Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Posterët bashkohen si histori e aktivizmit për mjedisin

Një ekspozitë e hapur së fundmi në New York shfaq historinë e aktivizmit mjedisor nëpërmjet posterëve. Aty përfshihet dhe posteri i parë për Ditën e Tokës i realizuar nga artisti i njohur, Robert Rauschenberg.

Me titull “We Tried to Warn You! Environmental Crisis Posters”, ekspozita e cila u hap në muzeun “Poster House”, i sjell para publikut më shumë se 33 punime që datojnë prej vitit 1970 deri më 2020.

Përveç piktorit dhe grafistit të ndjerë amerikan Rauschenberg, koleksioni përfshin posterë nga artistë të tjerë të njohur si, Amos Kennedy, Tom Eckersley, Freidensreich Hundertwasser dhe Milton Glaser.

Kuratori i saj, Tim Medland, e shpjegoi motivimin prapa aktivizmit mjedisor që çoi në krijimin e posterit të Rauschenbergut.

“Dita e parë e Tokës kishte vërtet rëndësi të madhe, sepse i mobilizoi 20 milionë amerikanë. Kjo nënkupton se 10 për qind e popullsisë doli për të bërë thirrje për mbrojtjen e ambientit dhe kjo mbetet protesta më e madhe njëditore në historinë e njerëzimit. Katalizatori për të ishte derdhja e naftës në Santa Barbara, që ishte ngjarja më e madhe e kësaj natyre në atë kohë”, ka thënë Medland.

Image

Po ashtu i ekspozuar është një citat nga fjalimi i presidentit Richard Nixon drejtuar Kongresit të Shteteve të Bashkuara, pak para miratimit të ligjit kryesor federal për cilësinë e ajrit të pastër, në vitin 1970. Ky legjislacion krijoi rregullore federale dhe shtetërore për kufizimin e ndotjes në SHBA.

“Shumë njerëz kur hyjnë në galerinë tonë çuditen kur shohin një citat të Richard Nixonit, që në fakt nuk është një person të cilin ata e lidhin me ambientalizmin. Por fakti është se Nixoni ishte president në kohën kur u krijua Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit dhe kur u prezantua ligji për ajër të pastër”, ka shpjeguar Medland.

Kuratori gjithashtu ka thënë se posterët e përfshirë në ekspozitë kanë ndihmuar që të niset debat mbi çështjet mjedisore, duke u kushtuar vëmendje shqetësimeve ekologjike.

Ky është rasti edhe me reklamën e njohur televizive të lansuar në fillim të viteve ‘70, ku luan aktori Iron Eyes Cody, dhe e cila u realizua nga organizata joqeveritare “Keep America Beautiful”. Medland e quan atë “shumë kontestuese”. “‘Keep America Beautiful’ ishte një grup lobues për një sërë korporatash amerikane, që po lobonin në mënyrë aktive kundër legjislacionit që i ndalonte ata të hidhnin mbeturina në lumë”.

Duke hartuar afatin kohor global të aktivizmit mjedisor, koleksioni ndryshon në stil, nga fatalist në atë tekanjoz.

“Çdonjërit i duket si reklamë standarde e veturës evropiane ‘Volkswagen’. Megjithatë, nuk është e tillë”, ka thënë Medland për posterin e dizajnuar nga kolektivi i artistëve aktivistë, “Brandalism”.

Posteri e shfaq një veturë “Pasat Volkswagen” të shoqëruar me mbishkrimin, “Na vjen keq që u kapëm”, një referencë për skandalin e kompanisë “Volkswagen”, e cila i mashtroi rregullatorët me rezultatet e testimit të gazeve dhe ndotësve.

Ekspozita “We Tried to Warn You! Environmental Crisis Posters” vazhdon të qëndrojë e hapur në muzeun “Poster House” në New York City, deri në shkurt të vitit të ardhshëm.

Marrë nga “Associated Press”. Përktheu: Edona Binaku

Artikuj të ngjashëm