Kulturë

“Pasqyrë. Plotni” e fut vizitorin brenda pikturës në kërkim të kuptimit

Duke integruar pjesë të fotografive të gjymtyrëve të saj, Arlinda Hajrullahu i prezanton imazhet si të paplota. Si të tilla identitetin e fitojnë veç kur kanë përballë vizitorin. Për ta plotësuar këtë mision, në pëlhurën me akrilik ka integruar pasqyrën. Në mozaik pjesësh brenda pikturës, pasqyra në çdo vepër merr formë tjetër dhe bëhet elementi kryesor që e qartëson aspektin mistik të veprës, në shikim të parë

“A nuk jemi secili pasqyrë e secilit?”, është pyetje që Arlinda Hajrullahu e ngre direkt nëpërmjet fjalëve të shkruara në mur. Por pyetja merr edhe më shumë kuptim, kur publiku me sy i shëtit pikturat në muret e Galerisë së Fakultetit të Arteve. Vizitori bëhet pjesë aktive e ekspozitës “Pasqyrë. Plotni” që e përmbledh punën e vjetëve të fundit të artistes Arlinda Hajrullahu, që me ekspozitë personale kthehet pas dhjetë vjetësh. Duke integruar pjesë të fotografive të gjymtyrëve të saj, Hajrullahu i prezanton imazhet si të paplota. Si të tilla identitetin e fitojnë veç kur kanë përballë vizitorin. Për ta plotësuar këtë mision, Hajrullahu në pëlhurën me akrilik ka integruar pasqyrën. Në mozaik pjesësh brenda pikturës pasqyra në çdo vepër merr formë tjetër dhe bëhet elementi kryesor që e qartëson aspektin mistik të veprës, në shikim të parë. Hajrullahu për plotësimin e pikturës nuk u është dorëzuar ngjyrave, por shikuesit, duke e bërë atë pjesë të një vepre arti. Sytë e vizitorit në pikturë e plotësojnë imazhin e konceptuar nga artistja që në një udhëkryq mendimesh e mediumesh e bën reflektimin kryefjalë të veprave.

“Secili njeri që e takojmë dhe që e kemi përreth reflekton diçka në jetën tonë dhe ne në jetën e tyre”, ka thënë Hajrullahu, e cila ekspozitën e realizoi gjatë kohës kur bota u mbërthye nga pandemia e izolimi u bë kundërpërgjigja e parë. Marrëdhëniet ndërnjerëzore duket qartë se e kanë prekur ndjeshmërinë krijuese të artistes. Mungesën e njerëzve në atë kohë e plotëson në ekspozitën që ka mbledhur jo pak vizitorë të mërkurën mbrëma.

Image
Sytë e vizitorit në pikturë e plotësojnë imazhin e konceptuar nga artistja që në një udhëkryq mendimesh e mediumesh e bën reflektimin kryefjalë të veprave

“Kam dashur që një pjesë reale e imja dhe një pjesë e atij që e sheh punimin ta krijojmë një vepër të përbashkët”, sqaron tutje Hajrullahu, e cila në ekspozitë ka shfaqur edhe një video ku artistja ndërvepron vetë me pikturat dhe lejon që mbi piktura të shfaqen reflektimet e natyrës. Ekspozita përveç aspektit artistik ka edhe elementin poetik. Këtë e ka bërë nëpërmjet poezisë “Plotnia”, e cila sqaron se duke i qëndruar përballë pasqyrës hapemi ndaj të ndryshmes.

“Një copëz bote në një copëz pëlhurë që pa mua dhe ty s’do të kishte marrë jetë”, janë vargjet me të cilat Hajrullahu u drejtohet vizitorëve që bëhen pjesë e ekspozitës.

E poezia, sipas piktorit Eshref Qahili, është një element që bën që ekspozita të depërtojë sa më fuqishëm te publiku. Ai e ka vlerësuar veçantinë e saj edhe në ekspozita kolektive, por që peshën e artit të saj e ka nxjerrë në pah akoma dhe më shumë me ekspozitë personale.

“E pëlqeva këtë punë, sepse ishte një trajtim ndryshe i pikturave, veçmas që e ka përdorur pasqyrën. Ekspozita plotësohet edhe më shumë me mbishkrimet dhe tekstet rreth përmbajtjeve dhe ideve”, ka thënë Qahili për KOHËN, duke shpresuar që artistja të vazhdojë qasjen e saj të veçantë e ta prezantojë edhe në ekspozita të tjera personale.

Në ekspozitat e saj mungojnë sytë, por duart janë përherë të pranishme. Janë duart e vetë artistes të cilat ajo i vë në lojë. Mes ngjyrave më të errëta, piktorja Arlinda Hajrullahu shpalos edhe një cikël personal nga jeta e saj – ndryshimet e trupit dhe psikozës së saj. Meqë ekspozitën e kishte ideuar në vitin 2013 sa ishte shtatzënë, reflektimin e asaj periudhe të jetës e ka bartur edhe në imazhe. Me një qasje befasuese, është vlerësuar ekspozita e artistes me punime që përcjellin emocione dhe reflektime që përcaktohen nga vetë vizitori.

“Një ekspozitë që vërtet na jep emocion pasi që reflekton identitetin e vetë artistes dhe periudhën e pandemisë. Te shumica e punimeve vërehet pasqyra, e cila tregon një identitet qoftë personal apo shoqëror. Jam i befasuar për të mirë”, ka thënë piktori Naim Spahiu për KOHËN.

Nëpërmjet “Pasqyrë. Plotni”, Hajrullahu, siç shkruhet në katalog, në tekstin kuratorial të Arbër Selmanit, rikthehet në hartën e artistëve të dalluar të artit bashkëkohor. Duke integruar instalacionin, pikturën, fotografinë dhe videon në një gjeometri ku e bukura dhe përpëlitja artistike bëhen bashkë me pasqyrën – elementi që Arlinda e thumbon sepse guxon.

Sipas kuratorit Selmani, guximi më i madh qëndron te përdorimi i pasqyrës sepse ajo replikon dhe shpesh e sjell atë që nuk e duan.

“Arlinda edhe në të kaluarën ka punuar me efektin ‘unë dhe ti’ dhe e kemi bërë si një vazhdimësi të punës së saj. Kam bërë hulumtimet e mia për të ardhur te ky përfundim dhe kështu i ftojmë njerëzit që ta gjejnë veten në këto vepra arti”, ka thënë Selmani.

Ekspozita e Arlinda Hajrullahut do të qëndrojë e hapur deri më 23 shkurt në Galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë. “Paqyrë. Plotni” shënon vetëm një fazë të re të krijimtarisë artistike të Arlinda Hajrullahut.