Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Loja e trios së Churnchtzit dhe zëri i Hoardit me magjinë e jazzit

Edhe pse të mbledhur për qëllimin e njëjtë e në vendin e njëjtë, në skenën e “Kino Armatës”, në natën e tretë të “Prishtina Jazz Week”, shumë gjëra kanë ndërruar. Duke filluar nga stili i jazzit që luajti, deri te kombinimi i shumëpritur i instrumenteve me vokal.

Ngrohtësia e sallës dhe numri i madh i pjesëmarrësve kanë mbetur po ata. Reflektorët ia kanë dhënë skenës ngjyrat vjollcë dhe kaltër, derisa në skenë ka vend katërshja e muzikantëve. Qetësia dhe relaksi i tingujve kanë mbizotëruar që prej fillimit kur trioja e mirënjohur e Marko Churnchetz në piano, Joshua Ginsburg në kontrabas dhe Kweky Sumbry në bateri ekzekutuan në instrumente dy vepra nga albumi i Churnchetz, “Place to Live”, shkruan sot Koha Ditore.

Këto pjesë u shoqëruan nga lëvizje të ngadalta të duarve të instrumentistëve, gjersa tingujt e tyre nxisin relaksim e meditimin. Teksa publiku po i shijonte ato, vokalisti Jonathan Hoard, që ka qenë i ftuar special i mbrëmjes, ka pritur i ulur në skenë. Hoard ka mbërritur në elitën e industrisë muzikore, kur më 2017 kënga “No problem”e Chance the Rapper me Lil Wayne e 2 Chainz, mori “Grammy” për performancën më të mirë rap. Ai kishte kontribuuar për tekstin e kësaj kënge.

“Faleminderit që më sollët këtu, është nder për mua”, i është drejtuar fillimisht publikut vokalisti Hoard, duke i përshëndetur me “Mirëmbrëma” dhe duke i falënderuar në shqip. Më pas skena u pushtua nga tingujt e këngës së Steve Wonder, “Taboo to Love”, të cilën Hoard së bashku me bendin e sollën për publikun. Salla ka jehuar nga zëri melodioz i Hoard.

Duart e vokalistit lëviznin herë pas here gjersa kapte nota të larta që publiku i përcillte me brohoritje. Duke filluar me këtë vepër e deri në fund, Hoard nuk u largua nga skena. Kënga tjetër që ai e këndoi ka qenë “Ask me Now” e kompozitorit dhe jazz-pianistit amerikan Thelonious Monk....(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")