Në kohën e teknologjisë, kur “përkthimi” është kondensuar me një klik, përvojat e përkthyesve të mirëfilltë u përafrohen atyre të vetë shkrimtarit, por pesha e një vepre në disa gjuhë është edhe më e madhe sesa kaq. Në ditën e dytë të Panairit të Librit, paneli me përkthyes nga Kosova e Shqipëria ka pasur theksin në rëndësinë e përkthimit të veprave dhe jo vetëm. Është vlerësuar se është shkëmbim kulturash e pasurim i gjuhës shqipe. Janë shpalosur përvojat e përkthyesve të veprave botërore në gjuhën shqipe.
Shkrimtari e studiuesi i letërsisë, Ag Apolloni, ka thënë se përkthimi është ndërmjetësimi më i mirë i kulturave.
“Sigurisht që përkthimi më vete është i rëndësishmen dhe ne nëse mendojmë se çfarë është një përkthim në kulturën dhe kujtesën tonë, e shohim që po e hoqëm pjesën që kemi marrë nga përkthimi, kultura jonë është shumë e varfër”, është shprehur Apolloni në panelin e pasdites të së enjtes në kuadër të ngjarjeve që kanë vetëm një adresë: hollin e katit të sipërm të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve ku mbahet Panairi.
Ka thënë se shkrimtarët botërorë nuk do të ishin të tillë nëse nuk do të ekzistonte përkthimi i veprave.
“Është një fazë të cilën njerëzit e përballojnë vetëm në formë të përkthyesit, përndryshe do të ishin raste të izoluara. Shkrimtarët që i quajmë botërorë, po të mos ishte përkthimi, do të ishin thjesht shkrimtarë. Kështu që është kënaqësi e veçantë kur shohim një botues që sjell përkthime të autorëve të mëdhenj”, ka konsideruar Apolloni.
Poeti e përkthyesi Primo Shllaku ka folur për “Lulet e së keqes” nga Baudelaire, të cilin e ka vlerësuar si tejet të vështirë e që mund edhe të të turpërojë.
“‘Lulet e së keqes’ ka qenë një libër në të cilin kam punuar rrumbullak 50 vjet – 1968-2018. Bëni hesapet. Ky ka qenë një libër shumë i zorshëm. Fletët e përkthimit, ka pasur pesë a gjashtë përkthime që i kam marrë herë pas here, i kam shikuar dhe kur kam parë se nuk kam çfarë të bëj, kam thënë se tash do ta nxjerr turpin tim. Sepse Baudelaire të turpëron. Unë kam parë tekste italisht, që ma merr mendja se kur i ka dëgjuar se si e kanë përkthyer, është kthyer së prapmi në varr. Kam parë edhe tekste që sërish e kanë bërë të kthehet për së mbari”, ka thënë Shllaku, i cili ka përkthyer edhe klasikë të tjerë francezë, si Sartre e Balzak.
Panelistët janë përkthyes të veprave nga gjuhë të ndryshme.
Anna Kove përkthen nga gjermanishtja. Sipas saj, gjermanishtja tingëllon vrazhdë, porse teknikat e përkthimit kanë evoluar dhe kësisoj krijohen mundësi të reja për përkthyesit.
“Na krijohen ndoshta edhe mundësi ta zbusim paksa gjermanishten e egër dhe të vrazhdë. Gjermanët thonë: ‘Falënderojmë Zotin që kemi lindur gjermanë për të mos e mësuar si gjuhë të huaj’. Aq e vështirë është. Letërsia gjermane filozofon shumë. Edhe në gjëra të thjeshta dashurore ka shumë filozofi brenda dhe kjo ndoshta e rëndon paksa lexuesin, kur dashurinë do ta shijojë dhe jo ta dëgjojë si pjesë të filozofisë”, ka thënë ajo.
Sokol Çunga, i cili përkthen antikët grekë, ka veçuar poeteshën e parë, Safon, e veprën e saj “Epigramet erotike”.
“Për mua është e paprekshme për shumë arsye: për rafinimin e vargut, të fjalës dhe për atë që zakonisht e ndeshim në çdo vepër që i reziston kohës. Ka shkruar një vepër e cila edhe sot mbetet, qoftë për nga stilistika, qoftë për nga tematika”, ka thënë ai.
E përkthyesi Granit Zela ka veçuar veprat e shkrimtarit amerikan, John Updike, katër prej të cilave i ka përkthyer.
“Nga ‘Albas’ u propozua për katër vëllime dhe unë u befasova. U gëzova, sepse isha në fazën kur kisha vendosur t’i përkushtohesha përkthimit me orar të plotë. Ishte karriera ime pas 20 vjetësh përkushtimi në letërsi. U befasova pozitivisht dhe mendova se ishte koha e duhur. Zbulova se përkthimin e kisha pasion të fshehtë. Isha përgatitur për një kohë të gjatë dhe tani ishte momenti”, është shprehur Zela.