Kulturë

Poezia s’ka fuqi pa besimin në vete e ndaj letërsisë

“Kur shkruan duhet me i besu vetëm vetes dhe formimit tënd, dijes që ke ndaj poezisë dhe letërsisë”, ka qenë njëri prej mesazheve që ka dhënë poetja e studiuesja Blerina Rogova-Gaxha në takimin me studentë të letërsisë, në të cilin bashkëbisedimi me shkrimtarin Ag Apolloni ka qenë një rrugëtim jo vetëm në krijimtarinë e saj, por edhe hapje temash mbi fuqinë e poezisë e të letërsisë për ta ringritur njeriun

Poezia si udhëtim letrar ka forcën e depërtimit në skutat e errëta të thellësive të shpirtit njerëzor. Ajo del si një medium artistik për ata me shpirtin e regjur, të cilët synim kryesor kanë shpërfaqjen e ndjenjave reale. Fjalët e krijuara nga shkronjat, kompozicione të thjeshta në dukje, marrin forcë të shpërthejnë në ngjyra emocionesh. Disa të zbehta e vibrante njëjtë sikurse ndikimi i tyre në jetë njerëzish, disa lehtësisht kaluese, e disa të tjera që lënë shenja plagësh.

Njëjtë duket të jetë dhe veprimtaria e poetes Blerina Rogova-Gaxha, e cila në takimin me studentë të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës në kuadër të lëndës Letërsi bashkëkohore ka qenë personazhi i diskutimit jo vetëm për krijimtarinë e saj. Librat që ka prezantuar Rogova-Gaxha kanë qenë ftesë për eksplorim pasazhesh të ndryshme të shpirtit njerëzor, kryesisht nga spektri personal i përjetimeve, duke nxjerrë në pah bukurinë dhe kompleksitetin e asaj që quhet poezi. Muajin e kaluar ajo solli librin studimor “Memorie dhe Traumë: Kujtesa e Luftës 1998-99”, i cilësuar si i pari i këtij lloji në Kosovë.

Si mysafire, poeten e ka pritur të mërkurën Ag Apolloni, shkrimtar, studiues e ligjërues në Fakultetin e Filologjisë. E ka hapur takimin me prezantimin e shkurtër të Blerina Rogova-Gaxhës, para lundrimit të thellë nëpër vargjet e saj. Apolloni e ka orientuar bisedën në fillet e veprimtarisë së poetes, nisur nga analiza se në vitet ‘90 u shfaqën poetet shqiptare me një qasje ndryshe karshi kësaj stilistike letrare. E ka pyetur për guximin që gjeti të fillonte me shkrimin e poezive.

Poetja është kthyer te libri i parë i saj, fill pas studimeve për letërsi, i titulluar “Gorgonë”.

“Ky libër ka një histori më vete. Ka qenë i shkruar në dy fletore të shkollës së mesme dhe për herë të parë librin e dërgova te një poet në Gjakovë në vitin 1998, që me e pa se a ia vlejnë apo jo, ta marr ndonjë sugjerim nga ai. Ky poet më thirri pas nja dy ditësh dhe më tha se poezitë ishin shumë të mira, por, sipas tij, kishte një gabim. Më afroi te dritarja e bibliotekës se qytetit dhe më tha: ‘A po e sheh se çka po ndodh atje mbas kodrës? Jashtë po bëhet luftë dhe poezia e dashurisë që e ke shkruar ti nuk shkon, për këtë kohë lufte duhen poezi patriotike. Edhe unë u mërzita, u zhgënjeva dhe i mora ato fletore i mbylla në sirtar dhe nuk i kam hapur për dhjetë vjet”, ka thënë ajo.

Por ato poezi si duket fatin e kishin të shkruar në gurë, pavarësisht që dikush nuk besoi te to. Kishte vendosur vite më vonë që t’i publikonte në një libër, nxitur nga kolegu i saj gjatë studimeve. Ishte pikërisht Ag Apolloni.

“Besimi në shkrimin tënd dhe në veten tënde asnjëherë nuk mundet me u ndryshu. Kur shkruan duhet me i besu vetëm vetes dhe formimit tënd, dijes që ke ndaj poezisë dhe letërsisë”, ka qenë mesazhi i saj.

Poetja ka hapur edhe një diskutim tjetër sa u përket poezisë dhe temave që po trajton ajo së fundi. Ka evidentuar një përzierje që po u bëhet disa termave në letërsi, gabim ky i cili, sipas saj, mund të jetë edhe i dëmshëm.

“Çka mua më lë përshtypje në vitet e fundit është përzierja e ndarjeve feminine dhe feministe. Feminine nënkupton pozicionimi i autores si grua në shkrim, ndërkaq poezia feministe, e cila ka marrë shumë hov, është shndërruar në një platformë për luftën e lirisë së gruas. Nëse ajo femininja e vendos në piedestal luftën individuale të gruas për lirinë e saj, ajo feministe është shndërruar në një luftë kolektive. Por si e tillë ajo e humbet vlerën estetike, sepse është vështirë t’i mbash të dyja”, ka thënë ajo duke shtuar se ka mjaft projekte momentalisht të cilat e kanë shndërruar poezinë në një platformë që u shërben valëve feministe në Kosovë.

Ag Apolloni ka komentuar rreth kësaj çështjeje duke inkurajuar përdorimin e feminitetit të gruas në poezi.

“Francezët kanë qenë shumë të saktë në ndarjen e kësaj anës feminine dhe feministë, andaj është e rëndësishme të ketë perspektivë feminine dhe Aristoteli në antikë thoshte se nuk duhet që gruaja të jetë burrërore, sikur ne që përdorim termin ‘grua burrneshë’. Nëse dëshiron të bëhesh feministe letërsia s’është forma më e mirë, sepse është aktivitet social jo aktivitet letrar, nëse ti kontribuon diçka në atë agjendë përmes shkrimeve tua, në rregull, por mos e kufizo veprimtarinë tende”, është shprehur Apolloni.

Nuk kishte se si të mos lexohej ndonjë poezi në këtë takim mes një poeteje në një ambient admiruesish të letërsisë. U lexua poezia me titull “Çmenduria” nga libri i saj i parë, poezi e shkurtër e cila dëshmon edhe një herë mjeshtërisht fuqinë e fjalëve. Pastaj u fol për librin “Katet” të cilin ajo e kishte shkruar gjatë kohës që punonte si gazetare kulture, dhe kishte marrë kritika që veprimtaria e saj po anonte më shumë nga shkrimi gazetaresk. Ndërkaq librin “Ajo vjen nga Lindja” ajo e kishte shkruar gjatë qëndrimit të saj në rezidencën e shkrimtarëve në Vjenë, në një objekt vendosur në qendër të kryeqytetit austriak, mu rrëzë një stacioni metroje i cili e kishte inspiruar atë të niste këtë libër.

Nga Ag Apolloni ajo u pyet dhe për titujt e librave duke iu referuar librit “Thasë”.

”Libri e ka marrë emrin nga poezia me të njëjtin emër ‘Thasë’. Krejt libri flet për zhvendosjen prej një vendi në një tjetër, por jo vetëm zhvendosjen fizike por dhe atë shpirtërore nga një pjesë e jetës në tjetrën, mbylljen e një kapitulli jetësor dhe hapjen e një të riu. Simbolizon mbylljen e një pjese të jetës brenda një thesi dhe vazhdimin tutje në mos ngecjen në një vend të caktuar”, ka thënë ajo duke theksuar se ky libër simbolizon dhimbjen e ndarjes nga sendet me të cilat njeriu krijon lidhje.

“Librat janë një përhumbje dhe një përpjekje për me u ringrit. Pikërisht te ‘Thasë’ paraqitet një pozicionim kur ti nuk e sheh as një dritë shprese por mbledh copëzat e jetës dhe e rindërton veten dhe ngrihesh prapë. Sepse qenia njerëzore duhet ta gjejë forcën e brendshme, një motiv të fortë për të cilën ti ringrihesh më i fortë se përpara”, ka shtuar poetja duke zbërthyer dhe rolin e shprehjes në letërsi.

“Jeta dinamike e ndryshon shoqërinë, qasjen e njerëzve si ndaj letërsisë edhe leximit, problematika nuk është se sa lexojmë, por duhet të diskutohet vetë dinamika. Ne vrapojmë sipas vrullit që na imponohet dhe shpesh dështojmë t’i shohim gjërat që vërtet kanë vlerë”, ka thënë autorja në një reflektim rreth pozicionimit të njeriut ndaj letërsisë.

Përveç poezisë, Rogova-Gaxha veprimtarinë e saj e ka zgjeruar edhe në studime për letërsinë. “Vdekja në letërsinë moderne shqipe (Ndre Mjedja, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli)”, botuar nga Instituti Albanologjik, e që më 2021 ishte shpërblyer me çmimin për veprën më të mirë në kritike letrare dhe eseistikë ‘’Ibrahim Rugova’’ të Ministrisë së Kulturës. Është libër që vjen si një studim, i cili vazhdoi dhe me librin e saj të fundit “Memorie dhe Traumë” që hulumton trajtimin e kujtimeve mbi luftën që janë bërë në letërsi.

“Ky libër ka lindur si rezultat i hulumtimit të madh në fushën e kujtesës dhe traumës në letërsinë e pasluftës si në Bosnje, Iran, Irak e Gjermani”, ka shtuar autorja duke ndarë cytjet e saja kryesore që të studionte këtë anë të letërsisë.

Në fund u diskutua dhe rreth trajtimit të luftës së fundit në Kosovë dhe idesë së memorializimit të kujtimeve larg nga heroizmi, duke u bërë një kthesë nga përjetimet personale që i shërbejnë dhe narrativave kolektive mbi kujtesën e luftës.

“Kjo temë është ndër temat më të rëndësishme që duhen trajtuar nga letërsia bashkëkohore shqipe. Ato ndërtohen mbi dëshmitë reale dhe janë të vështira dhe trajtimi i tyre në një prozë artistike përveçse i shërben drejtësisë transicionale, në një mënyrë u jep zë atyre që nuk kanë gjetur guximin t’i ndajnë rrëfimet, përjetimet e tyre”, ka thënë Rogova-Gaxha.