Me disa elemente imagjinare, skenari i 2021-s për regjisoren Blerta Basholli do të ishte si në vazhdim: Basholli zgjohet një mëngjes dhe vendos që filmin që i mori një dekadë për ta përfunduar ta dërgojë në Festivalin e Filmit në Sundance.
“Pse jo, sigurt një shqiptar e ka themeluar këtë festival”, ishin fjalët që ia tha vetes. Madje, yjet që ndër vite u bënë pjesë e këtij festivali, sipas saj, nuk dallonin shumë prej yjeve të “Zgjoit”. “Kam Yllkën, bash si Sandra Bullock doket”, kishte thënë ajo.
Kishte aplikuar në alamet festivali. Jo vetëm që ishte pranuar, por kishte marrë tri çmime kryesore: çmimin për regji, atë të jurisë dhe të publikut. Festë gjithandej. Pije deri në mëngjes dhe shumë dhimbje koke për regjisoren të nesërmen. Por kur zgjohet, akoma jo e kthjelltë nga pija, vendos të shkojë në “Oscars”.
“Zgjoi”, që mishëron veç një kapitull të jetës së Fahrije Hotit, del në ballinat e mediave kryesore në vend dhe atyre ndërkombëtare. Konsiderohet një rrëfim inspirues për botën. Për Kosovën kthehet, po ashtu, në një shkëndije shprese. Bëhet kandidati i Kosovës për “Oscar”.
Kështu Blerta Basholli, akoma nuk dihet nëse është emocionalisht stabile nga e gjithë kjo situatë. Nuk ka shumë ditë, që kur e kuptoi se filmi është në listë të ngushtë për “Oscars”. Prapë cakërroi disa gota. “’Oscar’, më prit!”, ishte zgjuar duke thirrur.