Kulturë

Petrit Çeku në univers muzikor me kuartetin dhe premierën e “XX”

Lëvizjet e tij gjatë interpretimit e bëjnë të duket sikur është në një botë paralele. Atë të muzikës që e zotëron si rrallëkush. Apo më saktë, të universit të pafundmë të tingujve. Aty ka marrë me vete edhe “Viva String Quartet” nga Maqedonia e Veriut, dhe koncerti i tyre ka qenë një epilog i qëlluar i edicionit të sivjetmë të “ReMusicas”. Mjeshtërisht Çeku ka zbërthyer edhe veprën “XX” të Valton Beqirit, që është interpretuar premierë

Lajmi se Petrit Çeku do të jetë në koncert mjafton që salla ku do të mbahet ngjarja të mbushet plot. Interesimi për të parë nga afër interpretimin e një prej kitaristëve më me nam jo vetëm në Evropë është i madh.

Të shtunën mbrëma Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Çeku i është kthyer në kuadër të festivalit ndërkombëtar të muzikës “ReMusica”. Mbrëmja ka nisur me “Viva String Quartet” nga Maqedonia e Veriut, që ka interpretuar veprën e Maxim Shalygin, “Drop after drop”. E pas veprës e cila ka pasur ritëm më të ngadaltë, ka qenë koha që skena të marrë tjetër dimension.

Vetë dalja e Petrit Çekut në skenë ka “ngjallur” publikun. Shenja e tij për kuartetin se mund të fillojë performanca i ka dhënë zë veprës “Guitar Quintet in D major No. 4, g. 448” të Luigi Boccherinit. Vepra është goxha ritmike, sidomos për kitarë. Pikërisht instrumenti që Çeku e zotëron si rrallëkush ishte në qendër të vëmendjes. Siç ndodh rëndom, performancen nuk e ka vetëm në kitarë. Varësisht nga melodia ai “aktron” në mënyrë që emocionaliteti të përçohet edhe më.

Image
Vetë dalja e Petrit Çekut në skenë ka “ngjallur” publikun. Shenja e tij për kuartetin “Viva String Quartet” se mund të fillojë performanca i ka dhënë zë veprës “Guitar Quintet in D major No. 4, g. 448” të Luigi Boccherinit (Foto: Rrahman Osmani)

Në mbrëmjen e fundit të programit të rregullt të Festivalit publiku ka pasur rastin që të dëgjojë veprën premierë të kompozitorit Valton Beqiri. “XX” e shkruar për 20-vjetorin e Festivalit – vitin e kaluar – është interpretuar sivjet shkaku i masave kundër pandemisë që ishin në fuqi më 2021. Beqiri të shtunën mbrëma ka pasur përgjegjësi të dyfishte. Është ulur në piano për të interpretuar veprën së bashku me Çekun. Literatura muzikore nuk është shumë e pasur me vepra për kitarë e piano. “XX” vjen me elemente të trevave shqiptare duke bërë që nëpërmjet muzikës klasike të preken edhe temat e këtyre anëve. Është vepër goxha e “rëndë” dhe kërkon shije të hollë për të hyrë në botën e saj.

Pas një pauze të shkurtër kuarteti nga Maqedonia e Veriut dhe Çeku i janë kthyer skenës për ta luajtur edhe veprën e fundit. “Guitar Quintet op. 143” e Mario Castelnuovo-Tedesco e ka futur publikun në botën e një prej kompozitorëve të njohur italianë, i cili jetoi në pjesën e parë të shekullit të kaluar. Si kompozitor e pianist ai ishte i dhënë pas krijimit të veprave edhe për kitarë. E ajo që është luajtur në “ReMusica” është prej më të njohurave. Çeku është nivel për këtë e edhe vepra më të komplikuara, kurse kuarteti nuk e ka pasur fort të lehtë ta ndjekë kitaristin. Me temp që zbret e ngrihet, vepra ka nxjerrë në pah edhe më shkathtësitë e Çekut për ta bërë publikun për vete. Lëvizjet e tij e bënin të dukej sikur është në një botë paralele. Atë të muzikës që e zotëron si rrallëkush.

Kompozitori e dirigjenti Rafet Rudi, themelues i Festivalit që tash drejtohet nga e bija Donika Rudi, ka thënë se bëhet fjalë për një mbrëmje me program jashtëzakonisht atraktiv.

Image
Si privilegj që veprën e tij ta interpretojë së bashku me Çekun e ka përshkruar Velton Beqiri premierën e “XX”

“Natyrisht që kur është edhe Petriti në program ai koncert merr një pamje dhe një dimension tjetër”, ka thënë Rudi. Sipas tij, veçanti tjetër është fakti se sivjet “ReMusica” është kthyer në formatin tradicional me koncerte me prani fizike pas dy edicioneve online shkaku i përballjes me pandeminë. Ka thënë se veçanti tjetër e mbrëmjes qe edhe vepra e Valton Beqirit.

“Ishte kënaqësi e mbrëmjes premiera e veprës së Valton Beqirit, që në njëfarë mënyre e plotëson atë kuadrin e fizionomisë që e kemi pasur që nga edicioni i parë duke konsistuar në popullarizimin e muzikës bashkëkohore, muzikës në përgjithësi e sidomos në afirmimin e autorëve tanë”, ka thënë Rudi.

Si privilegj që veprën e tij ta interpretojë së bashku me Çekun e ka përshkruar Beqiri premierën e “XX”. Ka thënë të jenë koordinuar mirë dhe kanë funksionuar si tandem.

“Mendoj gjithsesi se veprat me tipare dhe elemente të trevës sonë janë gjithmonë atraktive për publikun tonë, por edhe për atë ndërkombëtar. Besoj që vepra do të vazhdojë rrugëtimin e vet në kuadër të këtyre përmasave”, ka thënë ai pas lojës me Çekun, i cili vetëm këtë muaj paraprakisht ka interpretuar në sallën e koncerteve “Lisinski” e në Teatrin Kombëtar të Zagrebit. Fillimi i majit do ta gjejë në Graz të Austrisë në Javën Ndërkombëtare të Kitarës për të vazhduar me një masterklasë në Majorka e më pas me koncert në Gjermani e prapë në Austri.

Beqiri ka thënë se vepra e tij është një formacion pak jo i zakonshëm për kitarë dhe piano dhe rrallë shkruhet për këto dy instrumente.

“Mungon kjo literaturë. Vepra ka edhe një version për kuartet dhe piano. Shpresoj që edhe festivalet e tjera të vazhdojnë të kërkojnë vepra të reja”, ka thënë ai. Ka bërë thirrje që kompozitorët të stimulohen më shumë me çmime, pasi sidomos në ambientin shqiptar arti është jokomercial.

Kuarteti nga Maqedonia e Veriut e kishte marrë me goxha përgjegjësi paraqitjen në “ReMusica”, sidomos për shkak të kitaristit, me të cilin do të luanin.

“Kur na u tha se do të luajmë me një nga kitaristët më të mirë në botë, Petrit Çeku, ishte përgjegjësi edhe më e madhe. Kështu që qëllimi ynë ishte të jepnim një koncert të mirë për audiencën, por edhe që ne të kënaqemi dhe jemi kënaqur me të vërtetë”, ka thënë violonçelisti Dejan Teodosievski.

Duartrokitjet e publikut i kanë kthyer në skenë Çekun e kuartetin disa herë. E artisti me nam pas koncertit është “zhdukur” për nja gjysmë ore. Nuk ka dashur të flasë për media siç edhe rëndom bën. Petrit Çeku “flet” shumë në skenë.