Kulturë

Piktori në eksplorim stilesh, përballë transformimit me art

Për Leonid Palushajn arti mbetet përherë një fushë eksplorimi

“Nuk do të mund të jetoja pa artin. Të gjitha pengesat që i kam në jetë, të gjitha të mirat dhe të këqijat, kur futem brenda botës së artit ndihem një person tjetër”, ka thënë Leonid Palushaj. Për të kështu ka qenë tash e çerek shekulli, prej se ka nisur rrugëtimin në art. Apartamenti i tij është një galeri më vete, por jo vetëm kaq. Edhe ndërtesës – duke filluar prej liftit – ia ka dhënë frymën e artit të tij. Nëpërmjet figurave disi mistike, ai fsheh identitete

Prishtinë, 8 janar – Nëse Leonid Palushajt do t’i kërkohej që vetëm një ditë të shkëputej prej artit, përgjigjja negative e tij do të ishte e shpejtë dhe e prerë. Për të pikturimi që e ka nisur qysh si fëmijë thotë se tashmë është bërë një me identitetin e tij. E kjo hetohet kudo në vendin ku ai jeton.

“Nuk do të mund të jetoja pa artin. Të gjitha pengesat që i kam në jetë, të gjitha të mirat dhe të këqijat, kur futem brenda botës së artit ndihem një person tjetër”, ka thënë Palushaj, derisa fytyra i ndërron kur arti është mes bisedës. Kur bëhet gati për të dalë nga shtëpia, zgjedh se cilat këpucë do t’i mbathë. Një palë janë pjesë e dhomës ku pikturon e këpucët e tjera i ka të vendosura në raftin e këpucëve prapa derës. Kjo tregon se gjithçka që e rrethon i jep motiv për ta bërë pjesë të artit të tij. Për Leonidin kështu ka qenë gjithmonë.

Tash e 25 vjet pikturimi i është shndërruar në përditshmëri. E në banesën ku jeton nuk ka lënë asnjë dhomë pa e vendosur ndonjë pikturë. Veprat e tij janë të vendosura edhe në korridor. Madje edhe liftit, që të çon për në katin e 12-të të banesës së tij, i ka dhënë një pamje shumëngjyrëshe. Pamjet ndërrohen sa herë që kalon nga një kat në tjetrin. Në këtë mënyrë, ai ka dashur të përçojë energji pozitive nëpërmjet ngjyrave. E ndryshe nga ngjyrat e liftit, në pikurat e tij synon t’u mbetet besnik atyre neutrale. Për të arti mbetet përherë një fushë eksplorimi.

“Qysh kur kam filluar shkollën e artit, profesorët na shtynin të pikturonim stile të artistëve të mëdhenj. Nganjëherë edhe kopjonim një punë në stilin e tyre në mënyrën tonë. Dhe kjo kureshtje më ka shtyrë vazhdimisht nga një artist në tjetrin, dhe çfarë kam pasur përpara jam munduar ta shfrytëzoj. Çdo element që kam pasur afër jam munduar ta shndërroj në një objekt që mund ta pikturoj”, ka shpjeguar Palushaj për KOHËN, i cili kohëve të fundit po pikturon edhe në dërrasë, aty ku pikturimi i tij ndërvepron edhe me flakën.

Image

Figura pa identitet që përpiqen të kalojnë çdo pengesë a kufi, kryesisht dominojnë veprat e tij. Të gjitha figurat që janë bërë tok në pikturat e tij ia kanë kthyer shpinën atij që i shikon. Nëpërmjet tyre, vetë artisti fsheh identitetin për t’u dhënë gjuhë universale në temat që trajton. Artisti preferon që ta lërë shikuesin ta gjejë historinë e përbashkët në pikturat e tij.

“Përdori kryesisht figuracionin, ku vendosi shumë gjëra të tjera. Çdo figuracion ka një lloj të ndërtimit prej bazës, pasi që nuk ka vetëm një pamje të parë, por fsheh diçka më shumë për ata që duan ta lexojnë”, e vazhdon Palushaj rrëfimin.

Se ka lidhje të posaçme me artdashësit, përvoja të veçanta ka përjetuar edhe gjatë ekspozimit të veprave të tij nëpër vende të ndryshme të Evropës. Jo pak vepra të tij janë pjesë koleksionesh private. Ai thotë se bota e tij me atë të blerësit duhet të jetë shumë e përafërt, pasi që pikturat e tij i cilëson si më të vrazhda.

“Jam interesuar t’i analizoj një pjesë të njerëzve që e kanë blerë dhe e kanë pëlqyer punën time. Mendoj që i kam disa elemente të përbashkëta me këta njerëz”, ka thënë ai.

Artisti Leonid Palushaj nga të gjitha eksperiencat që ka pasur brenda e jashtë Kosovës veçon një rast në Gjermani, kur në fytyrën e një vizitoreje kishte lexuar emocionet e forta që kishin ardhur si pasojë e pikturës.

“Në Gjermani pasi që kisha prezantuar punën time, një grua pati filluar të qante dhe kjo më erdhi si një ndjesi shumë e mirë nga njëra anë dhe aq shumë hyri në përjetimin e punës sime, saqë nuk kam pasur ndjesi të tjera të atij lloji që arrijnë deri në atë nivel”, ka treguar Palushaj.

Leonid Palushaj, i cili ka ekspozuar në galeri të shumta shqiptare e evropiane, synon që së shpejti artin e tij ta prezantojë në San Diego të SHBA-së.