“Mungesa e planifikimit të qëndrueshëm e vë Tokën në rrezik. Çështja më e mprehtë është kriza e ngrohjes globale. Neve na mungojnë vetëdijesimi dhe veprimet e bashkërenduara për t’i shmangur efektet e fatkeqësisë klimatike. Sot, asnjë veprim njerëzor nuk mund të shihet më si ‘individual’. Ëndrrat dhe vizioni i përjetësisë ekzistojnë në përvojat transicionale. Toka e natyra janë të shndërrueshme”, është shpjegimi i ekipit kuratorial, për veprën “Containporary” të Maksut Vezgishit, që përfaqëson Kosovën në edicionin e 17-të të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecie
E titulluar “Containporary”, Pavijoni i Kosovës në ekspozitën e 17-të Ndërkombëtare të Arkitekturës – La Biennale di Venezia, i mëshon rolit të urbanizimit të përbotshëm dhe procesit të planifikimit dhe krijimit të mjediseve të qëndrueshme. Nën kurimin e Maksut Vezgishit, Pavijoni do të shpërfaqet në Arsenale prej 22 majit deri më 21 nëntor.
Arkitekti, artisti pamor dhe autori Maksut Vezgishi do t’i bashkojë forcat tok me Vildane Maliqin, Argjire Krasniqin, Feray Dervisin, Recep Kerkezin dhe Gëzim Radoniqin për të krijuar Pavijonin. Ekspozita është organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Kosovës, dhe do të vërë në pah urbanizimin e qëndrueshëm të vendit dhe të botës.
“Mungesa e planifikimit të qëndrueshëm e vë Tokën në rrezik. Çështja më e mprehtë është kriza e ngrohjes globale. Neve na mungojnë vetëdijesimi dhe veprimet e bashkërenduara për t’i shmangur efektet e fatkeqësisë klimatike. Sot, asnjë veprim njerëzor nuk mund të shihet më si ‘individual’. Ëndrrat dhe vizioni i përjetësisë ekzistojnë në përvojat transicionale. Toka e natyra janë të shndërrueshme”, është shpjegimi i ekipit kuratorial.

Pavijoni qëmton atë se si raca njerëzore mund të respektojë dhe të mbajë drejtpeshimin e ekosistemit duke iu qasur urbanizmit dhe arkitekturës në mënyra të vetëdijshme e të veçanta mjedisore. Hëpërhë, megastrukturat nuk janë të ndërtuara në mënyrë konsistente. Shumë palë të përfshira, si qeveritë, tregtia dhe ekonomia globale, ndërmarrjet shumëkombëshe dhe komercializmi e kanë fjalët e vet kur është puna e ndërtimit, duke minimizuar përdorimin e zgjuar të burimeve ekzistuese.
Duke përvijuar qëllime të fisme, ekipi kuratorial i kthehet “kujtesës” si një “botë ideale e fantastike e mundësive që arkitektët dhe planifikuesit i ringjallin dhe i përditësojnë”. Teksa Kosova është një shtet që vazhdimisht u degradua nga “teknologjia e ndyrë” në të kaluarën, Pavijoni gjakon të hapë një kapitull të ri të zhvillimit të qëndrueshëm. Për ekspozitë, kuratorët kërkuan në kontejner, një objekt dallueshmërisht i formësuar e i madh që ndodhet në secilën komunë. Peizazhet përreth këtyre kontejnerëve shpesh shpërfillen, gjë që ekipit dizajnues i dha një kanavacë të bardhë të pafund mundësive e funksioneve të reja.
“Formësimi mjesor revolucionarizon konceptet shoqërore, politike e hapësinore, dhe fuqizon lidhjet mes njerëzve dhe vendeve”, shpjegon ekipi kuratorial.
{gallery}
“Containporary”
Komisionere: Jehona Shyti, MKRS
Organizatore: Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Kurator: Maksut Vezgishi
Bashkekspozues: Vildane Maliqi, Argjirë Krasniqi, Feray Dervis, Recep Kerkezi dhe Gëzim Radoniqi
Muzika: Elvis Bytyqi dhe Gjulian Bytyqi
Fotograf: Edon Agushi
Dizajn grafik: Nita Salihu-Hoxha
Maksut Vezgishi nga Kosova është arkitekt i diplomuar, editor dhe autor për artin bashkëkohor në Bruksel. Përvoja e tij e punës përfshin editim arkitekturor e artistik në publikime të ndryshme politike e kulturore. Arkitekti e përkufizon stilin e vet si “eksperimental dhe modern”, duke sjellë në vëmendje të kërkimit “artin bashkëkohor shqiptar”
Marrë nga archdaily.com. Përktheu: Salih Mehmeti