Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Problemi modern i diversitetit të religjioneve

Pasuesi i cilësdo fe, qoftë i krishterë, mysliman apo hindu, që nuk është i gatshëm ta pranojë dëshminë për prezencën e Hyjnores në religjionet e tjera, është në rrezik ta humbë të kuptuarit e fesë së tij. Prandaj, detyra e të kuptuarit të religjioneve të tjera me dashamirësi nuk është vetëm e interesit shkencor, por edhe e domethënies në planin fetar dhe teologjik. Kjo është detyrë të cilën të gjithë ata që janë zgjedhur ta kryejnë duhet ta bëjnë, sepse është obligimi i tyre më i madh ndaj fesë vetjake dhe, natyrisht, ndaj njerëzimit

Këtu është rishtas e nevojshme të vërtetohet principi se kurrë nuk duhet sjellë Absolutin në cilindo nivel, sepse Absoluti në bazë të domosdoshmërisë është vetëm Ai dhe asgjë tjetër. Të përzihet Absoluti me manifestimet e tij do të thotë të shkatërrosh mundësinë e të kuptuarit të manifestimit të absolutëve të tjerë. Nëse, për shembull, dikush thotë se mësimet etike të “Ligjit Hyjnor” të religjionit të tij janë vetvetiu absolute, para se ato të jenë “relativisht absolute”, që megjithatë është absolut në botën në të cilën jeton njeriu, atëherë ai i kthen të gjitha sistemet e tjera etike në sisteme të pastra relative dhe të privuara nga mbrojtja qiellore. Prandaj, njerëzit e tjerë duken joetikë dhe jomoralë, bile edhe atëherë nëse i pasojnë normat e religjionit të vet. Rezultati është ajo dilema e trishtueshme që e kam përmendur në fillim të esesë.

Krishti si Dielli, Pejgamberi si Hëna

Është e nevojshme të përsëritet që ky problem modern i diversitetit të religjioneve në veçanti është i vështirë që me atë të ballafaqohet krishterimi, nga arsyet e dyfishta tanimë të cekura. Njëra nga ato ka të bëjë me shpalljen e krishterë dhe e dyta në atë çka ka trashëguar krishterimi kur u bë religjioni dominues në Perëndim. Krishti ka qenë manifestimi i plotë i së Vërtetës, manifestim që karakterin e tij të veçantë në mënyrë indirekte edhe islami e pranon, duke ia dhënë Krishtit rolin special mes gjithë pejgamberëve që i kanë paraprirë pejgamberit të islamit. Si rezultat i kësaj, qendrën dhe shkëlqimin diellor të Krishtit në njëfarë mase e kanë absorbuar të gjitha besimet duke e shlyer dritën e universeve të tjera fetare. Mund të thuhet se Krishti në krishterim është sikur Dielli, që e ndriçon vetëm qiellin, ndërkaq në islam pejgamberi është si Hëna në qiell, ku shkëlqejnë edhe yjet e tjerë, duke përfshirë edhe vetë Krishtin.

Me shekuj krishterimi nuk është dashur të kujdesej për pasojat e kristocentrizmit të vet, që shumë ia ka vështirësuar t’i pranojë mundësinë e shpalljeve të tjera autentike me mësimet e tyre fetare dhe mjetet e virtytshme që çojnë në shpëtimin e pasuesve të tyre. Të thuhet se Krishti është i vetmi djalë i Zotit duket se e implikon mbylljen e portës për rrugët e tjera të Zotit. Në një kuptim të caktuar kjo mënyrë e pamjes mbi gjërat absolutizon jo vetëm Zotin, por edhe një manifestim specifik hyjnor që Krishterimi e parafytyron në raportin e të birit. Duke marrë parasysh traditën e gjatë teologjike të krishterë, në pikëpamje të kësaj, kjo ashiqare paraqet sfidë të madhe për ata teologë të krishterë në botën e sotme që përpiqen të kapen fyt për fyt me pasojat e mbresës se nuk ka shpëtim jashtë kishës. Në asnjë rast nuk duhet nënçmuar seriozitetin e këtij problemi për krishtermin, por njëkohësisht është e nevojshme të ceket se ku është problemi sa i përket karakterit të shpalljes krishtere dhe formulimeve të tij ortodokse që kanë pasuar.

Fjala “Cezar”

Edhe Opinion 5 muaj më parë Ramazani dhe orari i shkollës: Çka nuk e kuptojnë as mbështetësit as kritikët

Krahas kësaj arsyeje, që qëndron në vetë teologjinë krishtere, ekziston edhe një arsye për të cilën shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm dhe për të cilën është aluduar më lart. Ky faktor del në pah kur të bëhet krahasimi mes krishterimit pravosllav, etiopik apo krishterimit kopt. Natyrisht se këto kishat e fundit janë të krishtera në kuptimin më të thellë të kësaj shprehjeje, por ato nuk kanë trashëguar vetitë kulturore dhe civilizuese që i ka trashëguar krishterimi perëndimor, si rezultat i dominimit mbi Perandorinë Romake. Romakët veçse e kanë treguar një farë forme të absolutizmit në pamjen e tyre të botës, që për nga theksi i vet ka dalluar prej perandorive të tjera botërore. Padyshim se ata kanë dashur t’ia tejkalojnë perandorisë së lashtë persiane, në shumë mënyra, që shihet nga vetë fjala “Cezar”, që rrjedh nga persishtja dhe që ka qenë titulli i mbretërve persianë. Por, përkundër ahemenëve, romakët veten e kanë llogaritur si të civilizuar. Gjithsecili, për ata, sikurse edhe për grekët prej të cilëve kanë trashëguar aq shumë, ka qenë barbar. E vërteta është se edhe civilizimet e tjera i kanë llogaritur popujt e tjerë se janë nën ta dhe ky thjesht nuk është mëkat i Perandorisë Romake, por theksi mes të civilizuarve dhe barbarëve ka qenë më i madh mes greko-romakëve dhe dihet se kanë qenë vetë ata që kanë krijuar civilizimin, që krishterimi e ka trashëguar më vonë sesa në ndonjë vend tjetër.

Hyjnorja shkon atje ku do vetë

Deri në kohën sa ka zgjatur Mesjeta, kjo veti nuk ka qenë aq e rëndësishme dhe në të vërtetë Evropa mesjetare e ka respektuar civilizimin islam, përkundër kundërshtimit të islamit. Mirëpo, në botën moderne ka ndodhur diçka që ka pasur ndikim të fuqishëm në marrëdhëniet mes krishterimit perëndimor, religjioneve të tjera dhe kulturave fetare. Kjo ngjarje është zbulim i post-Evropës mesjetare – ideja e civilizimit me “C” të madhe, që lulëzoi në formën e saj të plotë në Francë, në shekullin XVIII. Sipas kësaj pikëpamjeje ka ekzistuar vetëm një civilizim, e ky ka qenë civilizimi i Evropës Perëndimore. Ajo çka ka ndodhur gjatë kohës, në një masë të madhe brenda Kishës katolike më shumë sesa në protestantizëm, ka qenë ajo se krishterimi perëndimor është barazuar me atë që mund të quhet civilizacionalizëm i historisë moderne evropiane dhe si rezultat i saj kanë filluar të zbatohen disa nga dallimet e greko-romakëve të vjetër, mes njerëzve të civilizuar dhe barbarëve, në nivelin religjioz si dhe në nivelin shoqëror. Tashmë Kisha katolike po përpiqet që në njëfarë mase të ndahet nga civilizimi evropian, me emërimin e afrikanëve për kardinalë dhe arqipeshkëve, ndërsa protestantët po largohen në Azi, duke thënë se nuk kanë kurrfarë lidhjeje me civilizimin evropian. Një lëvizje e tillë ekziston, por ajo është dukuri e tanishme, ndërsa për disa shekuj krishterimi perëndimor edhe civilizimi evropian kanë qenë shumë ngushtë të lidhur mes vete. Nga kjo del që interpretimi krishtero-perëndimor i religjionit edhe më tej është i absolutizuar në sytë e shumë pasuseve të kësaj feje, ndërsa bindjet fetare të të tjerëve janë vendosur në kategoritë e “jo të civilizuarve” dhe barbarëve. Kjo, natyrshëm, edhe më tej u kontribuon vështirësive të dialogut me religjionet e tjera dhe takimit me kulturat e tjera religjioze.

Megjithatë, pavarësisht se sa janë pengesat e mprehta, për të krishterët e sinqertë është e pamundur të besohet me ndërgjegje të qetë, nga njëra anë, se Zoti është i Drejtë, se është i Mëshirshëm dhe se Ai i ka krijuar të gjitha krijesat njerëzore, e në anën tjetër të pranohet se Ai ua ka lejuar me miliarda qenieve njerëzore që për mijëvjeçarë të tërë të jenë të udhëhequr në drejtim të gabuar dhe të jenë të privuar nga mëshira e Tij. Gjithashtu, është e pamundur ta takosh ndonjë person të shenjtë nga feja tjetër dhe ta shohësh bukurinë e pabesueshme të pikturës taoiste, apo pamjen e Budës na shkollën e Kijotos, kaligrafinë arabe, apo fotografitë prej rëre të indianëve amerikanë, e të mos kuptosh se “Hyjnorja shkon atje ku dëshiron vetë”. Obligimin e pranimit të vlerave të religjioneve të tjera dhe të jetesës në paqe me pjesëtarët dhe pasuesit e manifestimeve të tjera të Frymës së Shenjtë, të krishterët, sa i përket kësaj edhe pasuesit e religjioneve të tjera, nuk mund ta shmangin. Sado që të jetë e vështirë për të krishterët perëndimorë, është detyrë që vetë situata jetësore e njerëzimit të sotëm ua imponon të gjithë atyre që e duan Zotin dhe prapë jetojnë në botën ku shkatërrohet homogjeniteti tradicional i universit. Dhe kështu, si kurrë më parë, ndoshta edhe për herë të parë në historinë e njerëzimit, studimi i fesë, për shumëkënd, nëse jo për të gjithë, është bërë ndërlidhur me studimin e religjionit.

Edhe Media është vetë mesazhi apo metafora e realitetit? Shtojca për Kulturë 5 d. më parë Media është vetë mesazhi apo metafora e realitetit?

Pasuesi i cilësdo fe, qoftë i krishterë, mysliman apo hindu, që nuk është i gatshëm ta pranojë dëshminë për prezencën e Hyjnores në religjionet e tjera, është në rrezik ta humbë të kuptuarit e fesë së tij. Prandaj, detyra e të kuptuarit të religjioneve të tjera me dashamirësi nuk është vetëm e interesit shkencor, por edhe e domethënies në planin fetar dhe teologjik. Kjo është detyrë të cilën të gjithë ata që janë zgjedhur ta kryejnë duhet ta bëjnë, sepse është obligimi i tyre më i madh ndaj fesë vetjake dhe, natyrisht, ndaj njerëzimit, që ka nevojë të thellë për mirëkuptim fetar dhe kulturor. Por, mbi të gjitha, ky është obligim ndaj Zotit, që është i vetmi që i gëzon shpirtrat e caktuar që mund ta shohin Atë të Vetmin, mbi shumë vello, dhe ta zbulojnë unitetin që transcendon dhe i cili është në zemrat e të gjitha religjioneve autentike dhe në të gjitha porositë nga qielli që kanë udhëhequr njerëzit nëpër mijëvjeçarë dhe të cilat porosi janë të vetmet që i kanë ofruar kuptim jetës njerëzore.

Seyyd Hossein Nasr ka qenë profesor i Studimeve Islame në Universitetin “George Washington” në Washington D.C. Përgatiti: Skënder Latifi