Artisti i mangave Kamentotsu nuk është se priste shumë, kur tre vjet më parë ngarkoi në llogarinë e tij në Twitter stripin e tij prej katër panelesh mbi një arush antropormofik që drejton një dyqan tortesh.
Por instalacioni i parë i “Koguma’s Cake Shop”, i bërë si një ngushëllim për një mik të rraskapitur, përftoi dhjetëra mijëra pëlqime. Brenda javës, 40 kompani iu qasen atij me oferta.
“Botuesit e ndërmarrjeve botuese u janë qepur artistëve manga sikur të jenë në gjah pas tyre”, ka thënë Kamentotsu, që njihet me emrin e tij të letrave si dhe mban një maskë gjatë paraqitjeve për media.
Duke kërkuar për talente online, botuesit tani kanë në konsideratë internetin dhe potencialin e artistit për audienca.
Për artistët japonezë të mangave (romane grafike japoneze) shumë prej të cilëve punojnë pa i njohur kush dhe për një pagë të vogël, të bëhesh viral mund të të ndryshojë jetën.
Stripi i Kamentotsusë, që është botuar nga Shogakukan, është shitur në më shumë se gjysmë milioni kopje. Arushi titullar, që mban një kapele të kryekuzhinierit, është bërë një lodër e njohur dhe imazhi i tij po përdoret për të promovuar llazanje të ngrira.
Pop-kultura japoneze është përplot me karaktere të tilla të lezetshme e që mbahen mend.
Njohësit e industrisë thonë se stili “të ndihesh mirë” – i njohur në japonisht si “iyashikei” – është veçmas i përshtatshëm për audiencat online.
Por hite të tjera të fundit janë një çikë më të errëta, si “Jujutsu Kaisen” dhe “Demon Slayer”.
“The Way of the Househusband” i Kousuke Oonos ka një ide të lartë konceptuale: një gangster i frikshëm, me tatuazh, i veshur i gjithi në të zeza e duke mbajtur një përparëse – lë krimin për t’iu kushtuar shtëpisë përderisa e shoqja e tij punon.
“Një rrëfim komedie me karaktere që kuptohen lehtësisht dhe një titull të përshtatshëm për internet…ne kemi menduar për këtë qysh prej fazës së planifikimit”, ka thënë Arimasa Nishikawa, botues në faqen e mangave “Kurage Bunch”, që e publikoi e para stripin.
“Househusband”, e njohur në aplikacione të mangave dhe në print, luan me sterotipet gjinore në një kohë të ndryshimeve shoqërore në Japoni. Stripi është bërë edhe dramë televizive, me një motërzim të animuar që të jepet në “Netflix” sivjet. \ Reuters