Në kuadër të “Prishtina Jazz Week”, të enjten është mbajtur punëtoria me muzikantët e mirënjohur, vokalistin Jonathan Hoard, pianistin Marko Churnchetz dhe bateristin Kweku Sumbry. Janë bërë tok në kafe-librarinë “Dit’ e Nat’” ku për dy orë kanë ndarë përvojat e botëkuptimet e tyre për muzikën e që janë mësim për gjeneratën e re të muzikantëve.
Vokalisti Jonathan Hoard ka thënë se për një artist është e rëndësishme të mendojë jashtë kutisë.
“Nëse po përjetoni ditë të këqija dhe nuk mund ta jepni më të mirën duke performuar në skenë, ndaluni dhe reflektoni. Fundja, nisni të shkruani një libër për muzikën që bëni dhe ku i dihet mbase do të bëhet edhe bestseller”, ka thënë Hoard.
Ndërsa bateristi Kweku Sumbry ka thënë se muzika përveçse ia ka begatuar jetën e ka mësuar edhe të bashkëjetojë me dhembjen.
“Po e tregoj një përjetim timin: Kisha prerë gishtat duke përgatitur një sallatë dhe ashtu më duhej të dilja në skenë për t’iu rënë baterive. Gishtat e mi i kishin gjakosur fashat e bardha, gjersa çdo tingull që lëshoja për mua nënkuptonte një dhembje të radhës edhe më të madhe, edhe më të padurueshme. Megjithatë, ia dola ta bëja dhe nga kjo nxora një mësim të mirë se arti mund të lulëzojë edhe në dhembje, qoftë ajo fizike apo shpirtërore”, ka rrëfyer ai.
Pianisti Marko Churnchetz, ndër të tjera, ka thënë se provat dhe muzika janë vetë jeta e tij, por ai nga muzika ka mësuar se secili duhet marrë përgjegjësinë e vet për t’u arritur harmonia e përkryer.
Edhe
Loja e trios së Churnchtzit dhe zëri i Hoardit me magjinë e jazzit
“Pastaj s’duhet gënjyer as vetja që të bëhen gjëra veç pse duhet. Bëjini gjërat që i doni vërtet”, ka thënë Churnchetz.
Pianisti i mirënjohur slloven ka theksuar se botën e muzikës nuk duhet parë si diçka të ndarë. Brenda saj mund të lëvizet lirisht kudo që artisti e gjen veten.
“Është faji i arsimit që na bën të mendojmë se nuk mund të bëhet lëvizje nëpër zhanret muzikore. Unë kam luajtur fillimisht muzikën klasike, pastaj edhe në dasma e ndeja i kam rënë pianos. Tash bëj jazz. Pra, nuk ka kufij. Bota e muzikës nuk duhet parë si e ndarë në disa pjesë. Të gjitha zhanret janë pjesë e botës së gjerë të muzikës, dhe për aq kohë sa një artist bën muzikë, çdo gjë është në rregull”, ka thënë ai.