Institucioni me traditë 327-vjeçare ia ka ndarë Çmimin për Arte Vizuale artistit nga Kosova, Petrit Halilaj. Bazuar në krijimtarinë e Halilajt, juria ka vlerësuar se këtë vit ai duhet të jetë laureat i këtij çmimi prestigjioz si një artist që vazhdimisht hulumton të kaluarën personale e kolektive duke ngritur pyetje me bazë politike, të cilat eksplorojnë ndërlidhshmërinë midis realitetit e imagjinares. Akademia e Arteve në Berlin e ka vlerësuar Halilajn si artist që hulumton identitetin kulturor, nocionet e kombësisë dhe trashëgimisë, si dhe idetë e kujtimeve personale e kolektive dhe të lirisë
Akademia e Arteve në Berlin është pikë reference sa u përket instituteve artistike në Evropë. Institucioni me traditë 327- vjeçare ia ka ndarë Çmimin për Arte Vizuale artistit nga Kosova, Petrit Halilaj. Bazuar në krijimtarinë e Halilajt, juria ka vlerësuar se këtë vit ai duhet të jetë laureat i këtij çmimi prestigjioz si një artist që vazhdimisht hulumton të kaluarën personale e kolektive duke ngritur pyetje me bazë politike të cilat eksplorojnë ndërlidhshmërinë midis realitetit e imagjinares.
Juria në përbërje të kuratorit Sam Bardaouil, artistëve Bjorn Melhus dhe Corinne Wasmuht, ka zgjedhur që Halilaj të jetë laureati i sivjetshëm.
Akademia për arkitekturë ia ka ndarë çminim Xu Tiantian, për muzikë Joanna Bailie, për letërsi Barbi Markoviq, për arte performuese Marcel Kohler, kurse për film Nelly Quettier.
Ky institut ndërkombëtar që numëron 422 anëtarë dhe 6 seksione ka vlerësuar se Petrit Halilaj – i lindur në Kostërc të Skënderajt më 1986 – i informuar nga historia e ngarkuar politikisht e vendlindjes së tij, Kosovës, dhe rajonit përreth, ka zhvilluar një praktikë të shumanshme që kthen në forma të prekshme një spektër të gjerë përvojash personale, vendesh dhe tregimesh për njerëz të ndryshëm.
“Nëpërmjet instalacioneve hapësinore gjithëpërfshirëse, shpesh të ngulitura në përvojën e tij të luftës dhe shpërnguljes, dhe nganjëherë duke përfshirë materiale nga vendlindja e tij, Halilaj hulumton identitetin kulturor, nocionet e kombësisë dhe trashëgimisë, si dhe idetë e kujtimeve personale e kolektive dhe ato të lirisë”, shkruhet në arsyetimin e jurisë. Në ceremoninë e mbajtur në Berlin të shtunën, po ashtu është thënë se nga materialet natyrore, kafshët dhe objektet e gjetura e deri te ato të punuara imët dhe mjediset e përpunuara filmike dhe zanore, Halilaj punon në një sërë mediash, duke krijuar vepra herë-herë diskutabile sa i përket ndershmërisë e duke i konceptuar si strategji rezistence ndaj normave shtypëse politike dhe sociale.
Në arsyetimin e jurisë, po ashtu, shkruan se bashkëpunimi është një tjetër komponent integral i praktikës së Halilajt. Aty tregohet se në instalacionin e tij në shkallë të gjerë për edicionin e 57-të të Bienales Ndërkombëtare të Venecias në vitin 2017, ai bashkëpunoi me nënën e tij për të krijuar skulptura të mëdha performuese të ndërtuara nga materiali tradicional i tekstilit kosovar. Më 2017 Halilaj kishte marrë “Mirënjohje Speciale” nga juria e Bienales për dy instalacionet e tij, atë me flutura dhe atë me abetare.
Juria ka përmendur edhe bashkëpunimet me partnerin e tij Alvaro Urbano, deri te ekspozita e vitit 2021 në “Tate St Ives” në Britani të Madhe, ku u prezantua me një vepër të fuqishme në të cilën ai rishikoi 38 vizatime të fëmijërisë që kishte bërë gjatë kohës që ishte në kampin e refugjatëve në Kukës, gjatë luftës në Kosovë 1998-99, kur ishte 13 vjeç. Halilaj asokohe pushtoi mediat botërore duke e rivendosur Kosovën në botën elitare të artit me “Very volcanic over this green feather”, e hapur në mestetor në “Tate St Ives” në St. Ives të Cornwallit. Aty ai shpalosi rrëfimin e tij unik për luftën në Kosovë dhe këtë e bëri mjeshtërisht duke iu rikthyer vizatimeve në kohën kur ishte refugjat.
“Bashkëpunimet e Halilajt shkojnë përtej punës vetëm me qeniet njerëzore. Ato tejkalojnë parametra të tillë për të përfshirë specie të tjera, përkatësisht zogj, të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të përsëritur në shumë prej instilacioneve të tij”, shkruhet në arsyetimin e jurisë për artistin që më 2013 e përfaqësoi Kosovën në pjesëmarrjen e parë të shtetit në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Sipas jurisë, ajo që e veçon Halilajn si një marrës të denjë të këtij çmimi është kuptimi i tij për ekspozitat si një mënyrë për të ndryshuar rrjedhën e historive personale dhe kolektive, si platforma për të zbuluar marrëdhënien e ndërlikuar midis realitetit dhe imagjinatës, historive zyrtare dhe përvojave të jetuara.
“Kjo bazë politike e qasjes së tij ndaj krijimit të ekspozitës, së bashku me gamën e gjerë të mjeteve të tij formale dhe konceptuale, dëshmojnë për aftësinë e tij për të mbajtur gishtat në pulsin e kohës sonë, duke e bërë atë një nga artistët më të dalluar të brezit të tij”, shkruhet në arsyetimin e jurisë.
Në ceremoninë e pranimit të çmimit, Halilaj ka thënë se është thellësisht i përulur dhe i nderuar të marrë këtë çmim dhe të bashkohet me radhët e laureatëve të mëparshëm që kanë lënë gjurmë në botën e artit.
“Si artist, kam besuar gjithmonë se ekspozitat kanë potencialin për të riformuar historinë, përfshirë historitë personale dhe kolektive. Nëpërmjet punës sime gjithmonë jam përpjekur të krijoj botë komplekse që sfidon strukturat ekzistuese të pushtetit dhe i bën hapësirë lirisë, dëshirës dhe intimitetit e identitetin”, ka thënë ai. Të pranishmëve iu ka drejtuar duke iu thënë se, siç dihet, ai frymëzohet nga vendi i lindjes, Kosova, dhe nga tensionet politike dhe kulturore që kanë përcaktuar historinë e saj të re.
“Duke jetuar midis Gjermanisë, Kosovës dhe Italisë jam magjepsur nga të qenit në pozicionin e mesit. Në shumë mënyra arti im është një përpjekje për t'u përballur me këto realitete komplekse dhe për të krijuar poetikë të kundërt për të ardhmen”, ka thënë ai. Ka shtuar se derisa ecën përpara, është i përkushtuar të vazhdojë të krijojë art “që sfidon dhe provokon, që reziston dhe feston, dhe që bën vend për mundësi dhe mënyra të reja të qenies”.
Halilaj pos nëpërmjet veprave të tij nëpër botë, Kosovës i kthehet shpesh. Vjet në bienalen nomade “Manifesta” ai u paraqit me thirrjen për qiell të ri, që shkon përtej një apeli për shoqërinë. Fjalia e tij “Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin” nuk do të mbesë vetëm njëri prej tregimeve të shtresuara përkohësisht gjatë vitit 2022 nga “Manifesta” në Prishtinë. Vepra e Halilajt do të mbesë edhe për një vit aty ku është, mbi hotelin “Grand”.
Por historia nuk përfundon me kaq. Halilaj ka shkuar më tej. Fjalinë që mori vëmendjen e mediave botërore që raportuan për “Manifesta 14” ia ka falur koleksionit shtetëror të veprave të artit të Kosovës.
“Është xixëllimë në zemër nga gëzimi që të kem mundësi t’ia dhuroj punën ‘Kur dielli të ikë do ta pikturojmë qiellin’ koleksionit shtetëror të artit të Republikës së Kosovës, pasi që vetë projekti është rezultat i njerëzve, energjisë dhe entuziazmit e vizionit të qytetarëve me të rinj të Evropës”, kishte thënë Petrit Halilaj.