Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Poezi e këngë për solidarizim me regjisorin Lumi

Prishtinë, 15 mars - Poezitë e Shpëtim Selmanit thumbojnë realitetin. E në realitet hyjnë prej nacionalistëve të kotë e deri te politikanët. Në njëfarë forme, vargjet në librin "Poezi në kohën e gjakut dhe zhgënjimit" luftojnë gjendjen aktuale. Disa prej tyre janë lexuar nga vetë autori në një ngjarje të mbajtur për të ndihmuar luftën e një artisti me sëmundjen.

“Poezi e kangë të zemrës për Bekën” është titulluar aktiviteti i mbajtur të martën në qendrën “Multimedia” në Prishtinë, ku është promovuar libri i parë me poezi i Selmanit dhe kanë performuar Rona Nishliu e jazz-pianisti Ilir Bajri. Organizimi është mbajtur në vazhdën e aktiviteteve që kanë për qëllim mbledhjen e fondeve për të ndihmuar regjisorin Bekim Lumi. Mbrëmja që ka zgjatur më shumë se një orë, ka filluar me poezitë e Selmanit, i cili me një gotë verë në dorë ka nisur t’i lexonte ato. Gjatë gjithë kohës Selmani e dyshja, Nishliu e Bajri, janë kombinuar para audiencës jo fort të madhe. Përderisa në njërën anë poezitë preknin gjendjen aspak të mirë të vendit, në tjetrën Bajri e Nishliu eksperimentonin në stilin e tyre. Si mbrëmje qoftë poetike a muzikore, ky organizim ka shkuar përtej atyre aktiviteteve konvencionale të kryeqytetit, ashtu siç edhe regjisori Lumi në shfaqjet e tij shkon përtej asaj që zakonisht ofrohet në Prishtinë. Përderisa Selmani nëpërmjet vargjeve fliste për shqiptarët si krijesa goxha interesante, Nishliu e Bajri kanë sjellë një version të padëgjuar të “Bareshës”.

Aktori e shkrimtari Shpëtim Selmani ka thënë se poezitë e librit "Poezi në kohën e gjakut dhe zhgënjimit" i ka shkruar në tetë vjetët e fundit. Ka thënë se bëhet fjalë për poezi të zhgënjimit që i ka mbuluar të gjithë. Poezia ka qenë gjithmonë evidente tek Selmani (gjerësisht, sot në “kohën Ditore”).

Artikuj të ngjashëm