëjë Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulture në Prishtinë është rrethimi me skele e vendosja e disa shtyllave si ndërhyrje emergjente që monumenti të mos shembet. Tash, gati dy vjet qëndron kësisoj.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDrejtoresha e QRKT-së në Prishtinë, Edona Gashi-Dërguti, ka thënë se procesi i ndërhyrjes në këtë monument nuk mund të ecë përpara shkaku i pronarëve.
“Kemi mbetur të vazhdojë hartimi i projektit sa i përket restaurimit dhe zbatimit të tij. MKRS-ja u ka dërguar letër pronarëve dhe ka kërkuar bashkëpunim. Sipas pronarëve, lënda është dërguar në gjykatë dhe derisa të merret një vendim nuk mund të ndërmarrim asgjë. MKRS-ja ka qenë e gatshme ta hartojë projektin dhe ta bëjë restaurimin”, ka thënë Gashi-Dërguti.
Familja Hoxha vazhdimisht ka insistuar që shteti të bëjë një zgjidhje sa i përket çështjes së banimit të tyre. Shtëpia e ndërtuar më 1927 nuk ofron kushte e siguri për ta, pasi muret e saj janë çarë dhe pjesa ballore ka anuar në drejtim të rrugës.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")