Kulturë

Pianisti në mision për dokumentimin e kompozimeve shqipe në Kosovë

Me qëllim të krijimit të një arkivi dhe stimulimit të artistëve të rinj, pianisti Agron Shujaku ka vendosur që të nisë një rrugëtim të ri muzikor, duke i interpretuar tetë vepra pianistike vendore, në mënyrë që të pasqyrojë pasurinë e kompozimeve në Kosovë. Vijnë si vepra për piano në katër duar, gjë që e shton edhe më shumë vlerën. E tërë krijimtaria e kompozitorëve të dëshmuar të skenës kosovare është e përmbledhur në formë CD-je, promovimin e së cilës e paralajmëron shumë shpejt

Neglizhenca ndaj veprave të kompozitorëve të Kosovës, interpretimi i tyre vetëm në festivale dhe mungesa e dokumentimit me audio-incizime, kanë qenë ato që e kanë preokupuar pianistin Agron Shujaku. Duke i cilësuar ato si pasuri për muzikën klasike shqipe, ai ka ndërmarrë iniciativën e promovimit të veprave vendore. Mirëpo, këtë ide e realizoi në një format të veçantë pianistik, atë të interpretimit të tyre në piano në katër duar.

Me qëllim të krijimit të një arkivi dhe stimulimit të artistëve të rinj, Shujaku ka vendosur që të nisë një rrugëtim të ri muzikor, duke i interpretuar tetë vepra pianistike, në mënyrë që të pasqyrojë pasurinë dhe bagazhin e kompozimit në Kosovë. E tërë krijimtaria e kompozitorëve të dëshmuar të skenës kosovare është e përmbledhur në formë CD-je, promovimin e së cilës e paralajmëron shumë shpejt.

Shujaku e ka filluar me hitin e njohur, “Pranverë në Prishtinë”, ritmet melodike të së cilës kanë lënë gjurmë në muzikën shqipe nën interpretimin e Sabri Fejzullahut, kompozuar prej Musa Piperkut. Në interpretimin që tashmë është publikuar, Shujaku bashkë me Ledian Shalën, nxënësin e nipin e tij, luan veprën e aranzhuar nga Kreshnik Aliçkaj. Me një xhirim profesional në teatrin “Istref Begolli” në Pejë e me paraqitje ku ritmet harmonizohen njëri pas tjetrës, publikut i ofrohet ajo që ka munguar shumë: dokumentimi dhe luajtja në piano me katër duar. Janë melodi që sa shkojnë e bëhen më të theksuara, sjellin nostalgji e mall bashkë me frymën klasike që ofrojnë tingujt e pianos përbrenda veprës, e cila u aranzhua dy vjet më parë nga Aliçkaj për festivalin “Chopin Fest”. Mirëpo, ky qëllim nuk ndalet me vetëm frymëzimet për Prishtinën.

“Është fjala për projektin e realizimit të veprave të kompozitorëve kosovarë, të shkruara në teknikën piano për katër duar. E kam parë si nevojë, sepse këto veprat e kompozitorëve tanë porositen për ndonjë Festival apo koncert, realizohen një herë dhe harrohen. Zakonisht as nuk incizohet, nëse kemi nevojë ta dëgjojmë atë vepër nuk e gjejmë as si video as si audio”, tregon Shujaku për atë që u bë shtysë për këtë nismë. Ai këtë e sheh si një përpjekje për ringjallje të krijimtarisë shqiptare përmes digjitalizimit.

“E kam zgjedhur që ta publikoj videon e parë ‘Pranvera në Prishtinë’. Është aranzhim i kompozitorit Kreshnik Aliçkaj. Kam dashur kështu të mbetet edhe një trashëgimi kulturore”, ka thënë ai.

Aliçkaj ka treguar se procesi i aranzhimit dhe ndërhyrjeve në versionin origjinal nuk ka qenë i lehtë.

“Sigurisht duhet ta njohësh mirë edhe melosin popullor dhe të dish ta shprehësh atë, të njohësh specifikat e pianos, aq më shumë që janë dy interpretues e katër duar, që s’duhet t’iu përzihen duart atyre. Duhet të shkruhen shumë nota, pavarësisht që duket e thjeshtë. Në aranzhim lypet një përvojë mjaft e mirë”, ka thënë Aliçkaj, tek ka shtuar se mendon që duhet të ruhet origjinaliteti edhe në aranzhime.

“Ka bërë një punë shumë të mirë, sepse ka qenë incizim profesional, ka qenë live por me incizim të studios. Ka qenë pastërti për dallim nga ato që dëgjojmë në koncerte ku dëgjohet publiku. Mendoj që edhe të tjerët duhet të bëjnë një gjë të tillë dhe veprat e kompozitorëve kosovarë të jenë të incizuara e jo të mbesin të harruara. Më pëlqeu edhe realizimi”, ka vlerësuar Aliçkaj kosovar për nismën e Shujakut.

Rrugëtimi vazhdon edhe me krijime autentike e premiera. Duoja pianistike “Something for you” e Aliçkajt, “Raining” dhe “Iris Ilyrica” të Artan Hasanit, “Contextus” dhe “Gjirokastrite” të Mendi Mengjiqit, “Prapë se Prapë” nga Valton Beqiri dhe premiera “In memoriam” nga Memli Kelmendi, si kujtim i kryetarit të ndjerë të korit “Siparantum”, Fatmir Bajraktari, janë copëzat e tjera që do ta plotësojnë misionin e vlerësimit të krijimeve vendore.

Mirëpo, përveç aspektit të veprave të kompozitorëve vendorë, edhe mungesa e performimit në katër duar e ka shtyrë Shujakun që të mos ndalet drejt qëllimit të tij.

“Kur kam filluar të hulumtoj vepra të kompozitorëve kosovarë të shkruara nga piano, e kam parë që ky zhanër në katër duar është në mungesë. Ka pasur vepra që s’kam mund të përfshij në këtë projekt, por do të jenë në projekte të tjera”, tregon ai.

Për bashkë-kolegun e tij në performancën e parë të publikuar nga projekti, Ledian Shalën, Shujaku ka thënë se e konsideron si koleg, pavarësisht që është nxënës e nip i tij.

“Është pianist që është dëshmuar, ka marrë çmimin ‘Pianisti i ri’. Sivjet do të performojë në ‘DAM Festival’. Bashkëpunimi me të ka qenë sfiduese në kohën pandemike për shkak që një periudhë kemi qenë larg njëri-tjetrit. Është nxënës i dëgjueshëm”, e ka përshkruar Shujaku pianistin Shala.

Tutje, kur pyetet nëse ia ka dalë mbanë që të përmbushë qëllimin e tij, ka thënë të jetë kërkues gjithnjë e më shumë.

“Në këtë projekt nuk jam ngutur, kam dashur ta realizoj mirë. Por e kam parë se nuk duhet kërkuar perfeksion sepse nuk arrihet”, ka thënë pianisti Agron Shujaku.

Realizimi i projektit të CD-së me vepra të kompozitorëve kosovarë është subvencionuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Komuna e Prishtinës.