Nga e premtja, edhe pavijoni i Kosovës në “Arsenale” do t’i hapë dyert zyrtarisht. Nën kurimin e Maksut Vezgishit, projekti “Containporary” i mëshon rolit të urbanizimit global dhe procesit të planifikimit e krijimit të mjediseve të qëndrueshme.
“Toka është shtëpi. Roli i urbanizmit është të krijojë mjedise të qëndrueshme që lidhin njeriun me natyrën. Biodiversiteti planetar është misioni më fisnik i arkitekturës”, thuhet në përshkrimin kuratorial për pavijonin e Kosovës.
Me gjithë përkushtimin e organizatorëve për ta mbajtur edicionin e 17-të me radhë, atmosfera në qytetin lagunor të Adriatikut është dukshëm më e zbehtë në krahasim me vitet e kaluara.
Kjo ka qenë përshtypja të cilën e ka evokuar gazetari i KOHËS, Fisnik Minci, i cili po ndjek nga afër bienalen e njohur.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Express” të enjten pasdite, ai ka vënë re se në Venecia, tashmë e përfshirë në “zonën e verdhë”, vërehet një numër i vogël vizitorësh, por edhe atyre që po prenotojnë qëndrime në hotele.
“Përgatitjet janë zhvilluar në një frymë paqartësie, por megjithatë pjesëmarrësit janë munduar ta japin përgjigje për problemet e reja që bota i vendos për arkitektët”, ka thënë Minci.
Në edicionin e sivjetmë, ku marrin pjesë 112 pjesëmarrës, sipas Mincit, performuesit përbëjnë edhe një lloj “diplomacie kulturore” për 46 shtetet përkatëse.
Ndryshe, projekti “Containporary” është një objekt i madh, i hapur, i mbyllur, i destinuar për ngarkimin e “përmbajtjeve” të ndryshme.
Me komisionere Jehona Shytin nga MKRS, ekipi i Kosovës përfshin ekspozuesit: Vildane Maliqi, Argjirë Krasniqi, Feray Dervis, Recep Kerkezi dhe Gëzim Radoniqi.