Pa pretendime të mëdha, një grup të rinjsh i bashkon dashuria për teatrin. Daljet në skenë s’i kanë të shpeshta, pasi krejt kjo varet prej buxhetit që sigurojnë. Quhet “Teatri i të Rinjve të Qytetit të Prishtinës” me status organizate joqeveritare, por që ka një rrugëtim tash e disa dekada. Të hënën në mesditë kanë sjellë para publikut projektin e radhës.
Privatizimi i ndërmarrjeve publike qysh prej pasluftës është thumbuar në komedinë e realizuar prej kësaj trupe. Bankrotimi, shfrytëzimi i paautorizuar dhe uzurpimi i pronave publike janë temat që preken në dyzet minutat e shfaqjes “WC Komerc”, që u dha premierë në skenën e teatrit “Dodona”. Me tekst të shkrimtarit të njohur Ibrahim Kadriu, kjo satirë ka ironizuar procesin e tjetërsimit të fabrikave shtetërore në pronësi private.
“Fabrika e leshit”, është titulli që është vendosur në pjesën qendrore të skenës. Në të është vendosur një kabinë për nevojat fiziologjike teksa në derë janë stampuar disa fjali. “Vend meditimi”, “WC”, janë disa prej tyre.
Nën regji të Xhemail Lutës, kjo komedi vjen si shpërfaqje e privatizimit të ndërmarrjeve që la mijëra të papunë nëpër rrugët e vendit.
“Këtu pikërisht flitet për një fabrikë e cila kishte pasqyrë të mirë të të hyrave financiare, por që më vonë fillon të shembet i gjithë profiti”, ka thënë Luta, i cili drejton “Teatrin e të Rinjve të Qytetit të Prishtinës” që nga viti 1993. Pa kushte elementare, pa hapësirë rezidente, të rinjtë e këtij teatri, që funksionon në bazë të përkrahjeve simbolike financiare, kanë inskenuar një çështje që ka prodhuar jo pak skandale financiare në Kosovë.
“Ne është dashur ta kemi statusin e teatrit të rinisë dhe jo organizatë joqeveritare. S’jemi pajtuar asnjëherë të jemi në këtë profil. Teatri ynë funksionon me projektet që shpallen nga Ministria e Kulturës për përkrahjen e të rinjve në fushën e artit skenik. S’kemi financim të rregullt. Kam bërë kërkesa të shumta edhe në adresë të Komunës së Prishtinës që të na lejojë të bëjmë provat në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, por nuk kemi gjetur mirëkuptim. Ai pallat i përket rinisë që të zhvillojë aktivitetet dhe neve si grup do të na konvenonte ta zhvillonim talentin për skenë”, ka thënë menaxheri Luta teksa ka numëruar vështirësitë se si janë mobilizuar për ta prezantuar në skenë komedinë “WC Komerc”.
Habib Idrizi, Altina Sekiraqa, Shqiponjë Berisha, Eliza Gërbeshi dhe Marigonë Berisha janë aktorët joprofesionistë që me këtë shfaqje po bëjnë përpjekje të hedhin hapa për të zhvilluar karrierën e tyre në teatër.
“Jam që tetë vjet anëtar i këtij teatri. Këtë herë provat e shfaqjes na kanë zgjatur shumë për shkak të pandemisë dhe në vazhdimësi është dashur të ndërrojmë lokacion. Kemi mbajtur prova skenike edhe përmes platformave online vetëm që ta kompletojmë për ta prezantuar para publikut. Ne s’kemi vend të caktuar e që kjo po na rëndon shumë veprimtarinë tonë. Ne i mbajmë provat aty ku na lejohet”, ka thënë i riu Habib Idrizi, i cili u paraqit në rolin e personazhit me emrin Kryla.
Amfiteatri i Fakultetit Filologjik ishte bërë arena e provave skenike të kësaj satire. Të rinjtë e kësaj trupe janë shprehur të lumtur që kanë gjetur këtë hapësirë për ta ndërtuar shfaqjen.
Pas inskenimit për herë të parë në teatrin “Dodona”, synim i organizatës joqeveritare “Teatri i të Rinjve të Qytetit të Prishtinës” është që “WC Komerc” të shfaqet edhe në disa teatro të Kosovës dhe të Shqipërisë.