Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Premierat e garës kombëtare me rrëfime prej historisë te vështirësitë e sotme

DokuFest

Nata e dytë e garës kombëtare në festivalin e filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka sjellë në ekran pesë histori të tjera vendore me gjuhë dhe ndjeshmëri të ndryshme kinematografike (Foto: DokuFest)

Në programin kombëtar të këtij edicioni janë përfshirë gjithsej 15 filma, midis tyre janë shfaqur “The Gelina of Ribnovo” i Valon Ballabanit, “Antimuseum” i Renis Hykës, “Keep Going” i Valmira Hysenit, “All Good” i Basha Troni dhe “angel777” i Brilant Pirevës. Sipas programit zyrtar të festivalit, katër nga këta filma janë dhënë si premiera botërore

Nga ritualet shekullore të një komuniteti mysliman në Bullgari, te ëndrrat e thyera nga një regjim, migrimi, pasioni për futbollin dhe një miqësi e shndërruar në film – nata e dytë e garës kombëtare në festivalin e filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” ka sjellë në ekran pesë histori të tjera vendore me gjuhë dhe ndjeshmëri të ndryshme kinematografike.

Në programin kombëtar të këtij edicioni janë përfshirë gjithsej 15 filma, ndërsa “The Gelina of Ribnovo” i Valon Ballabanit, “Antimuseum” i Renis Hykës, “Keep Going” i Valmira Hysenit, “All Good” i Basha Troni dhe “angel777” i Brilant Pirevës janë pjesë e kësaj gare. Sipas programit zyrtar të festivalit, “The Gelina of Ribnovo”, “All Good”, “angel777” dhe “Keep Going” shfaqen si premiera botërore, ndërsa “Antimuseum” është pjesë e përzgjedhjes kombëtare.

“The Gelina of Ribnovo” me ritualin e nusërimit

Mbrëmja është hapur me “The Gelina of Ribnovo”, dokumentarin e Valon Ballabanit, i cili e çon shikuesin në malet Rodope të Bullgarisë, në fshatin Ribnovo, ku vazhdon të ruhet një ritual shekullor i martesës së komunitetit Pomak. Filmi, që zgjat 10 minuta e 55 sekonda, është produksion britaniko-bullgar dhe është shfaqur si premierë botërore në “DokuFest”.

Në qendër të tij është “gelina” (nusja) dhe rituali i përgatitjes së saj për martesë. Ballabani ka treguar se filmi është përqendruar pikërisht te kjo figurë dhe te një traditë që komuniteti e ka ruajtur edhe përkundër periudhave të shtypjes.

Edhe “DokuFesti” i çerekshekullit me 104 filma garues nga bota e trazuar Kulturë “DokuFesti” i çerekshekullit me 104 filma garues nga bota e trazuar

“Filmi thirret ‘The Gelina of Ribnovo’, dhe në qendër të tij është gelina, pra nusja dhe rituali. Ky ritual praktikohet nga një komunitet mysliman sllav. Kanë kaluar nëpër periudha të shtypjes shtetërore, por prapë e kanë mbajtur këtë traditë gjallë”, ka thënë Ballabani.

Filmi tregon se Ribnovo tërheq edhe vizitorë që shkojnë për t’i parë nga afër këto rite martesore. Veshjet tradicionale, muzika dhe instrumentet e zonës krijojnë një atmosferë të veçantë, ndërsa momenti më karakteristik është ai i transformimit të nuses.

Ajo lyhet në tërë fytyrën me një shtresë të bardhë, të ngjashme me maskën, mbi të cilën vendosen zbukurime që hiqen me vështirësi. Më pas, bashkëshorti duhet t’ia heqë ato me shumë kujdes. Rituali, në një interpretim simbolik, lidhet edhe me kujdesin që duhet ta shoqërojë martesën dhe marrëdhënien mes bashkëshortëve.

“Antimuseum” animon tmerrin politik 

Nga një ritual i trashëguar ndër breza, rrëfimi ka kaluar te kujtesa dhe dhimbja e një të kaluare politike në “Antimuseum” të Renis Hykës.

Filmi i animuar nis me një rrëfim që në pamje të parë duket si kujtim i zakonshëm i një fëmijërie. Narratori tregon se si, që i vogël, ishte i detyruar të punonte për familjen në fushë. Në ditët e nxehta të verës, argëtimi pas punës gjendej në shëtitjet me biçikleta. Me një dozë humori, rrëfimi vazhdon me takimin me Mirandën, dashurinë, martesën dhe fëmijët.

Por historia e treguar në fillim nuk është historia që ka ndodhur.

Në të vërtetë, asnjëra prej këtyre ëndrrave nuk është realizuar. Ai nuk është bërë mësues biologjie, siç kishte ëndërruar. Babai i tij si dhe shoku i ngushtë, Arbeni, ishin ekzekutuar nga regjimi. Në ditën kur ai do të shkonte ta takonte Mirandën, ishte dënuar me shtatë vjet burg pasi ishte spiunuar nga mësuesi i tij, Agimi. Dhe në ditën kur pritej të lirohej, kur nëna kishte dalë ta priste, dënimit i ishin shtuar edhe dhjetë vjet të tjera.

Miranda nuk u bë kurrë bashkëshortja e tij.

Kështu, “Antimuseum” shndërrohet në një rrëfim për ëndrrat e shkatërruara, për jetët që nuk u jetuan dhe për kujtimet që mbeten si dëshmi e asaj që mund të kishte qenë.

Regjisori Renis Hyka e ka falënderuar “DokuFestin” për mundësinë që filmi të takohej me publikun në Prizren.

“Dua ta falënderoj ‘DokuFestin’ që na dha rastin ta shfaqim filmin para publikut në Prizren”, ka thënë Hyka. Ai ka shtuar se filmi është bërë me synimin që të krijojë emocion te shikuesi.

“Siç dihet, ne bëjmë filma që t’u japim emocione publikut, sepse filmi bëhet për publikun. Shpresoj që filmi ta realizojë qëllimin e tij, pra t’i japë emocionet”, ka shpjeguar ai.

“Keep Going” rrëfen pasionin për futbollin

Një tjetër ton ka sjellë “Keep Going” i Valmira Hysenit, film 11-minutësh i realizuar në Kosovë dhe pjesë e garës kombëtare si premierë botërore.

Filmi sjell në qendër dy vajza të pasionuara pas futbollit, por që nuk kanë të njëjtin interes për lëndët e tjera shkollore. Në anën tjetër është Sherifi, që luhet nga aktori Luan Jaha, një mësues që pas 30 vjetësh punë pezullohet pasi i ka dhënë shuplakë një nxënësi.

I mbetur tani në shtëpi, ai përpiqet ta rindërtojë veten përmes punës dhe duke i dhënë mësim vajzës së tij. Por ai nuk e përkrah ëndrrën e saj për t’u bërë futbolliste. Nëna e Hanës, që luhet nga Adriana Matoshi, megjithëse me pak guxim, qëndron në anën e vajzës dhe gjen një mënyrë që ajo të jetë pjesë e një ndeshjeje të rëndësishme.

Edhe Kosova në zemër të “Luna Parkut” të Shqipërisë iluzioniste që synon “Oscar” Kulturë Kosova në zemër të “Luna Parkut” të Shqipërisë iluzioniste që synon “Oscar”

Valmira Hyseni ka treguar se ky film shënon edhe një hap personal në rrugëtimin e saj kinematografik.

“Pas shumë kohësh që kam prodhuar filma si producente, tash vij si regjisore. Shpresoj t’ju pëlqejë”, ka thënë Hyseni.

Në film luajnë Adriana Matoshi dhe Luan Jaha. Për Matoshin, rikthimi te një film i realizuar disa vite më parë ka qenë edhe një surprizë personale.

“Valmira tha: ‘Ky film është i aktorëve’, që të na lërë fajin neve edhe nëse nuk ka dalë mire. Është një film që është bërë para katër vjetësh. Kisha harruar që kam luajtur në ketë film,  vetëm kur e pashë titullin dhe emrin tim. Për herë të parë edhe unë po e shoh, shpresoj që do të ju pëlqejë. Jemi kënaqur, me Valmirën është kënaqësi të punoj, por me Luanin më së shumti”, ka thënë Matoshi.

“All Good” zhvesh vështirësitë e migrimit

Në “All Good”, me regji të Basha Troni, historia zhvendoset në Finlandë dhe trajton jetën e vështirë të një shqiptari në migrim.

Njëri prej protagonistëve, Muhameti, ka qenë aktor, por nuk arrin të qëndrojë në kinema. Ai përjeton një atak paniku dhe përfundon në spital. Aty merr vesh se një mik i tij dentist i ka rekomanduar kubëza sheqeri në formë hapash, të cilat mund t’i përdorë në momentet kur e kap paniku.

Historia nis me një ndjesi të rëndë, por gradualisht merr një kthesë komike.

Në prezantimin e filmit, aktori kryesor Kastriot Bajgora ka kujtuar momentin kur për herë të parë e kishte lexuar skenarin.

“Kur e mora skriptën për të parën herë, e kuptova se nuk ishte vetëm një mundësi për të luajtur në një film shumë të mirë, por edhe të argëtohem.  Basha nuk është sot këtu, por ne jemi kënaqur shumë. Shijojeni edhe ju”, ka thënë ai.

Sipas programit të “DokuFestit”, “All Good”, me titullin origjinal “Kaikki hyvin” në finlandisht, zgjat 14 minuta dhe është produksion i Basha Troni në Finlandë. Filmi është premierë botërore në edicionin e sivjetmë.

“angel777” përthekon jetën e individit në vështirësi ekonomike

Mbrëmja është mbyllur me “angel777”, filmin e Brilant Pirevës që zgjat 26 minuta dhe që po ashtu shfaqet si premierë botërore në “DokuFest”. 

Filmi ndjek Gencin, një hulumtues anonim që për pesë vjet ka përfituar vetëm 300 euro për punën e tij me hulumtime dhe projekte. Ai jeton në kushte të vështira bashkë me Borën, ndërsa nofka e tij është “angel777”.

Jeta e çiftit zhvillohet mes mungesës së parave, kërkimit të vazhdueshëm të Gencit dhe ëndrrave që duket se gjithmonë mbeten pak më larg. Por kur durimi i Borës soset dhe ajo largohet, fati i Gencit ndryshon në mënyrë të papritur: pikërisht atëherë ai fiton gjashtë milionë euro.

Genci e kalon kohën duke thurur ëndrra dhe duke e kërkuar Borën. Kur kthehet në shtëpi, megjithatë, gjen laptopin e tij në vaskën plot me ujë, ndërsa mbi tavolinë janë lënë 200 euro si kompensim për dëmin.

Për Tristan Halilajn, aktor dhe producent i filmit, “angel777” është edhe një dëshmi e një miqësie të gjatë që ka gjetur shprehje në ekran.

Edhe Qeveria ndan 100 mijë euro si mbështetje për “DokuFestin” Kulturë Qeveria ndan 100 mijë euro si mbështetje për “DokuFestin”

“Filmi është fryt i një miqësie shumëvjeçare midis meje, Blertës, Brilantit dhe Jonit. Është shumë kënaqësi ta shohim si sot, por edhe në të ardhmen. Me siguri në të ardhmen do të shihet sa e çmuar është kjo lidhje dhe nganjëherë si mund të marrin trajta të tjera, siç e kemi fatin ta shohim këtë film”, ka thënë ai. 

Gara kombëtare po vazhdon të dëshmojë se filmi i shkurtër mund të jetë i vogël në kohëzgjatje, por i gjerë në botët që arrin të hapë para publikut. E “DokuFest” po mban edicionin e 25-të nga 7 deri më 15 gusht në Prizren.