I veshur me kostum e i përgatitur sikur për çdo koncert tjetër që ka dhënë nëpër salla prestigjioze, kitaristi Petrit Çeku të premten mbrëma nga banesa e tij në Zagreb, ka mbajtur recital.
I njëjti është transmetuar drejtpërdrejt në faqen zyrtare të artistit në Facebook.
Çekut ashtu sikurse shumë artistëve nëpër botë, i janë anuluar koncertet e tij pas shpalljes së gjendjes pandemike për shkak të përhapjes së virusit COVID-19. Situata e krijuar, pamundësia e mbajtjes së koncerteve e ka bërë kitaristin e njohur që t’i evokojë arsyet elementare pse kishte zgjedhur që të ishte kitarist. Kështu, dëshira për përmbushjen e rolit të tij, i ishte zgjuar pothuajse intuitivisht të premten kur vendosi që ta transmetojë recitalin nga banesa e tij në kryeqytetin kroat.
“Le të mos harrojmë se ani pse jemi të ngujuar në shtëpitë tona, ne jemi së bashku në këtë”, ishte porosia që Çeku la në Facebook për ndjekësit e tij pas interpretimit.
Recitali u dha ditën kur në Kosovë u konfirmuan dy rastet e para me koronavirus. Kitaristi Petrit Çeku, për gati gjysmë ore, solli gjashtë vepra të kompozitorit austriak Franz Peter Schubert. Përzgjedhja e tij u la mbresa profesionistëve të kësaj fushe.
Në të njëjtën kohë mbajtja e këtij recitali u pa edhe si një psikoterapi, e arti, si forma më e mirë për të përkrahur njëri-tjetrin.
Kitaristi Çeku, i cili në shtator të vitit të kaluar është emëruar profesor në Universitetin e Grazit, luajti veprat “Praise of the tears”, “Love Bothood”, “Stay tuned for a stay”, “Serenade”, “Die Post” dhe e përmbylli recitalin me veprën “The fisherman girl” për peshkatarin dhe peshkun që vjen si një porosi për vajzat që të kenë kujdes nga djemtë e rinj.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot falas në Kohën Ditore. Klikoni këtu për t'u regjistruar.)