Kulturë

Projekti në sirtar, Komuna midis dy opsioneve për sallë koncertale

Menaxhmenti i ri i kryeqytetit është para dy opsioneve: ta çojë përpara procesin që e bën ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” sallë koncertale apo të nisë procedura për tjetër lokacion. Projekti ideor është gati dhe është paraparë për opsionin e parë. Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, në programin me të cilin ka kërkuar përkrahje të qytetarëve, sallën koncertale e ka “zhvendosur” prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, por do ta çojë përpara atë që bëhet më shpejt

Tash e nëntë muaj Komuna e Prishtinës ka zgjedhur projektin për sallë koncertale. Por prej atëherë, projekti ka mbetur në nivel ideor. Tash menaxhmenti i ri i kryeqytetit është para dy opsioneve: ta çojë përpara procesin që e bën ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” sallë koncertale apo të nisë procedura për tjetër lokacion.

Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, në programin me të cilin ka kërkuar përkrahje të qytetarëve, sallën koncertale e ka të paraparë prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

Të dielën e fundit të janarit, ai kishte qenë në koncertin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës. Kishte thënë se për fat të keq nuk ka ndërruar asgjë për të mirë, por vetëm është degraduar Salla e Kuqe. Ka treguar se ka pasur takime edhe me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, sa i përket infrastrukturës kulturore në kryeqytet.

“Kemi pasur më shumë se një takim dhe kemi biseduar për nevojat për sallë koncertale, por edhe për hapësirat e tjera kulturore. Për fat të keq kemi lënë anash gjithë spektrin e kulturës. Kemi talente fantastike, por nuk kemi hapësira për ta. Janë si të pashtëpi”, kishte thënë ai. Njëri prej takimeve të fundit me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, ka qenë ai i 7 shkurtit, të cilin kryetari Rama me një postim në rrjete sociale e kishte përshkruar si “takim dinamik” përderisa kishte shkruar se kultura dhe sporti, si dy sfera mjaft vibrante, natyrisht se kërkojnë bashkërendim frekuencash të nivelit qendror me atë lokal për t’i plotësuar nevojat e qytetit”.

Rama ka folur edhe për takime me përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe ka përmendur edhe projektin ideor për sallë te “Gërmia”.

Në ditën e tretë të këtij muaji kishte diskutuar për projektet e Hekurudhës dhe të Sallës Koncertale me udhëheqësin e Komisionit nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa. Shkurtazi kishte njoftuar se janë fokusuar në vlerësimin e hapave të mëtutjeshëm që do të ndërmarrin si komunë për t’i evituar vështirësitë potenciale.

“Projekti ideor veç është krijuar. Tash është faza e dytë. Ta shohim se cila mund të bëhet përpara. Do të thotë pozicionimi në ndërtesën e ‘Gërmisë’ apo pika tjetër që është prapa Pallatit të Rinisë. Jemi duke i bërë këto analiza dhe cilado që tregon se mund të bëhet më së pari, atëherë do ta shtyjmë përpara”, ka thënë Rama për KOHËN, pasi kishte ndjekur koncertin e Filharmonisë.

Në takimet me komunitetin evropian janë në diskutime nëse janë të gatshme fondet në mënyrë që të shtyhen proceset përpara. Rama është betuar si kryetar më 7 dhjetor.

Para se të dilte nga zyrat, kabineti i ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, KOHA kishte kërkuar informacione se deri ku ka shkuar procesi me sallë koncertale.

Ish-drejtori i Kulturës, Adrian Berisha, kishte thënë se kanë përfunduar proceset administrative dhe pagesat për tri projektet që ishin renditur të parat.

“Bashkimi Evropian përmes fondeve të IPA 2 ka ndarë buxhetin prej 1 milion eurosh për hartimin e projektit kryesor tek ‘One roof’ dhe shumë shpejt pritet të fillojë procedura e negocimit në mes të BE-së dhe konsorciumit fitues të projektit për sallën koncertale të udhëhequr nga ‘Kengo Kuma Architects’”, kishte treguar ai nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Kishte thënë se kanë dërguar kërkesën për aplikim për fondet IPA3 për mbështetje potenciale përmes skemave të granteve për realizimin e projektit.

“Shuma e projektit final pritet të jetë diku rreth 15 milionë euro dhe ne si Komunë e Prishtinës dhe MKRS-ja kemi shprehur gatishmëri që të bashkëfinancojmë projektin në fjalë, ku kemi potencuar që jemi të gatshëm të kontribuojmë deri në vlerën prej 5 milionë eurove”, kishte thënë ai.

Por shpresonte që i gjithë projekti të mbulohej nga mjetet e Bashkimit Evropian.

“Por, mbetet të shihet në fund se sa është shuma e cila do të ndahet për këtë projekt nga IPA3 dhe ka gjase që i gjithë projekti me vlerë prej 15 milionë eurosh të financohet nga BE-ja përmes fondeve IPA3”, kishte thënë Berisha.

Arkitekti Bekim Ramku së bashku me japonezin Kengo Kuma janë hartuesit e projektit ideor. Ai ka thënë në javën e parë të këtij muaji se ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim zyrtar sa i përket projektit final.

“Neve ende nuk na kanë kontaktuar për projektin kryesor”, ka thënë ai.

Në prill të vitit 2021 Komuna e Prishtinës kishte bërë publik vlerësimin e jurisë në përbërje të vendorëve dhe ndërkombëtarëve sa u përket tri projekteve ideore për sallën koncertale.

Komuna synonte që ta realizonte projektin që ka marrë më së shumti pikë – “One Roof – Germia for Concert Hall” – i realizuar nga arkitekti me nam botëror, japonezi Kengo Kuma, në partneritet me kolegun e tij në Kosovë, Bekim Ramku, dhe me ekipin e inxhinierëve nga Stambolli dhe New Yorku, Ahmed Topbas dhe Akim Mühendislik. Shpërblimi për këtë projekt qe 50 mijë euro.

Juria në përbërje të Mohsen Mostafavi, Andrija Rusan dhe Han Tümertekin, profesorë të shquar të arkitekturës nga Harvardi, Zagrebi dhe Stambolli së bashku me dy përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, një nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës, kishin vendosur që në vendin e dytë me 74.84 pikë të jetë projekti i operatorëve “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion project, MA Studio & Partners”, që kishte shifrën 1897. Shpërblimi financiar qe 30 mijë euro. I treti është renditur projekti me operatorët “Arbër Sadiku B.I, G+A Architects” me shifrën 6 969. Ka marrë 70.12 pikë dhe shpërblimi financiar prej 20 mijë eurosh. Pos Sadikut, bashkautor është edhe Gëzim Paçarizi. Sadiku këtë muaj është emëruar drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Ministria e Kulturës e përkrah projektin që e shndërron ish-shtëpinë e mallrave “Gërmia” në sallë koncertale. Këtë e ka thënë ministri Çeku në konferencën e fundvitit në dhjetor, por edhe në emisionin “Desku” në KTV më 21 janar.

“Salla koncertale, sipas të gjitha gjasave, vazhdon në objektin e ish-Gërmisë”, kishte thënë ai. Projekti duhet të miratohet edhe nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, pasi ish-shtëpia e mallrave është monument nën mbrojtje të përkohshme. “Na duhet ta bëjmë një kompromis”, i ka thënë KOHËS një zyrtar i lartë i Ministrisë së Kulturës i pyetur në lidhje me mundësinë që të miratohet projekti.

Si pasojë e mosmarrëveshjeve midis nivelit lokal dhe atij qendror, Komuna e Prishtinës më 2019 kishte humbur mundësinë që të përfitonte 11.4 milionë euro për këtë projekt në kuadër të fondeve të Komisionit Evropian, “IPA 2019”. Ato ishin ridestinuar për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”.

Në nëntor të vitit të kaluar, Ahmeti kishte thënë se në rast se ndërtesa e adaptuar do të kushtojë 10 milionë euro, do ta kenë të nevojshme ndihmën e Këshillit të Evropës, por nëse ka kosto prej 5 milionë eurosh, Komuna do ta financojë vetë.

“Nëse donatorët e tjerë bashkëngjiten – mirë, nëse jo, vazhdojmë vetë”, kishte thënë ai.

Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ndërtesën e ish-“Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.

Më pas, në tetor të vitit 2018, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale.

“Ndërtesës i ruhet pamja e jashtme në pajtim me Ligjin për trashëgimi kulturore”, shkruhej në pikën e tretë të vendimit të datës 23 tetor 2018. Më 19 mars të atij viti, Qeveria e kishte ndryshuar vendimin. Kishte hequr pikën tre, duke hequr dorë nga ruajtja e pamjes së jashtme, edhe pse ekzekutivi nuk ka kurrfarë kompetence ligjore sa i përket ndryshimit apo jo të pamjes a çfarëdo ndërhyrjeje në monumente. Krejt kjo kishte bërë që fondet e KE-së të ridestinohen dhe të humbasë mundësia që kryeqyteti të ketë një sallë koncertale që ndërtohej kryesisht me donacion. Prej vitit 2006 është dhënë ideja që objekti i ish-“Gërmisë” të shndërrohej në muze të artit bashkëkohor.