Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Poetja e përballjes me vetveten

“Nuk e di vërtet se çfarë i bie…dua të them është nder i madh, dhe pastaj e di që ka pranues që nuk i admiroj…”, ishin fjalët gati të zvargura të Louise Glück pak orë pasi mori kumtin se ishte laureatja e sivjetme e çmimit “Nobel” për letërsi.

Ishte ora 7:00 e mëngjesit dhe mezi arrinte t’i përgjigjej në telefon Adam Smithit, zyrtar i “Nobel Media”.

Zonjë 77 vjeçe, e tërhequr në shtëpinë e saj në Cambridge të Massachusettsit, ajo u bë laureatja e sivjetme e “Nobelit” për letërsi.

Pasditen e së enjtes, Akademia Mbretërore në Stockholm ka njoftuar se poetja dhe eseistja amerikane Louise Glück është fituese e çmimit prestigjioz letrar për “zërin e saj të pagabueshëm poetik, që me bukuri të sertë e bën universale ekzistencën individuale”.

Si për ironi, tetori, që asaj i solli “Nobelin”, ishte përjetësuar në një nga poezitë e saj më të njohura që i thekson disa prej veçantive të veprave të saj: qartësi zëri, pikëllim zemre, ndjesi e kudondodhur e një fundi që po afron, fuqi e natyrës dhe ideja që dimri e vë botën në gjumë.

Komiteti prej shtatë anëtarësh i “Nobelit” – pjesë e të cilit ishin Anders Olsson, Per Wästberg, Jesper Svenbro, Mats Malm, Mikaela Blomqvist, Rebecka Kärde dhe Henrik Petersen – kanë vlerësuar Glückun për zërin e saj të “çiltër e të pakompromis”, i cili është “përplot humor dhe zgjuarsi therëse”.

Sipas akademikëve e specialistëve suedezë, Glück kërkon universalen duke qëmtuar mes miteve dhe motiveve klasike. Kështu, zërat e Didos, Persefonës dhe Euridikës, së braktisurës, së ndëshkuarës dhe së tradhtuarës, “janë maska të vetes në shndërrim”.

“Fëmijëria dhe jeta familjare, lidhja e afërt me prindërit e motrat, është një tematikë e cila mbetet qendrore tek ajo. Në poemat e saj, vetja dëgjon për atë çfarë ka ngelur nga ëndrrat e deluzionet, dhe askush nuk mund të jetë më e vështirë sesa ajo në ballafaqimin e iluzioneve të vetes”, është thënë në tekstin e afishuar në faqen “nobelprize”.

Me vlerësimet maksimale për veçantinë e vet letrare, “Nobeli” ia ka sjellë Glückut edhe një shpërblim në vlerë prej 10 milionë krunash suedeze (ekuivalenti i rreth 1 milioni euro).

Artikuj të ngjashëm