Kulturë

Pikturat shumëngjyrëshe vijnë si thirrje për gjithëpërfshirje

Prishtinë, 16 korrik – Një gjallëri e mahnitshme e përfytyrimit artistik: shumëngjyrshmëri lulesh, qiell i pastër në kaltërsinë e thellë e një frymë thellësisht gazmore.

Plot tridhjetë e dy piktura me motive të tilla janë shpalosur në ekspozitën e fëmijëve me aftësi të kufizuara të hapur të hënën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

E menduar qysh në fillim për sensibilizimin e opinionit për dhuntinë në pikturë të fëmijëve me aftësi të kufizuara, kjo ekspozitë është vlerësuar si një mundësi për të kthyer vëmendjen tek kjo kategori e margjinalizuar e shoqërisë. Me përkrahjen financiare të Ministrisë së Kulturës, organizata joqeveritare “Hendicap Kosova” ka paraparë që pikturat e ekspozitës të shiten me çmime modeste e me mjetet financiare nga shitja e tyre të përkrahen aktivitetet për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Vedat Jashari, udhëheqës i Divizionit për Zhvillimin e Politikave Rinore në Ministrinë e Kulturës, ka thënë se është i kënaqur që ky aktivitet po përkrahet nga institucionet.
Ai ka thënë se projekte të tilla shërbejnë për vetëdijesimin e shoqërisë në lidhje me përgjegjësinë që ka për këta fëmijë.
Nga organizata “Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar”, Arjeta Zekolli ka thënë se hapja e kësaj ekspozite është tregues i angazhimit të madh të organizatës joqeveritare “Handicap Kosova” për stimulimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

“Kjo iu mundëson këtyre fëmijëve të ndihen pjesë e botës së artit, por edhe e shoqërisë. Përmes artit ata mund të shprehen më mirë dhe të paraqesin më lirshëm atë se si e shohin botën që i rrethon”, ka thënë ajo.
Ndërkaq duke folur për ekspozitën, piktorja Mirjeta Qehaja ka thënë se është kënaqësi puna me fëmijët me aftësi të kufizuara.
Ekspozita, në të cilën morën pjesë fëmijë nga qendra burimore “Përparimi”, OJQ “Handikos” dhe shoqata “Autizmi”, do të jetë e hapur deri më datën 4 gusht.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")