Ka dy dekada që qytete në mbarë botën projektojnë mënyra të ndryshme për t’i dhënë zë e për të promovuar poezinë e poetët, veçmas në Ditën Botërore të Poezisë, 21 marsin, që e caktoi UNESCO-ja më 1999, pikërisht me këtë synim. Viteve të fundit edhe kryeqytetet e rajonit i janë bashkuar nismës së një brendi kafeje që ua mundëson myshterinjve nëpër kafene që kafenë ta paguajnë me vargje.
Në Kosovë, ky aksion i shtrirë në rreth 50 vende të botës ende s’ka ardhur e Dita Botërore e Poezisë s’është fort festë. Edhe ato pak organizime janë krejt të zakonshme e për ata që shkruajnë poezi, është një ditë që ua kujton se ajo përballet me shpërfillje, lënie pas dore e mungesë përkrahjeje, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Fatkeqësisht” ka qenë fjala që kanë përdorur dy poetë të Kosovës, gjeneratash të ndryshme, kur janë pyetur për gjendjen e poezisë.
Poeti e studiuesi Agim Vinca ka thënë se është mirë që ka një ditë të poezisë, por poezi duhet çdo ditë nga pak.
Shpëtim Selmani është poet i gjeneratës së re. As ai s’është optimist kur flet për letërsinë në përgjithësi. Ka thënë se njerëzit nuk lexojnë dhe nuk është kohë e letërsisë sot.
Më optimiste në vlerësimin e gjendjes së poezisë kanë qenë poetet Ilire Zajmi dhe Ervina Halili.
Zajmi ka thënë se për poezinë zhvillohen aktivitete të shumta, jo vetëm në ditë të shënuara për artin e letërsinë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)