Teksa kalon nëpër “Skënderbeu” në kryeqytet, Lutfije Vokshi ndalet te rreth 50 fotografi që ia kthejnë para syve shumë përjetime të para dy dekadave. Janë pamje të eksodit që i përjetuan shqiptarët në fund të viteve ‘90. “Përjetësisht në memorien shqiptare”, shkruhet në banerin që përmbledh imazhe nga dëbimi me dhunë i shqiptarëve të Kosovës. E hëna e 14 shkurtit ka shënuar 32-vjetorin e “Shoqatës për Kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e veta”, e themeluar me nismën për mobilizim të shqiptarëve për t’u kthyer në atdhe. Këtë përvjetor, organizatorët e kanë shënuar me ekspozitë – në dukje jo fort e realizuar me kujdes – nëpërmjet së cilës kanë përcjellë mesazhe nga e kaluara, për të tashmen.
Vokshi thotë se me këtë ekspozitë para syve u janë kthyer përjetimeve e dëbimit me dhunë para më shumë se 20 vjetësh.
“I shoh disa foto, ku shihen fëmijët që tash i kanë mbi 20 vjet. Kjo është shumë e prekshme ta shohësh veten në këtë foto, mua m’i kujtojnë ato ditë”, ka thënë Vokshi për KOHËN. Fotografia e parë e ekspozitës është edhe gruaja nga Kaçaniku, Sherife Luta, që u bë simbol i eksodit në fotografinë me foshnjën 6-muajshe në gji. Histori të ngjashme kanë edhe fotografitë e tjera që paraqesin radhët e gjata të shqiptarëve që kërkonin strehim në Maqedoni e Shqipëri.
Më 14 shkurt 1990, kur regjimi serb filloi përpjekjet për ta shtrirë ndikimin në Kosovë, në Pejë me demonstrata kundërshtuan ndryshimin e emrave të rrugëve, që mbanin ato të rilindësve shqiptarë. Me këtë filloi një mobilizim më i madh kundër projekteve serbe për zhdukjen e shqiptarëve. Kështu nisi aktivitetin e saj edhe “Shoqata për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e veta”, e cila veçmas në fund të 90-ve pati një mision të vështirë – kthimin e shqiptarëve në vendin e tyre në jetën mbi rrënojat e luftës. Aktivitetet e saj ndër vite, kuvendet, takimet e shpërblimet për këtë shoqatë janë bërë pjesë e mozaikut me imazhe të vendosura në shesh të kryeqytetit.
Sipas kryetarit të kësaj shoqate, ekspozita tri dekada më pas merr dy kuptime, si thirrje për të mos harruar të shkuarën dhe si thirrje për rininë për të mos e braktisur vendin.
“Fatkeqësia më e madhe është se edhe pas 32 vjetëve të punës sonë po largohen me qindra e mijëra shqiptarë nga Kosova. 10-vjeteshin e fundit kanë ikur mbi 1 milion e gjysmë shqiptarë. Edhe 10 vjet nuk di kush do të jetë në trojet shqiptare dhe bashkimin shqiptar kush do ta bëjë”, ka thënë për KOHËN kryetari i Shoqatës, Jahja Lluka. Ka bërë thirrje për të rinjtë të mos largohen e ka thënë se këto imazhe i kanë përzgjedhur si thirrje kundër harresës, se pa mobilizimin e UÇK-së dhe ndërhyrjen e NATO-s sot asgjë s’do të ishte njësoj.
“Përjetësisht këto fotografi duhet të mbesin në mendjen tonë. Mos të harrojmë se kemi mundur të mbesim pa shtet dhe pa asgjë”, ka theksuar Lluka.
Kuvendet “Shoqatës për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e veta” ishin të shpeshta gjatë luftës dhe pas saj. Kështu i kujton njëri nga themeluesit e saj, Bekë Zeka, i cili thotë se atëkohë kishin hasur edhe në shumë sfida për shkak të aktivitetit të tyre.
“Kemi pasur shumë vështirësi nëpër stacione policore, pasi që na merrnin nga tubimet. Shpresoj të arsimohen të rinjtë dhe ta kujtojnë këtë kulturë historike tonën”, ka thënë ai.
Për mbi tri dekada, Shoqata është munduar të realizojë shumë aktivitete që lidhen me degëzimin e Shoqatës në të gjitha trojet shqiptare, duke organizuar aksionet e quajtura “Të gjithë kundër shpërnguljes”. Në kornizën e aktiviteteve të Shoqatës hyn edhe themelimi i çmimit “Hasan Prishtina” që, ndër të tjera, në vitin 2000 iu nda ish-presidentit të SHBA-së, Bill Clinton. “Shoqata për kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e veta” në vitin 2015 është shpërblyer me titullin “Nderi i kombit” nga ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, për ndihmesën e jashtëzakonshme në sensibilizimin për kthimin e trojeve të stërgjyshërve të të gjithë atyre që u shpërngulën me dhunë e shtypje nga vatrat e tyre.