Prishtinë, 18 prill – Tashmë është bërë një javë qëkur “Chopin Piano Fest” ka nisur rrugëtimin në edicionin jubilar dhe deri në fund kanë mbetur edhe dhjetë mbrëmje të tjera. Me thjeshtësi e mjeshtëri, pianisti hungarez Istvan Lajko ka pushtuar skenën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare, të martën mbrëma. I cilësuar nga shtypi hungarez si “një emër për t’u shënuar”, Lajko, që është njëherësh edhe ligjërues në tri universitete muzikore dhe fitues i çmimeve të shumëfishta, e ka dëshmuar epitetin.
Vepra e parë me të cilën para publikut kosovar u prezantua për herë të dytë qe “Piano Sonata in D Major kv. 284” e kompozitorit gjenial Wolfgang Amadeus Mozart, që konsiderohet ndër sonatat më të vështira të këtij kompozitori. E cilësuar si e vështirë për t’u luajtur edhe teknikisht edhe stilistikisht, sonata shpërfaq pjekuri tematike dhe interpretuese, cilësi që pianisti Lajko i zotëron dhe i vuri në pah edhe me veprën “15 Hungarian Peasant Songs”, të frymëzuara nga folklori hungarez që kompozitori Bela Bartok i kishte aranzhuar për piano.
Një kthesë të veçantë e dhanë veprat “Sonetto 123 del Petrarca” dhe “Hungarian Rapsody no. 8” të Franz Liszt, që kanë sjellë mallëngjimin e soneteve dhe një imazh tjetër tingullor. Mbrëmjen e ka përfunduar në rrymë romantike, duke sjellë për herë të parë veprën “The sleeping beauty concert suite” të kompozitorit Pyotr Ilyich Tchaikovsky, trankriptuar për piano prej kompozitorit rus Mikhail Pletnev.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")