Kulturë

“Prishtina International Woman’s Film Week” si pikëtakim për kineastet

Rrugëtimi nëpër festivale të ndryshme i ka shërbyer regjisores nga Kosova, More Raça, si një trampolinë për një mision të ri. Ka themeluar ngjarjen e re në kryeqytet – “Prishtina International Woman’s Film Week” – i cili në qendër e ka promovimin e kineasteve. Në edicionin e parë, që pritet të mbahet prej 23 deri më 30 nëntor, do të shpalosen 19 vepra të regjisoreve e që trajtojnë tema të rëndësishme parë nga perspektiva e një gruaje. Për shkak të pandemisë, “Prishtina...” do të mbahet online. Filmat do të shfaqen në faqen e festivalit në Facebook. Ata do të jenë falas dhe të qasshëm për t’u shikuar deri në 24 orë pas lansimit.

Regjisorja More Raça për KOHËN ka treguar se përgatitjet i kanë nisur tash e disa muaj dhe deri tani gjërat janë duke shkuar mbarë për stafin organizativ. Ani pse kanë qenë të limituar në zgjedhjet e tyre, pasi që për shkak të pandemisë nuk kanë arritur që të realizojnë çdo ide që kanë pasur, ka thënë se kanë arritur të përpilojnë program të pasur.

“Jemi të lumtur që kemi një program shumë interesant, divers dhe me vlera të mëdha artistike. Zëra të rinj dhe që premtojnë shumë, filma që trajtojnë tema të rëndësishme”, ka thënë ajo. Ka treguar se idenë për të realizuar diçka të tillë e kishte tash e disa vite.

“Unë si regjisore kam qenë prezente në shumë festivale të gruas dhe gjithmonë kam dalë me përvoja interesante dhe bashkëpunime për projektet e mia. Ka qenë shumë inkurajuese kur kam takuar filmbërëse nga e gjithë bota dhe kemi diskutuar rreth sfidave dhe ideve tona. Këtë frymë kam dashur ta sjellë edhe në këtë festival”, ka thënë ajo. Ka treguar se edhe në kryeqytetet e vendeve të tjera ka javë të tilla që u dedikohen veçanërisht veprave të realizuara nga gratë.

“Organizime ku krijohet hapësirë për filmat që kanë për subjekt gruan dhe trajtojnë shqetësimet dhe problematikat e saj. Kjo është një mundësi e mirë për audiencën që të shikojë filma të cilët nuk janë shumë të qasshëm, nuk kanë mundësi që t’i shohin në televizor apo në kinema, sepse destinacion i tyre janë festivalet ose organizimet dhe diskutimet që lidhen me tema të caktuara”, ka thënë ajo.

Qëllimet janë që kjo ngjarje të mbahet çdo vit, me shpresë që vitin e ardhshëm të mbahet fizikisht dhe të ketë si mysafire kineaste nga shtete të ndryshme duke krijuar kështu edhe një hapësirë për diskutim dhe mundësi bashkëpunimi.

“Kjo javë do të celebrojë krijueset gra të cilat do të shfaqin filmat e tyre gjatë kësaj jave. Gjithashtu publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë rrëfimet e kineasteve dhe përmes filmit të njoftohet me realitete të reja”, ka thënë ajo. Ka shtuar se janë filma të cilët portretizojnë gruan në sfidat dhe momentet e fitores, filma që vijnë nga realiteti dhe peripecitë e gruas.

“Duam të krijojmë hapësirë dhe vëmendje për këto rrëfime. Të jemi urë lidhëse e filmit dhe audiencës”, ka thënë ajo. Ka treguar se subjekt i çdo filmi është gruaja dhe se filmat trajtojnë problematikat e gruas në shoqëritë ku jetojnë autoret e filmave. Raça ka thënë se temat janë nga më të ndryshmet: dhuna në familje, aborti, migrimi, shëndeti femëror e fuqizimi i vajzave.

Programi nuk është bërë ende publik. Pritet që të shpaloset këtë të premte bashkë me emrat e anëtarëve të jurisë. Juria profesionale do të vendosë edhe për Çmimin filmi më i mirë e që do të mbajë emrin e regjisores së parë shqiptare Xhanfize Keko.

“Në këtë formë kemi menduar të nderojmë filmin me të mirë të festivalit duke i ndarë çmimin me emrin e regjisores së parë shqiptare dhe në të njëjtën kohë ta kujtojmë Xhanfize Kekon”, ka thënë regjisorja e njohur për filmat e shkurtër “Ajo” (2018), “Home” (2016) dhe “Amel” (2013).

Me filmin e saj të fundit “Galaktika e Andromedës” ishte në garë kryesore në Festivalin e Filmit në Sarajevë. Me premierën që e pati mu në këtë festival, “Galaktika...” flet për Shpëtimin (Sunaj Raça), një baba 50-vjeçar, i papunë, i cili sfidë jetësore e ka punësimin për t’i siguruar strehë vajzës Zana (Elda Jashari). Në anën tjetër, Raça është në fazën e zhvillimit edhe të dokumentarit “Home is where the films are”. Aty shpalos një histori goxha intriguese. Pas 20 vjetëve disa fëmijë tashmë të rritur vihen në kërkim të filmbërësve amerikanë. Synimi i tyre është që t’i gjejnë njerëzit që i kanë vënë në kontakt me kinematografinë gjatë luftës së fundit në Kosovë, kur qëndronin në kampin e Stenkovecit në Maqedoninë e Veriut.