Piktura e Gustav Klimtit “Portrait of a Lady” (1917) do të ekspozohet për herë të parë pas zbulimit të saj dramatik brenda mureve të galerisë nga e cila u vodh gati 23 vjet më parë. Piktura u gjet në vitin 2019, kur një kopshtar që punonte për galerinë e artit modern “Ricci-Oddi” në Piacenza, Itali, hoqi një panel metalik në pjesën e jashtme të vendit të ngjarjes, duke zbuluar pikturën e Klimtit, e cila me sa duket ishte fshehur në vjedhjen në tentativë.
Portreti fillimisht ishte vendosur të ekspozohej në galerinë veriore italiane në vitin 2020 si pjesë e një serie ekspozitash kushtuar piktorit të Secesionit të Vjenës, por hapja u vonua për shkak të pandemisë. Organizatorët njoftuan se piktura më në fund do të zbulohet për publikun këtë tetor në Muzeun e Romës në Palazzo Braschi në një ekspozitë që eksploron periudhën e Klimtit në Itali, e cila la një përshtypje të thellë në veprat e tij artistike. Përdorimi i tij i shpeshtë dhe i veçantë i fletës së arit thuhet se është frymëzuar nga një vizitë në Bazilikën e Shën Markut në Venecie.
Vepra do të shfaqet për pesë muaj para se të kthehet në “Ricci-Oddi Modern”, e cila gjithashtu ka plane për ta ekspozuar portretin. Klimt e përfundoi pikturën në vitin 1917, një vit para se të vdiste, dhe ajo u ble nga galeria “Ricci Oddi” në vitin 1925. Ajo paraqet një grua të re që besohet se është e dashura e artistit. Ajo shfaqet para një sfondi jeshil, duke hedhur një vështrim mbi shpatullën e saj.
Në 1997, dhjetë muaj para vjedhjes, një analizë me rreze X zbuloi se Klimt kishte pikturuar “Portrait of a Lady” mbi pjesën e mëparshme të pikturës. U organizua një ekspozitë e fokusuar në zbulimin e “pikturës së dyfishtë” dhe portreti u zhduk në mes të përgatitjeve të ekspozitës. Korniza e saj e thyer u zbulua në çatinë e galerisë, duke bërë që hetuesit të besojnë se vepra mund të jetë hequr nga muri dhe u zhvendos përmes një dritareje të hapur nga dikush i lidhur dhe i afërt me galerinë.
Pas rizbulimit në dhjetor te vitit 2019, Jonathan Papamerenghi, anëtar i Këshillit të Piacenzas, i tha “La Repubblicas” se ishte “piktura më e kërkuar e vjedhur në botë pas ‘Nativity with St.Francis and St.Lawrence’ të Caravaggios”. Është vlerësuar të jetë me vlerë rreth 70 milionë dollarë.
Në mars, botimi italian “Arts Culture & Style” raportoi se prokurorët kishin hequr akuzat kundër tre personave që pretendonin se ishin dyshuar se ishin përfshirë në vjedhjen e vitit 1997. Të dyshuarit thanë se ata e kishin kthyer pikturën në murin e galerisë si një “dhuratë” për qytetin, por prokurorët nuk ishin të bindur nga historia e tyre.
Edhe
Piktura e Klimtit i kthehet Italisë disa dekada pas zhdukjes
“Ata kanë qenë të paqartë në lidhje me detajet, por gjithmonë kanë pohuar se piktura nuk ishte në “gropë” gjatë gjithë asaj kohe”, ka thënë Ermanno Mariani, një gazetar italian i kontaktuar së pari nga hajdutët e supozuar, për “The Guardian” në janar. “Unë nuk jam ekspert teknik, por piktura do të ishte dëmtuar nëse do të kishte qenë atje për gjithë ato vite”. \ ArtNews
Marrë nga ARTNews. Përktheu: Rina Krasniqi
